Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Kolë Jakova” i bënë një surprizë të bukur kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe ish kapitenit të kombëtares, Lorik Cana, duke mbjellë 70 pemë selvie në oborrin e shkollës së tyre. Me dëshirën për t’iu bashkuar revolucionit të gjelbër që po ndodh në çdo cep të Tiranës dhe duke mbjellë pemë, fëmijët ia ndryshuan pamjen shkollës së tyre

Veliaj shprehu mirënjohjen që fëmijët iu bashkuan kësaj nisme, duke theksuar se angazhime të tilla janë demonstrimi më i mirë se ata do jenë qytetarë shumë të mirë nesër. “Revolucion i gjelbër i Tiranës po shkon, jo vetëm në sheshin “Skënderbej”, jo vetëm te Parku i Liqenit apo në rrugët kryesore të qytetit, por edhe këtu, në rrugën e fundit që ndan Tiranën me Kamzën. Jam shumë i lumtur që na janë bashkuar fëmijët më të mirë të qytetit tonë sepse ai që është i mirë, është i mirë në të gjitha: edhe del me dhjeta, edhe mbjell pemë, edhe është një qytetar i angazhuar”, tha ai.

Veliaj dhe Cana mbjellin peme ne shkollen Kol Jakova (2)

Ish-kapiteni i kombëtares, Lorik Cana vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve dhe ftoi të rinjtë që t’i bashkohen asaj, pasi kështu kontribuojnë për një të ardhme më të mirë. “Në shoqërinë dhe në vendin ku jetojmë, sa më shumë gjelbërim të ketë, aq më mirë do jemi si shoqëri, më të shëndetshëm. Nuk jemi vonë për ta bërë këtë. Nëse prindërit tanë, nëse ju, pra ne të gjithë bashkë, këtë lloj investimi e bëjmë për jetën tonë, por edhe për gjeneratat e tjera. Me nisma të tilla është bukur të bashkohen shumë njerëz dhe unë i inkurajoj që të ndjekin këtë shembull sa më shumë njerëz në shoqërinë tonë dhe në vendin tonë”, tha Cana.

Veliaj e falenderoi ish-kapitenin e kombëtares tonë të futbollit, një nga sportistët më të dashur për shqiptarët, Lorik Canën, i cili u bë pjesë e nismës. “Jemi shumë të lumtur që na është bashkuar kapiteni ynë, Lorik Cana. Unë besoj se ai që është kapiten dhe drejtues, që organizon shokët, e bën këtë në çdo fushë të jetës, jo vetëm në futboll. E bën këtë edhe në qytet, edhe në shoqëri, kështu që jam shumë i lumtur që Loriku u bashkua me ne sot në këtë fushatë”, shtoi kryebashkiaku.

Veliaj dhe Cana mbjellin peme ne shkollen Kol Jakova (3)

Ai shtoi se Cana është shembulli më i mirë se një sportist i mirë është dhe një qytetar i mirë. “Më vjen mirë që siç e ka dhënë shembullin si lojtar i mirë, besoj se na jep një shembull që është lojtar i mirë edhe në fushatat e tjera, siç është gjelbërimi i qytetit dhe mbjellja e pemëve. Të jam shumë mirënjohës edhe për shembullin që u japim fëmijëve për të qenë ambicioz dhe për të qenë të suksesshëm në talentin e tyre, por për të mos harruar kurrë atë që është detyra jonë kryesore dhe që është puna jonë kryesore, të qenit qytetar i mirë. Të faleminderit që je shok i mirë, kapiten i mirë dhe qytetar i mirë”, u shpreh Veliaj.

Veliaj dhe Cana mbjellin peme ne shkollen Kol Jakova (4)

Pemët u dhuruan nga organizata “World Vision”, e cila operon në zonën e Bregut të Lumit. Ajo dhuroi për Njësinë Administrative nr. 11, 70 pemë selvi, duke u bërë pjesë e revolucionit të gjelbër që po përjeton Tirana dhe për të inkurajuar çdo qytetar, sidomos të rinjtë, për të respektuar natyrën dhe të përfshihen në nisma vullnetare në dobi të komunitetit.

Veliaj dhe Cana mbjellin peme ne shkollen Kol Jakova (5)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb