TIRANE- Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla del jashtë procesit të vettingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka miratuar ditën e sotme vendimin për ndërprerje të procesit të rivlerësimit për Llallën.

Trupa gjykuese, e kryesuar nga Roland Ilia dhe anëtar Pamela Qirko e Olsi Komici mori vendimin, fill pas dorëheqjes së subjektit të rivlerësimit, Llalla.

Kujtojmë se në 12 shkurt ish-kryeprokurori vendosi të hiqte dorë nga sistemi i vlerësimit në drejtësi, vettingu, ndërsa i hiqet e drejta për të qenë pjesë e këtij sistemi për 15 vite. Ditën e shtunë Llalla njoftoi presidenti Ilir Meta, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, se ka hequr dorë nga e drejta për të qenë pjesë e sistemit të Drejtësisë shqiptare.

Para dy ditësh Departamenti Amerikan i Shtetit i ndaloi Llallës dhe familjes së tij hyrjen për në SHBA.

NJOFTIMI I PLOTE
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se trupi gjykues, i përbërë nga:

Roland Ilia Kryesues,

Pamela Qirko Anëtare,

Olsi Komici Relator,

Pasi mori dijeni për dorëheqjen e subjektit të rivlerësimit, z. Adriatik Llalla, më datë 12.02.2018, në zbatim të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, vendosi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, Adriatik Llalla.

Vendimi do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni në zbatim të afatit të përcaktuar në nenin 55/7 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: