Nga: AURORA GOLEMI*
“Dikush të thërrasë rojet e sigurimit, një krijesë e çuditshme është në zyrën time” kështu shkruan në profilin e tij në ‘Facebook’ Presidenti izrealit Reuven. Dixhitura shoqëron imazhin ku dallohet një krijesë virtuale e quajtur pokemon që qëndron në mes të tapetit në rezidencën presidenciale.

Jo vetëm njerëzit e thjeshtë anembanë botës, por edhe burrat e shtetit duket se janë marrosur nga mania më e re, loja, e cila që nga dita kur u lançua 6 korrik 2016 ka gjeneruar miliarda për gjigandin japonez “Ninetendo” duke u bërë fenomen global në kohë rekord.

Aksionet kanë dyfishuar kapitalin e ndërmarrjes në 43 miliardë dollarë. Loja është bërë aq e pëlqyer nga përdoruesit saqë as krijuesit e saj nuk po i besojnë këtij suksesi. Fenomeni “Pokemon Go” ka mbërritur edhe në Shqipëri duke bërë të fiksohen pas tij plot shqiptarë.

Gent Bajko mezi ka pritur përfundimin e orarit të punës në zyrën e konsulencës ligjore për të dalë rrugëve të Tiranës në kërkim të pokemonëve. Qëkur e ka shkarkuar lojën në telefonin e tij smart thotë se nuk ndahet dot prej saj. Madje as pasditet nuk i kalon më mbyllur në shtëpi apo duke konsumuar kafe për orë të tëra me shoqërinë. Arsyeja? Prej javësh ai është një lojtar i “Pokemon Go”.

Nuk është aq e thjeshtë kjo lojë, sic shumëkush mund ta mendojë.. ata më të apasionuarit pas “Pokemon Go” sakrifikojnë gjumin për orë të tëra duke e gdhirë rrugëve të Tiranës në kërkim të krijesave, madje duke tërhequr edhe vëmendjen e efektivëve të gardës apo të policisë. Pokemonët shfaqen kudo, edhe në oborrin e Kryeministrisë apo Presidencës.

Pokemonët dalin edhe gjatë intervistës me Gentin, i cili nuk mund të humbasë rastin për të kapur një krijesë të rrallë, duke i dhënë kështu fund bisedës tonë.

“Ja tani që po flasim më ka dalë përpara një pokemon, i hedh topin për ta kapur..e tregon, nëse topi dridhet tre herë do të thotë që e kam kapur pokemonin”.

Eduina Alicka, 27 vjeç me profesion programuese ka ndryshuar stilin e jetesës, pas shkarkimit të lojës në smartfone.
Themeluesja e faqes në facebook “Pokemon Go Albania” mbledh çdo pasdite dhjetëra të rinj në lulishten e vëllezërve ‘Frashëri’. Ajo thotë se ky vend është mundësi e mirë për të kapur pokemonë. Lulishtja është një prej pokestopve apo palestrave te pokemonëve, siç quhen nga lojtarët.

Grupi “Pokemon Go Albania” numëron mbi 4000 anëtarë vetëm pak ditë nga krijimi. Të organizuar në grup të rinjtë kanë udhëtuar deri në Durrës për të kapur pokemonë ujorë.

Në Tiranë, krijesat ujore dalin kryesisht pranë lumit të Lanës.
Të fiksuar pas lojës janë natyrisht edhe adoleshentët. I dallojmë lehtësisht me kamerën tonë teksa luajnë. Për të luajtur lojën, kushti numër një është të dalësh nga shtëpia dhe të ecësh kilometra të tëra. Nuk ka rëndësi nëse udhëton me këmbë, nëse merr biçikletën apo makinën, pasi në të kundërt nuk përparon në nivele.

Por si mund t’i dallosh rrugëve të Tiranës ata që luajnë “Pokemon Go”? Është e thjeshtë! Zakonisht dalin 2 ose 3 persona në grup, ecin ngadalë me sytë e ngulitur në celular dhe papritur ndalojnë… përpara tyre mund të ketë dalë një pokemon!

“Pokemon GO” është një lojë falas për t’u luajtur duke përdorur GPS-in dhe aksesin në kamerën e pajisjes ku është instaluar. Lojtarët kapin, luftojnë dhe stërvitin krijesat virtuale, që shfaqen në ekranin e celularit ku është instaluar loja, njësoj sikur të ekzistonin në jetën e vërtetë.

Në Tiranë dhe në disa qytete të Shqipërisë pokemonet shfaqen në vende të veçanta. Zakonisht janë pas përmendoreve, statujave, në rrugë, në oborre, në shëtitore, pranë muzeve, afër detit, etj. Lojtarët janë të ndarë në skuadra me ngjyra të ndryshme. Duke u mbledhur së bashku ata kanë mundësi të mira për të kapur krijesat në pokestop-e apo palestra.

Disa kritike e kanë vlerësuar lojën, e cila sipas tyre nxit aventurat në realitet, redukton jetën sedentare dhe përmirëson dukshëm shëndetin fizik e mendor të përdoruesve.
Parqet kanë frekuentim më masiv që prej ditës që loja doli në treg. Edhe personat më dembelë nuk mund të rrinë pa ecur me kilometra për të kaluar nivelet e lojës duke lënë në shtëpi kompjuterët. Lojtarët kanë mundësi të pafundme socializimi dhe njohjesh të reja.

Madje loja ka ndihmuar dukshëm edhe fëmijët autikë, ata nxiten të luajnë sa më shumë pasi hulumtimet kanë treguar se aplikacioni rrit aftësitë e tyre sociale dhe ndikon pozitivisht edhe tek mësim nxënia.

Efektet e papritura pozitive kanë qenë të shumta për ekonominë, apo për institucionet kulturore që nuk kishin frekuentim masiv. Biznese të ndryshme, kryesisht në SHBA, i janë mirënjohëse lojës pasi po përfitojnë shumë nga “Pokemon Go” duke shtuar xhirot. Shumë prej tyre kanë bërë oferta të ndryshme për personat që mund të kapin një pokemon brenda ambienteve të tyre. Gjithnjë e më tepër bizneset po vendosin etiketa të veçanta për të treguar se komuniteti i lojtarëve mund të kapë pokemonë në zonën përreth. Madje disa taksi kanë venë në dispozicion makinat e tyre ekskluzivisht për këdo që është i interesuar të mos lëvizë me këmbë.

Edhe vendet historike po frekuentohen më tepër këto javët e fundit, pasi lojtaret janë në ndjekje të krijesave dhe nuk ngurrojnë të vijojnë lojën nëpër korridoret e muzeve apo operave.

Por mania për të ndjekur pokemonët kudo edhe iu ka rrezikojë jetët lojtareve. Pak ditë më parë një i ri u qëllua për vdekje pasi hyri në një banesë, duke luajtur “Pokemon Go” në Guatemala. 18 vjeçari Gerson Lopez ishte duke luajtur me një mikun e tij, dhe hynë në një banesë për të kapur krijesat virtuale. I riu u qëllua për vdekje, ndërsa miku i tij u plagos rëndë nga pronarët e banesës të cilët menduan se në shtëpi po iu hynin grabitësit.
Edhe në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës një 37 vjeçar qëlloi për vdekje me shotgun dy adoleshentë pasi i ngatërroi me hajdutët. Adoleshentët po luanin në kopshtin e banesës së tij në orën 2 të mëngjesit.

Ndërsa boshnjakët që luajnë këtë loje janë paralajmëruar të shmangin zonat e minuara. Zyrtarët thanë se të rinjtë injoronin shenjat që paralajmërojnë rrezikshmërinë në vendet e minuara dhe futen në zona të panjohura për ta, ku ende ka mina qe nga vitet ‘90 për të kapur pokemonët. Mediat raportojnë vazhdimisht për njerëz që kanë përjetuar histori të çuditshme.

Një lajm i pazakonte vjen nga Oregoni i Shteteve të Bashkuara i riu Majkell Bejkër po kapte pokemonë në lagjen ku banonte, gjatë orëve të para të mëngjesit, kur një agresor e sulmoi me thikë në kraharor. I riu i plagosur rëndë, refuzoi të merrte çdo qetësues dhe mjekim në spital në mënyrë të vijonte lojën qe kishte lënë përgjysmë. I pyetur nga gazetaret Majkell u shpreh se ishte shumë e rëndësishme që t’i kapte të gjithë pokemonët e se nuk duhet të humbte kohë në shtratin e spitalit

E ndërsa popullariteti i “Pokemon Go” po tejkalon pritshmëritë, të larta kanë qenë edhe incidentet e aksidentet rrugore, në të cilat janë përfshirë përdoruesit e lojës.
Ana më e trishtë e lojës këto ditët e fundit janë padyshim pamjet që qarkullojnë në rrjet me fëmijët sirianë të cilët duke shfrytëzuar imazhin e pokemonëve, me të cilët bashkëmoshtarët e tyre luajnë, kërkojnë të shpëtohen. Janë këto imazhe ku dallohen fëmijët e luftës… Apeli vjen nga vendi më i përgjakshëm i globit. Në duar ata mbajnë tabela më pokemonë të vizatuar. Poshtë lexohet në arabisht: Jetoj pranë Alepos, eja më gjej e më shpëto!

Në këtë mënyrë i bëjnë apel komunitetit ndërkombëtar që të shpëtohen fëmijë, në vend të një pokemoni virtual. Fushata sensibilizuese u krijua nga një grup sirianësh, kundërshtarë të regjimit të Asadit. “Pokemon Go” vijon të thyejë rekorde çdo ditë duke u shkarkuar në miliona herë brenda pak ditëve. Madje përdoruesit kanë filluar të shpenzojnë më pak kohë në Facebook.

Ajo që pranohet nga shumë ekspertë është se loja virtuale tashme po ndryshon dinamikat e ndërveprimit në internet, stilin e jetesës së përdoruesve, deri edhe ekonominë globale në disa aspekte!
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: