LONDER- Një këngë e papublikuar e muzikantit dhe kompozitorit britanik, George Harrison pritet të dalë në ankand këtë javë, si dhe një seri fotosh të pazbulura ndonjëherë të grupit “Beatles”.

Kënga “Hello Miss Mary Bee”, e vitit 1968, u shkrua për mikeshën e Harrison, Mary Bee, në të njëjtën periudhë kur doli në treg albumi i tij i parë solo “Wonderwall Music”.

Kënga është e regjistruar në një kasetë duke përfshirë edhe disa regjistrime alternative të hiteve të Beatles dhe disa letra të shkruara për Bee ndërsa Harrison ishte në Indi me gruan e tij, Pattie Boyd.

Gjithashtu, në ankand do të jenë në shitje edhe 70 filma negativ të pazbuluar më parë të grupit britanik të vitit 1967, pak kohë përpara vdekjes së menaxherit të tyre, Brian Epstein.

Artikujt pritet të shiten me një vlerë prej 15 000 paund (19 400 dollarë) në shtëpinë e ankandit ”Omega Auctions Beatles Memorabilia” në Warrington, pranë vendlindjes së ”Beatles” në Liverpool, më 11 shtator.

Drejtuesi i ankandit, Paul Fairweather tha se shitjet do të kishin një interes të madh në mbarë botën.

“Cilido fatlum që do të blejë koleksionin do të ketë një qasje ekskluzive në historinë e George si anëtar i ‘Beatles’ dhe si një artist solo”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: