Delegacionet e dy Koreve u takuan sot për të rënë dakord rreth detajeve të dërgimit nga Korea e Veriut të një trupe artistike në Lojërat Dimërore, të cilat do të zhvillohen muajin e ardhshëm në Korenë e Jugut. Detajet e pjesëmarrjes së Koresë së Veriut do të duhet të miratohen edhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

Takimi në fshatin kufitar Panmunjom pritej që të fokusohej në axhendën që do të ndjekë grupi i famshëm artistik Morabong, i përbërë krejtësisht nga gra koreanoveriore që thuhet se janë përzgjedhur personalisht nga Kim Jong Uni.

“Moti duket më i ngrohtë dhe mendoj se pranvera do të vijë më shpejt këtë vit. Ardhja e trupës tonë artistike në Jug do të jetë në momentin e duhur, kur lind pranvera plot ngrohtësi”, deklaroi kreu i delegacionit të Koresë së Veriut, Kwon Hyok-Bong, zyrtar i lartë i Ministrisë së Kulturës.

“Moti ka qenë tepër i ftohtë deri sot. Ashtu siç do të ngrohet moti, parashikoj se nga bisedimet e sotshme do të vijnë rezultate të mira”, tha kreu i delegacionit të Koresë së Jugut, Lee Woo-Sung.

Veriu ka njoftuar se në delegacionin e tyre në Lojërat Dimërore në Pjongçang do të ketë artistë, zyrtarë, gazetarë dhe sportistë. Palët njoftuan se kanë rënë dakort për një orkestër koreanoveriore prej 140 instrumentistësh, ndërsa po diskutohet ende mundësia e një ekipi hokei të përbashkët të femrave Jug – Veri.

Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut tha se përmasat e delegacionit të Koresë së Veriut do të përcaktohen më 20 janar, kur Korea e Veriut të takohet me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Kjo lëvizje pajtuese e Koresë së Veriut shikohet gjerësisht si një përpjekje për të lehtësuar tensionet e krijuar nga provat bërthamore dhe të raketave të zhvilluara vitin e kaluar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: