TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka prezantuar nga foltorja e Kuvendit programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme. Seanca maratonë e nisur në orën 10:10, ka filluar me debate nga deputetët demokratë. Deputeti Edmond Spaho ka kërkuar mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Ndërsa nuk ka munguar as reagimi i deputetit të LSI, Petrit Vasili, i cili ka kërkuar ndërprerjen e seancës për disa minuta, për të diskutuar mbi kohën e debatit që i duhet grupeve parlamentare dhe deputetëve sipas rregullores.

“T’i bëjmë gjërat siç duhet. Mos ta bëjmë pis procesin”, u shpreh Vasili.

Për këtë kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha se koha e diskutimeve diskutohet në rastet kur është e nevojshme.

Pasditen e sotme, në vijim të seancës pritet të konstituohet qeveria “Rama 2”. Ndërsa ministrat e rinj do të fillojnë zyrtarisht detyrën pas betimit tek Presidenti Ilir Meta.

ORA 11:05 RUCI THERRET MBLEDHJEN E KONFERENCES SE KRYETAREVE, NDERPRITET SEANCA PER 15 MINUTA
Seanca plenare është ndërprerë për 15 minuta, pasi kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka thirrur krerët e grupeve parlamentare të mblidhen në Konferencën e Kryetarëve. Kujtojmë se një gjë të tillë e kërkuan në nisje të seancës parlamentare, Edmond Spaho i PD, dhe Petrit Vasili i LSI.

ORA 11:02 MUNGOI NË SEANCËN E PARË PLENARE, BETOHET DEPUTETI VANGJEL TAVO
Deputeti i LSI, Vangjel Tavo ka munguar në seancën e parë plenare për këtë legjislaturë, ku u betuan deputetët e rinj të Parlamentit të Shqipërisë. Në seancën e sotme, ka bërë betimin edhe deputeti Vangjel Tavo.

ORA 11: 00 – PREMTIMET E RAMES PER MANDATIN E ARDHSHEM

“Përqëndrimi tek Vettingu është mëse normal. Sistemi ynë i drejtësisë shkakton përditë shpresa dhe të drejta të shumë njerëzve të zakonshëm. Ne do shtyjmë fort që dhe populli të shohë prova konkrete të procesit të Vettingut.

Një program i madh investimesh do bëhet në këtë mandat në insfrastrukturën rrugore e shkollore, partneriteti me biznesin do hyjë në një fazë të re. Do të luftojmë korrupsionin në administratë, pastrojmë grabitqarët në zyrat e shtetit. E kemi ne në dorë të rrisim sigurinë në vend, të godasim fort çdo të fortë që kërcënon njerëzit e zakonshëm në vend. Do rrisim nivelin e investimeve, duke ulur borxhin, të kapërcejmë nivelin 5% të rritjes ekonomike, të rrisim rroga e pensione në këtë 4-vjeçar. Do angazhohemi me pushtetin vendor për të mbyllur kapitullin të titujve të pronësisë. Do mbyllim procesin e legalizimeve, duke bërë inventarin e pronave të shtetit, që nga rrugët deri tek të gjitha tokat e lira bujqësore apo turistike, që s’mund  t’i lihen më në dorë grabitqarëve. Turzimin do ta kthejmë në një nga burime më të mëdha ekonomike në këtë 4-vjeçarin. Mos prenotoni ikje jashtë, sezoni turistik do sjellë një erë të re në Shqipëri. Mos u harxhoni kot për të ikur jashtë vitin tjetër,” tha Rama.

ORA 10:20 RAMA PREZANTON PROGRAMIN QEVERISËS: OPOZITA NUK ËSHTË ARMIKU YNË
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në seancën e sotme plenare programin e tij qeverisës për 4 vitet e ardhshme. Pasi ka uruar për detyrën kreun e ri të Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryeministri Rama u ndal tek puna e bërë në 4 vitet e kaluara, dhe përgjegjësitë për 4 vitet e ardhshme.
Kreu i Qeverisë tha se gjatë këtij viti të shoqëruar me debate, protesta, si dhe një fushatë zgjedhore, ka marrë disa mësime.

Ai tha se shumë gjëra i ka mësuar edhe gjatë takimeve me qytetarët të zhvilluara në gjithë vendin.
Sakaq, ai foli edhe për raportin me opozitën.

“Ju armiq asnjëherë, por as edhe kundërshtarë. Nuk jemi këtu asnjëra nga këto. Por ne jemi në një garë për të konkurruar për idetë tona. Nuk kemi ardhur për të luftuar me opozitën, por me idetë e saj.
Mësova se në Shqipëri nuk fiton kush i fryn zjarrit të konfliktit.

Në një nga ditët e protestës së opozitës, kryetari Basha doli në protestë bashkë me vajzën e tij të vogël. Nuk e them këtë për të risjellë në vëmendje atë moment, por dua të them se gjithçka që ne bëjnë lidhet me fëmijët tanë. E nuk duhet të harrojmë se në çdo gjë që bëjmë keq, u bëjmë keq fëmijëve të gjithë Shqipërisë”, tha kryeministri Rama.

ORA 10:25 VASILI: TE PERCAKTOHET KOHA E DEBATIT PER DEPUTETET

Deputeti i LSI, Petrit Vasili, kryetar i grupit parlametnar ka kërkuar ndërprerjen e seancës për disa minuta, për të diskutuar mbi kohën e debatit që i duhet grupeve parlamentare dhe deputetëve sipas rregullores.

“T’i bëjmë gjërat siç duhet. Mos ta bëjmë pis procesin”, u shpreh Vasili.

Për këtë kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha se koha e diskutimeve diskutohet në rastet kur është e nevojshme.

ORA 10:15 SPAHO: PO THYENI RREGULLOREN, NUK NA JEPNI FJALEN

Edmond Spaho i Partisë Demokratike, ka ndërprerë menjëherë fjalën e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili ishte gati t’i jepte fjalën kryeministrit Edi Rama.

Edmond Spaho: Ndiq rregulloren, nuk keni caktuar modalitetet e debatit. Po thyeni rregulloren, keni thënë që do jeni gardiani i rregullores, dhe po e shkelni atë.

Gramoz Ruçi: Pas përfundimit të seancës do ta diskutojmë. Po ndërprisni senacën, kur të mbarojë seanca shprehuni.

ORA 10:10 NIS SEANCA PLENARE, PREZANTOHET PROGRAMI QEVERISES

Seanca e sotme parlamentare që pa nisur mirë, është përfshirë nga debatet mes palëve politike.

Edmond Spaho i Partisë Demokratike, ka ndërprerë menjëherë fjalën e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili ishte gati t’i jepte fjalën kryeministrit Edi Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: