TIRANE- Kuvendi miratoi të enjten me 89 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim marrëveshjen me qeverinë e SHBA-së që parashikon shkëmbimin e informacionit për verifikimin e terrorizmit dhe rritjen e efikasitetit në luftën kundër tij. Marrëveshja, e nënshkruar në prill 2016, synon t’i sigurojë akses palëve në informacionin për identifikimin e individëve që njihen ose dyshohen të jenë përfshirë në veprimtari që lidhen me terrorizmin.

Hyrja në fuqi e marrëveshjes do të mundësojë rritjen e efikasitetit të agjencive ligjzbatuese për t`u mbrojtur nga aktet e terrorizmit, si dhe goditjen e personave për të cilët ka të dhëna që janë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Shqipëria është e para nga vendet e rajonit me të cilën SHBA nënshkruan një marrëveshje të tillë. Pala shqiptare ka nënshkruar 16 marrëveshje të ngjashme me vende të tjera në kuadër të luftës kundër terrorizmit.

Gjatë diskutimit në parim të këtij akti, kryetarja e komisionit të Jashtëm, Arta Dade e vlerësoi marrëveshjen me qeverinë amerikane si një akt shumë të rëndësishëm, në kuadër të kontributit që jep vendi ynë si pjesë e koalicionit të gjerë antiterror. Në emër të grupit të LSI-së, deputeti Luan Rama e konsideroi marrëveshjen me palën amerikane si një kontribut të shquar në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, e cila zgjerohet tashmë edhe në fushën e shkëmbimit të informacionit për verifikimin e terrorizmit.

Për shumë arsye, nënvizoi Rama, marrëdhëniet me SHBA-në janë strategjike, ndaj e gjej të udhës t’u sugjeroj me shumë politesë zyrtarëve tanë, që të mos e konsumojnë, vend e pa vend, togfjalëshin ”partner strategjik’,’ se dëshmojnë mungesë respekti për partnerët e vërtetë strategjikë, nga ata të rëndësishmit ose më pak të tillë. Për Shqipërinë është përgjegjësi dhe zgjedhje e menduar partneriteti strategjik me SHBA-ne, ndaj të sillemi si të tillë, seriozë edhe në etikën politike, vërejti ai. Gjithashtu, Kuvendi miratoi sot me 69 vota pro dhe 14 vota kundër projektligjin tjetër “Për kontrollin kufitar.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: