PRISHTINE- Deklarata e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se Ushtria do të krijohet deri në fund të vitit, nuk duhet marrë seriozisht, thonë ekspertët e sigurisë në vend.

Kjo pasi ishte vetë presidenti tërhoqi iniciativën e tij për ta bërë Ushtrinë përmes ligjit, një ditë pa u bërë një muaj nga koha kur e propozoi atë në Kuvendin e Kosovë, pasi kjo iniciativë nuk ishte e koordinuar me ndërkombëtarët, shkruan KTV.

Në anën tjetër, kryeministrit Haradinaj i mbeten 91 ditë për ta shndërruar Forcën e Sigurisë së Kosovës në Ushtri, nëse merren për bazë zotimet e tij të bëra gjatë fushatës elektorale.

Por, në javën e dytë të punës së tij, Haradinaj nuk e ka idenë se si do ta procedojë më tej çështjen e krijimit të Ushtrisë, përveç faktit se deklarohet që është prioritet i tij.

Në parimet e programit të Qeverisë Haradinaj për FAK-un, është folur në më pak se gjysmë faqe, dhe aty thuhet se ajo do të ndërtohet me standarde të NATO-s.

Në fakt, ashtu thuhet që nga themeli i FSK-së në janarin e 2009-ës.

Duke marrë për bazë faktin se Lista Serbe ka 9 deputetë në Kuvend, bërja e Ushtrisë përmes ndryshimeve kushtetuese duket larg e realizueshme.

Në anën tjetër, që në ditët e para të mandatit të tij, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, mori mesazhet e SHBA-së se FSK-ja nuk mund të bëhet pa pajtimin e të gjitha palëve.

Ndërkaq, të dielën kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Petr Pavel, tha se pavarësisht se krijimi i Ushtrisë së Kosovës është një e drejtë e vendit, ajo duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke theksuar se ky është rekomandimi që ka bërë Sekretari i Përgjithshëm.

SHBA-ja në prill kishte marrë përsipër që të udhëheqë dialogun me serbët për FSK-në dhe në një kohë prej 6 muajsh të vendoset për formën se si duhej proceduar themelimi i Ushtrisë.

Por, për shkak të rrëzimit të Qeverisë kjo iniciativë u harrua.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: