TIRANË-Deputeti i LSI-SË Luan Rama akuzoi sot kandidatin e opozitës për Bashkinë e Vorës Fiqiri Ismaili se ka shtuar 600 votues me kontrata false të nënshkruara nga i njëjti noter. Sipas deputetit Luan Rama, organizues i skemës së mësipërme është shoferi i kandidatit të opozitës për Bashkinë e Vorës, Fiqiri Ismaili.

 

“Ramiz Gjoka ish shofer i kryetarit të bashkisë veç anëtarëve të familjes së tij ka dhe 5 persona të tjerë në ngarkim me kontrata noteriale për të votuar në Vorë.  Të lemë  mënjanë teatralitetin. Këta votues janë të importuar asnjë nuk është nga Vora.”- u shpreh Luan Rama.

 

Menjëherë pas fjalës së deputeti Luan Raam në Kuvend ka reaguar Shtabi elektoral i kandidatit të Partisë Demokratike për bashkinë e Vorës, Fiqiri Ismaili. Ky i fundit hedh poshtë të gjitha akuzat dhe thekson se fushata po zhvillohet në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor.

 

“Ne e konsiderojmë shpifje të ulët pretendimin e Luan Ramës, sipas të cilit në bashkinë e Vorës janë bërë trasferime të zgjedhësve për qëllime elektorale. Çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë është i lirë të jetojë dhe të punojë, kudo ku ai plotëson dokumentacionin përkatës ligjor dhe në përputhje me procedurën e kërkuar nga ligji.

Konfirmojmë me përgjegjësi të plotë se, asnjë zgjedhës nuk është transferuar në bashkinë tonë në kundërshtim me procedurat ligjore dhe se gjithçka është trajtuar në përputhje me vullnetin e lirë të qytetarëve dhe të normave ligjore në fuqi.

 

Ndërkohë, e konsiderojmë si sulm të ulët që i bëhet fushatës sonë qytetare dhe një biznesi të ndershëm, pretendimet se kompania private e kandidatit Fiqiri Ismaili, po shpërndan miell për qëllime elektorale.

Gjithashtu, nëpërmjet kësaj deklarate jemi këtu për të denoncuar ndërhyrjen brutale të Policisë së Shtetit për të bllokuar aktivitetin normal të një biznesi, i cili është në përputhje të plotë me të gjitha ligjet dhe standardet e një vendi demokratik. “- thuhet në reagimin e shtabit të kandidatit të PD-së.

 

Më tej theksohet: “Për çdo fjalë të deklaratës së mësipërme jemi të gatshëm të vemë në dispozicion të shtypit dhe organeve kompetente të gjithë dokumentacionin që fakton se ndalimi i furgonëve të kompanisë private ka qenë një veprim tërësisht brutal dhe arbitrar, për të cilën është informuar edhe misionin e OSBE-ODHIR-it në Shqipëri.

Shtabi elektoral i kandiatit Fiqiri Ismaili i bën thirrje qeverisë dhe autoriteteve shtetërore që të ndalojnë fushatën e presionit dhe të shpifjeve ndaj opozitës në bashkinë Vorë dhe garanton qytetarët se asnjë nga këto sulme të ulëta nuk do ta ndalin fitoren tonë në zgjedhjet e 21 qershorit.”

 

 (a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: