Nga: KLODIANA HAXHIAJ
69-vjeçari Guido Guidi i cili u rrëzua me avionin “Pipper” në zonën e Ishmit ka pranuar mbrëmë gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët, se kishte ardhur në Shqipëri për të kryer trafik ndërkombëtar droge. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot deponimin në orët e vona të pilotit italian i cili ka pohuar se trafikantë shqiptarë dhe italianë me bazë në Milano e kishin porositur fluturimin e tij.

“Erdha fillimisht për të parë zonën ku do të realizonim transportin. Më ka dërguar grupi i Milanos (u tregon prokurorëve emrat e shqiptarëve dhe italianëve) për të parë zonën ku do të realizonim transportin. Fillimisht unë u nisa nga Milano dhe i lashë ata në Bari. Aty më dhanë edhe hartat e duhura dhe instruksionet e tjera për të ulur në Shqipëri. Erdha për të parë pistën, do vijë një herë tjetër për të marrë rreth 200 kilogramë hashash”, i ka thënë grupit hetimor piloti i avionit, Guido Guidi. Pavarësisht se pranoi se kishte ndërmend të bënte trafik droge, piloti është liruar mbrëmë në rrethana të paqarta. Burimet folën për një marrëveshje ku Guidi ka treguar të gjithë emrat e shqiptarëve dhe italianëve të përfshirë në trafik. Megjithatë, lirimi i tij i beftë lë shteg për dyshime.

Pas uljes së avionit “Piper”, i cili po fluturonte pa leje nga Aviacioni Civil, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për këtë rast, nën akuzën e trafikut të narkotikëve. Piloti Guido Andrea Guidi është marrë në pyetje nga prokurorët e Krimeve të Rënda, pasi dyshohet për trafik narkotikësh, megjithatë nuk është gjetur drogë në vendngjarje.

Kur është pyetur fillimisht se pse nuk njoftoi autoritetet në lidhje me ngjarjen, italiani ka deklaruar se nuk e ka bërë një gjë të tillë, pasi nuk kishte marrë leje fluturimi. Sakaq, edhe përfaqësues të Aviacionit Civil Shqiptar pohuan se avioni që ra në Ishëm nuk ka pasur leje fluturimi. Sipas Aviacionit Civil, leja kërkohet 48 orë përpara fluturimit dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Më tej, Aviacioni Civil sqaron se leja kërkohet duke paraqitur dokumentacionin shoqërues të mjetit fluturues, por edhe pilotit.

Dëshmitarët okularë kanë pohuar se e kanë parë avionin që ka ardhur rreth e rrotull zonës së tyre shumë më herët se ora që është raportuar nga policia dhe se ai ka tentuar të ulet në një zonë të fshehtë. Banorët deklarojnë se kanë parë edhe herë të tjerë avionë të vegjël në zonën e tyre. Nga hetimet e para rezulton se avioni ka mbërritur në Godull në orën 08.45. Në momentin e uljes, rrota ka pësuar dëmtime, por pavarësisht kësaj, ekspertët thonë se piloti ka tentuar të largohet dhe gjatë kësaj tentative, ai ka dështuar, pasi rrota e avionit është këputur dhe mjeti ka rrëshqitur në gjendje të lirë përgjatë afro 100 metrave, ku ka mbetur në disa shkurre, pikërisht në grykëderdhjen e lumit Ishëm. Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke verifikuar përmes sistemit TIMS nëse Guidi ka hyrë më herët në territorin shqiptar.

Ndërkohë, sipas policisë gjatë uljes avioni ka pësuar dëmtime, por piloti italian ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore. Ai fillimisht u dërgua në Spitalin Rajonal Durrës për kontroll mjekësor dhe më pas në polici. Krahas pilotit, policia shoqëroi edhe pronarë të tokës ku u rrezua avioni, të cilët u morën në pyetje lidhur me sheshimin që i është bërë zonës, duke e përshtatur për ulje avionësh. Sipas banorëve, ndërhyrjet janë bërë për të krijuar një pistë për hipizëm. Nga ana tjetër, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimit për këtë rast nën akuzën e trafikut të narkotikëve. Ngjarja fillimisht u njoftua nga ish- ministri i Brendshëm Flamur Noka e më pas nga policia e Durrësit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: