Nga LORENC VANGJELI

Një javë mbas fillimit të protestës, kryetari i PD-së shpërtheu shumë fort. Ndryshe nga profili paqtor që ka demonstruar në 11 vjetët e fundit kur i dha portretin e tij politikës, Lulzim Basha në mesditën e të premtes luajti egër mbi lëkurën e daulleve të luftës. Fjala e tij, ndoshta më e ashpra e mbajtur në bulevardin e protestave, i kishte brenda të gjitha. Që nga grushtat tek zvarritja, nga durimi i mbaruar tek lufta e filluar, nga delet e kërcënuara të opozitës tek thertorja e “propozuar” e shumicës, nga qeveria teknike që do me ultimatum opozita deri tek qiqrat dhe helli i refuzuar, i qeverisë politike të Ramës.

Të enjten, me valën e zemërimit që po shumëfishohej në bulevard dhe me valën e përgjigjeve edhe negative, edhe tallesë që vinin nga zyrat e qeverisë për bulevardin, palët u duk sikur po masnin forcën e fjalëve dhe e kthyen hapur fjalën tek forca. Në mbrëmjen e Opinion-it të Fevziut, nga “parlamenti” i tij vetjak, Basha i ktheu monedhën Ramës, i cili nga parlamenti real i 2013-ës, kishte refuzuar më herët hellin për qiqrat që kërkon sipas tij opozita.

24 orë më pas, të premten, protesta në bulevard u radikalizua në ekstrem. Çfarë duhet të ishte një proces – garancia për zgjedhje të ndershme dhe të lira – u trajtua si një akt që duhet të ndodhë menjëherë. Si ultimatum!

24 orë më pas, përgjigja “bis” e Bashës është as më shumë dhe as më pak, por një akt klasik lufte. Duke mos qenë kurrë një Krisht, si gjithë të tjerët në politikën shqiptare, ai deklamoi si antikrishti: “Mos ktheni faqen tjetër kur ju godasin, por qëllojini me grusht!”

Jo për herë të parë dhe natyrisht jo për herë të fundit, palët u rreshtuan në skajet më të largëta nga njëra-tjetra: njëra palë kërkon gjithçka dhe pala tjetër nuk afron asgjë!

Në thelb ka ndodhur ajo që u paralajmërua. Lufta e nervave që po luhet në pak metra katrorë sipërfaqe në Tiranë, që përfshijnë trekëndëshin Kryeministri, Bulevard, Kuvend, ka fituar betejën e parë mbi nervat. Me gjasë, me shumë gjasë të tjerë kulme po përgatiten, e ndoshta të tjerë edhe mund të krijohen jashtë dëshirave partiake dhe përtej vullneteve politike.

Për momentin ngjan e pamundur të ketë një kompromis mes palëve sa kohë palët luajnë të njëjtin film të parë edhe herë të tjera; thirrjen nën armë të pjesëve më të ashpra të tyre. Atë lloj thirrjeje që mobilizon militantët, por largon qytetarët, që larton lojtarët në fushë, por relativizon “spektatorët” në tribunë.

Megjithatë, radikalizimi ekstrem, sado që ngjan se nuk afron zgjidhje, shpesh është fshirë dhe është harruar shpejt. Të njëjtin fat pati çadra epike e urisë së socialistëve në 2010-ën, që fundin e pati vetëm në zgjedhjet e 2013-ës, e me gjasë, të njëjtin epilog do të ketë në qershorin e zgjedhjeve, edhe protesta e PD-së.

Synimi kryesor i shpallur prej saj nuk kundërshtohet prej askujt. Garancia për zgjedhje të ndershme është edhe premtimi i Ramës, është ankthi i Bashës por edhe shqetësimi i pashpallur i Metës. Problemi është nëse zgjidhja për zgjedhjet vjen nga lufta dhe nxjerrja me tërheqje zvarrë nga zyrat apo nga hyrja në zyrën që duhej të bënte reformën elektorale? Kjo është dilema që të premten morri një përgjigje dëshpëruese.

Eshtë e qartë se ndaj PD-së do të shtohet presioni nga faktori ndërkombëtar për rikthim në parlament. Axhendat lokale shqiptare janë vështirësisht të kuptueshme në Bruksel dhe në Uashington. Dhe është e vështirë që kësaj rradhe, Brukseli sërish – për Uashingtonin nuk bëhet fjalë – të gjejë një “modus vivendi” për nxjerrjen e opozitës nga radikalizimi ekstrem. Siç bëri me opozitën socialiste me menunë e “Krokodilit”.  Zgjidhja për zgjedhjet ndodhet në Tiranë. Duke kuptuar përfundimisht se me standarte të cënuara të zgjedhjeve, do të humbisnin absolutisht të gjithë. Edhe Rama, edhe Meta, edhe Basha. Politikisht dhe personalisht. Duke nisur me kryeministrin që do të humbiste, madje shumë më shumë se Meta dhe Basha. Në rast manipulimi të zgjedhjeve, Rama mund të fitonte ca deputetë më shumë, por do të humbiste legjitimitetin moral. Ndoshta deri në atë masë që nuk mund të parashikohet se çfarë mund të ndodhte dhe me legjitimitetin e mëpasshëm institucional të tij.

Sot Tirana është më e paqartë se dje. E vetmja dritë që mbetet ende pezull dhe e ndezur është se në demokracinë evropiane, që tentohet të importohet në Shqipëri, zgjidhja gjendet jo në daullet e luftës, por në tryezat e bisedimeve. Lufta është si një shpërthim tritoli në turmë. Tritoli dëmton këdo që gjen përpara, pavarësisht moshës, gjinisë, besimit fetar apo ngjyrës politike. Tritoli shkatërron shumëçka dhe kthen pas gjithçka. Tritoli godet egër dhe nuk le kohë as për kthimin e faqes tjetër në kapitullin e integrimit. Thjesht sepse nuk ka më kohë. Dhe pastaj nuk dihet se për sa stinë të tjera, në listën e mungesave në Tiranë, do të shënohet edhe helli, ndërsa fati i qiqrave do të vazhdojë të jetë i njëjti dhe i paracaktuar: nuk do të piqen mbi hell! Helli ka edhe punë të tjera. /JavaNews/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb