TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim ka ngritur sot në nivel parlamentar shqetësimin për epideminë e fruthit në vend. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së edhe në seancë edhe jashtë saj tha se jemi në një situatë emergjence shëndetësore dhe nga ana e qeverisë dhe zinxhirit komandues të shëndetësisë ka një trajtim të papërgjegjshëm.

“Së pari po u them publikisht që kjo epidemi i mungon të gjitha elementeve të trajtimit të saj profesional e shkencor por edhe detyrimeve ligjore. Po ju bëj të ditur, mbase edhe këtyre që drejtojnë qeverinë iu intereson. Ka disa instrumente që kontrollojnë epideminë në një vend. Shpallja, deklarimi publik i fillimit të epidemisë është një akt publik”, tha Vasili në seancë.

Edhe jashtë sallës së parlamentit kreu i grupit apeloi për të kthyer në funksion zinxhirin e komandimit të trajtimit të një epidemie.

“Tashmë ka marrë pamjen e plotë të një epidemie, të një emergjence shëndetësore siç ligji e përcakton. Prita që kryeministri të shqetësohej për këtë emergjencë. Është një problem akoma më delikat se të tjerat. Nuk jam i surprizuar që s’pati asnjë lloj qëndrimi. Bëj publike edhe një herë se shëndetësia shqiptare ndodhet pa instrumentet e saj. Nuk funksionon komiteti i imunizimit, komiteti i çrrënjosjes së fruthit nuk ekziston. Shqipëria ka detyrime shumë të forta në detyrim të kontrollit. Rastet e reja vijojnë të shtohen. Sot ka pasur një rast tjetër nga Kukësi. Epidemitë tronditin themelet e shëndetësisë së një vendi. Ky është trajtimi më i papërgjegjshëm që unë kam parë jo si politikan po si punonjës i vjetër i shëndetit publik. Një papërgjegjshmëri e tillë nuk është parë në asnjë kohë, as në diktaturë. Mbase do të shërbente ky apeli i imi për të rikthyer vendosjen në funksion të zinxhirit të komandimit të trajtimit të një epidemie. Qeveria nuk ka kalkuluar se cili është numri i atyre që duhet të vaksinohen dhe nuk ka asnjë lekë mënjanë për trajtuar këtë emergjencë por nuk kursehen paratë për koncesione dhe gjëra të tjera”, deklaroi Vasili.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb