TIRANE- Në një kohë kur kryeprokurorit Adriatik Llalla i mbaron mandati pas një muaj, debati që ka ‘mbërthyer’ kampet politike është fakti se kush do të jetë kreu i ri i Prokurorisë së Përgjithshme.

Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ Në “News24”, komentoi sugjerimin e OPDAT dhe EURALIUS, ku në rekomandimet e tyre thuhet qartë se si do të veprohet për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, që sipas gjasave do të jetë i përkohshëm.

Lubonja theksoi se kryeministri Edi Rama synon që të zgjedhë një prokuror me shumicë të thjeshtë, pasi kërkon që të ‘kapë’ drejtësinë.

Teksa qëndroi tek ideja e tij, Lubonja nënvizoi faktin se strategjia e Ramës është që të kontrollojë institucionet e drejtësisë. Po ashtu, Lubonja pohoi se i gjithë debati mes partive politike është një ‘luftë bandash’, për faktin se kush do ta kapë Prokurorinë, shkruan ‘BalkanWeb’

“Rama synon të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm me shumicë të thjeshtë. Ai ka strategji për të kontrolluar institucionet e drejtësisë. Për çudi, këtë versionin që kryeprokurori të jetë i përkohshëm e ka mbështetur edhe OPDAT dhe EURALIUS. Jam dakord që ai të ikë (Llalla). Por ky ‘i përkohshmi’, duhet të zgjidhet me kritere dhe të jetë i pranuar nga të gjitha palët. Këtë luftë e bëri opozita. Rama kishte si synim që ta kapte drejtësinë. Ajo reforma që u bë, ishte një grusht shteti në një farë mënyre. Me këtë lëvizje, është një lëvizje që do të krijojë shumë tension. Ku kemi dosjet e hapura, duam transparencë. Ku kemi dyshime se maxhoranca po mbron Tahirin. Jo vetëm që nuk krijon transparencë, por krijon idenë që drejtësia nuk i dihet se kur do të vij. Edhe prokurori Llalla nuk ishte me Berishën. Mos e kujtoni këtë. Visho Ajazai konsiderohej njeriu i Berishës. Por ai e caktoi në NATO (Rama). Ne nuk kemi qenë pas dere, por ama është e qartë që kemi një strategji për të kontrolluar institucionet. Edhe një prokurori dhe kryetari i SHISH, të Berishës, kur iku ky nga pushteti (Berisha), u kthyen me maxhorancës, dhe Ramën. Ky i do të gjitha plotësisht (Rama). Nuk ka ide që drejtësia të jetë e pavarur. Prova më e qartë është ajo që po ndodh me Saimir Tahirin. Ata bëjnë ‘luftë bandash’ me njëri tjetrin, se kush do ta kapë Prokurorinë. Por ne duam drejtësi.”, tha Lubonja.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb