Teuta i ka hequr nga duart Partizanit fitoren në minuta e fundit. Ekipi i drejtuar nga Begeja ka arritur të dalë me një pikë nga përballja e sotme me të kuqtë falë golit të shënuar në minutën e 96 nga portieri i Teutës, Shpëtim Moçka.

Ndeshja nisi më së miri për Teutën e cila në minutën e 16-t do të fitonte një penallti. Nga pika e bardhë durrsakët nuk do të tregoheshin të saktë pasi Alban Hoxha do të bënte më së miri detyrën e tij.

Ende pa kaluar mirë kjo situatë Partizani do të kalonte në avantazh nga Gerhard Progni i cili nuk i falë durrsakët nga brenda zonës. Partizani do të administronte rezultatin deri në minutat e fundit atëherë kur Moçka pas një krosi në zonë ‘fluturoi’ mbi të gjithë për të sigluar ndeshjen me shifrat 1-1.

Pas 23 javësh kampionat Partizani renditet në vendin e 5-t me 32 pikë, ndërsa Teuta në vendin e 9-t me 22 pikë, po aq sa Vllaznia e cila ende nuk e ka zhvilluar takimin e këtij raundi.

Teuta 1-1 Partizani

Moçka 90+5′ / 25′ Progni

Minutë pas minute

90’+6′ GOOOL Teuta, shënon Moçka.

90′ 4 minuta shtesë.

81’ Hakaj hedh një top të gjatë në zonë, por Hoxha grushton e më pas goditet në ajër. Një dëmtim i lehtë për portierin pas përplasjes me shokun e skuadrës Kulum.

79’ Zëvendësimi i tretë për skuadrën e Begejas. Kruja futet për Hilën.

77’ Bardhi rrëmben një top në mesfushë, avancon bukur teksa kalon edhe Shkallën, pason në fund për Trashin, por ky i fundit e dërgon topin pa adresë.

68′ Goditje dënimi për Partizanin, topi harkohet në zonë ku pas dy devijimesh, Moçka detyrohet të devijojë topin mbi traversë.

67’ Ndërrimi i dytë tek Teuta. Alhasan i lë vendin Bilalit.

63’ Bardhi ka një rast të mirë, ku shërbehet brenda zonës, por Moçka ndal në fund. Provon edhe Trashi me të majtën nga jashtë zone, por pa probleme.

60’ Starova kryen zëvendësimin e parë. Asani largohet për Milan Kulum.

54’ Tension mes Gojkoviç dhe Shkallës. Arbitri nuk fal asnjë, dhe i ndëshkon të dy me të verdhë.

53’ Teuta ka një rast të mirë, ku Latif godet me kokë, dhe topi shkon pranë Shkallës, por ky i fundit nuk mundet të godasë për në portë.

50’ Dediç godet bukur me të djathtën nga jashtë zone, por topi shkon vetëm pak jashtë portës.

46′ Lajthia lë vendin për Dediç te durrsakët.

46′ Nis pjesa e dytë

45+2′ Përfundon pjesa e parë

45′ 2 minuta shtesë.

34′ Hila depërton në zonën e Partizanit, por në momentin e fundit nuk mund të godasë.

32′ Mundohet të reagojë Teuta. Çyrbja ekzekuton një goditje dënimi nga e djathta, topi largohet nga mbrojtja e Partizanit i cili është tërhequr në gjysmëfushën e vet.

25’ GOOOL Progni. Sulmuesi shfrytëzon një top të mbetur në zonën e durrsakëve, dhe mposht Moçkën.

18’ Pret Alban Hoxha, penalltinë e goditur nga Çyrbja. Në fillim pret portieri me këmbë, ndërsa goditjen e dytë topi shkon mbi traun e portës.

16’ Penallti për Teutën, pas një ndërhyrje të parregullt të Belicës, që ndëshkohet edhe me të verdhë.

14′ Asani godet me kokë pas një goditje këndi, por topi shkon jashtë.

8′ Një goditje nga këndi në favor të Partizanit, Moçka del dhe grushton, ndërsa më pas shtrihet në tokë për shkak të një dëmtimi. Loja ndërpritet për dy minuta, derisa stafi mjekësor bën me shenjë që portieri mund të vazhdojë.

1′ Nis takimi në Niko Dovana

Në Durrës do të luhet një nga ndeshjet shumë të rëndësishme të kësaj javë në Superligë. Teuta e ‘etur’ për pikë pasi rrezikon sezonin do të përballet me Partizanin që nga ana tjetër kërkon të shpëtojë diçka nga sezoni dhe të renditet në një nga pozicionet që të çon në Kupa e Europës.

Të dy ekipet vijnë pas fitoreve, respektivisht Teuta kundër Kamzës dhe Partizani kundër Lushnjës.

FORMACIONET

Teuta: Mocka, Hakaj, Shkalla, Bilali, Beqja, Gjorgjievski, Lajthia, Hila, Alhasan, Cyrbja, Latif

Trajner: Gentian Begeja

Partizani: Hoxha, Kotobelli, Belica, Gojkoviç, Ibrahimi, Trashi, Batha, Mala, Asani, Progni, Bardhi

Trajner: Sulejman Starova

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb