(Në përditësim)

GJIROKASTER- Një vit pasi Policia e Shtetit vuri në kontroll fshatin rebel të Lazaratit që kultivonte ilegalisht lëndë narkotike, shënohet një tjetër incident i rëndë, duke kthyer atje gjendjen e luftës.

Një polic i forcave RENEA ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë nga pjesa e sipërme e fshatit, aty ku prej mbrëmjes së djeshme kishin nisur të shtënat.

Burimet zyrtare të policisë bëjnë e dije se, “Herët në mëngjes, Policia lokale, FNSH dhe RENEA kanë filluar një operacion për kapjen e personave që kishin qëlluar me armë. Gjatë operacionit, në momentin që Policia kishte bllokuar makinën me autorët e dyshuar e të armatosur, është qëlluar mbi efektivat nga një banesë aty pranë”.

Për pasojë ka humbur jetën efektivi i forcave speciale RENEA, Ibrahim Basha. Efektivi Ibrahim Basha është qëlluar me plumb në kokë. Basha më herët ka qënë efektiv i forcave Komando. Gjithashtu nga sulmi i personave të armatosur, janë plagosur edhe 2 policë të RENEA-s, Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj.

Drejt tyre u qëllu me artileri të rëndë, snajperë e automatikë nga pjesa e sipërme e fshatit, siç raportoi gazetari i News 24, Spartak Koka.Sipas tij janë 10 apo 15 personat që hapën zjarr.

Mësohet se njëri prej efektivëve të plagosur ndodhet në gjendje më të rëndë, ndërsa të dy u transportuan drejt Tiranës me helikopter. Njëri prej tyre mori plagë në kokë, tjetri në shpatull dhe pritet ti nështrohen ndërhyrjeve të specializuara kirurgjikale.

Paraprakisht thuhet se të dy janë jashtë rrezikut për jetën. Pikërisht kjo situatë ka çuar në shtimin e forcave të policisë, FNSH dhe RENEA, nga të gjitha qytetet e tjera për të vënë në kontroll situatën e krijuar në Lazarat. Raportohet se dy orë pasi ndodhi ngjarja, nga qendra e fshatit dëgjohen sërish të shtëna, ndërsa raportohet se policia ka arritur të deportojë brenda fshatit.

Krerët më të lartë të policisë, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Kryeprokurori Adriatik Llalla janë nisur drejt Lazaratit, për të ndjekur situatën nga afër. Fillimisht u raportua se shkak për rebelimin e lazaratasve është bërë rezultati i zgjedhjeve në Gjirokastër, ku fitoi e majta.

Gazetarja e News24 në Gjirkastër, Brikena Meta raportoi se lazaratasit që mbështetën fuqimisht të djathtën kanë pasur pritshmëri që të fitonte APPD-ja.

DEL NGA MORGU DHE NISET DREJT BANESËS TRUPI I PAJETË I EFEKTIVIT TË RENEA-S
Ora 19:00-Pasi i është nënshtruar ekspertizës mjeko ligjore trupi i pajetë i efektivit të RENEA-s ka dalë nga morgu dhe u është dorëzuar familjarëve. Familja e 31-vjeçarit Ibrahim Basha ka hapur prej mëngjesit të sotëm dyert e mortit.

RRETH 400 FORCA TË POLICISË KANË RRETHUAR LAZARATIN
Ora 16:50-Rreth 400 forca të policisë kanë rrethuar Lazaratin. Në fshat tashmë ndodhen forcat RENEA, FNSH si dhe efektivë të policisë lokale. Forcat speciale janë pozicionuar dhe po mbajnë në vëzhgim situatën. Në pikat hyrëse dhe dalëse janë ngritur postblloqe.

MBËRRIN NË MORG NË TIRANË TRUPI I 31 -VJEÇARIT
Ora 16:20-Trupi i efektivit të RENEA-s ka mbërritur pasditen e sotme në morgun e kryeqytetit. Të afërmit po presin jashtë morgut për të tërhequr trupin e pajetë dhe për të zhvilluar më tej ceremoninë mortore në banesën e tij. Një nga të afërmit kërkon që të merren masa ndaj personave që kanë qëlluar në drejtim të policisë.

“Jemi shumë të tronditur. Këtu ndodhemi për të tërhequr trupin. Në Gjirokastër u dërgua në spital por rrugës ka humbur jetën. Nuk kemi ndonjë informacion të saktë.

Jemi lidhur me personelin po presim të bëhet disa veprime mjeko ligjore. Nuk e di çfarë mund të themi është humbje e madhe, urojmë të mbyllet me kaq dhe të vendoset dorë mbi këta kriminelë.”- shprehet një nga të afërmit e efektivit të RENEA-s.

BASHA VIZITON DY EFEKTIVET E PLAGOSUR
Ora 13:40- Kryedemokrati Lulzim Basha vizitoi sot dy efektivët e RENEA-s të plagosur në operacionin e Lazaratit dhe ngushëlloi familjen e efektivit të vrarë Ibrahim Basha. Kru i PD-së shoqërohej nga deputetët Arben Ristani dhe Flamur Noka.

MINISTRI TAHIRI NISET DREJT GJIROKASTRËS
Ora 13:50 -Pas vizitës në spital të dy efektivëve të plagosur, ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri është nisur me urgjencë niset drejt Gjirokastrës (me makinë). Si fillim u raportua se ministri Tahiri do të nisej direkt drejt Gjirokastrës.

BURGAJ: AUTORËT TË VIHEN PARA DREJTËSISË!
Ora 13:31- Ish kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka vizituar sot oficerët e plagosur në Lazarat, ndërsa ka kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe vënien e autorëve para drejtësisë. “Përkrahje Policisë së Shtetit, shërim të shpejtë efektivëve. Të kapen autorët dhe të vihen para drejtësisë”.

KUSHËRIRI I JETMIR ISAJT: E MORËM VESH NGA NEWS24, NUK E KEMI PARË ENDE
Ora 13:27- Djali i tezes së një prej efektivëve të plagosur, Jetmir Isajt tha për News24 se nuk kanë takuar ende pasi ndodhet nën vëzhgimin e mjekëve. Ai tha se ngjarjen e kanë marrë vesh nga Neës24, ndërsa ka treguar se Jetmiri ka një vajzë 8 vjeçe dhe një djalë 1 vjeç.

KREU I SHISH, VISHO AJAZI VIZITON EFEKTIVËT E PLAGOSUR
Ora 13:27-
Kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit, Visho Ajazi ka vizituar sot dy efektivët e plagosur, të cilët po marrin mjekim në spitalin e Traumës. Sapo ka dal nga ambientet e spitalit, Ajazi nuk ka pranuar të jap asnjë koment para mediave.

MJEKU: TË DY EFEKTIVËT JASHTË RREZIKUT, NUK KANË NEVOJË PËR NDËRHYRJE
Ora 13:00 – Mjekët e Qendrës Spitalore të Traumës kanë dhënë lajme të mira për gjendjen fizike të dy efektivëve të plagosur. Sipas Drejtorit të Politraumës, të dy policët janë jashtë rrezikut për jetën dhe nuk kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. “Parametra normalë, u ekzaminuan të dy për plagët dhe nuk do kenë asnjë konsekuencë. Janë jashtë rrezikut për jetën nuk do kenë nevojë për ndërhyrje. Janë të vetëdijshëm. Efektivi i plagosur në kokë e ka plagë sipërfaqësore. Nuk ka dëmtuar kockën”, tha mjeku.

POLICIA BLLOKON NJË AUTOMJET ME ARMË DHE FISHKË, SHOQËROHET DREJTUESI
Ora 12:29- Gjatë kontrollit të ushtruar në brendësi të fshatit, policia ka gjetur dhe sekuestruar në automjet, ndërsa ka shoqëruar dhe drejtuesi i tij me inicialet XH.M. Në automjetin tip “Benz”, ngjyrë e bardhe u gjetën 2 pushkë, një kallashnikovë. Po ashtu është bllokuar një granatë, një kasetë me fishkë, një këmbëz mitralozi, 3 celularë dhe 3 qese farmaceutike me kokainë.

“Në dt. 24.06.2015 ora 02:30 në fshatin Lazarat forcat e FNSH të cilat ishin të planizuara me shërbim në vendin e quajtur “Kazinoja” mbi ish Pularinë tek kryqëzimi që të çon në lagjen Lenxatë, si dhe të grupit që ishte me shërbim te kryqëzimi i përroit të Kordhocës janë qëlluar me armë zjarri nga drejtimi i qëndrës së fshatit Lazarat nga persona të pa identifikuar. Po kështu në orën 04:44 grupi tjetër i FNSH që ishte me shërbim në vendin e quajtur “Furra e bukës” Kordhocë njoftoi se nga qëndra e fshatit Lazarat ka të shtëna me armë zjarri. Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër u ngrit grupi i drejtimit dhe u morrën masa për mbajtjen në rrethim të grupit të armatosur. Në bashkëpunim me forcat e ardhura nga Drejtoria e Përgjithshme u bë plani i operacionit për kapjen e persnave të cilët kanë qëlluar forcat e policisë. Me ardhjen e forcave RENEA në orën 09:00 filloi operacioni për kapjen e grupit e personave te armatosur të cilët kanë qëlluar në drejtim të forcave të policisë, i cili mbahej në rrethim nga forcat e Drejtorisë Policisë Qarkut Gjirokastër. Gjatë operacioni për kapjen e këtyre personave, 200 metra nga rruga që të çon për në qendër të komunës u kostatua një automjet benc i bardhë pa targa, i cili mbahej në vëzhgim nga shërbimet e policisë. U bë neutralizimi i drejtuesit të mjetit i cili është shtetasi Xhulio Ilirjan Malo dhe u kërkua ardhja e forcave të tjera të RENEA me mjetin tip Volcvagen me targa MB 060 AA, ku në fërsi të vendit të quajtur “Pularia” në drejtim të këtij automjeti është qëlluar me breshëri armësh, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur tre efektivë të policisë të repartit RENEA, ku punojësi i policisë Ibrahim Basha si pasojë e plagëve të marra gjatë rrugës në drejtim të Spitalit Rajonal Gjirokastër ka gjetur vdekjen, ndërsa punojësit e policisë J. I. dhe P. H. janë çuar në Spitalit Rajonal Gjirokastër dhe më pas janë transportuar me helikopter në Tiranë per një trajtim më të specializuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Nga grupet e ndërhyrjes është bërë shoqërimi i automjetit tip benc i bardhe së bashku me drejtuesin e tij Xhuliano Malo. Gjatë këqyrjes së automjetit në ambientet e Drejtorisë së Policisë Gjirokastër në këtë automjet janë gjetur, një arsenal armësh: Një automatik kallashnikov,një pushkë model 63, një pushkë model 56, tre gëzhoja të qitura model 56, një ndezës, një granatë e armatosur, një këmbëz mitralozi, një thes lini e mbushur me fishek të kalibrave të ndryshëm ndër ta edhe fishekë mitrolozi, një kasetë fishekësh me disa krehra, katër kallëpe tritol, disa fishek 12.7 mm, dy radio komunikimi dhënëse marrëse për distancë deri në 5 km, tre aparate celulare si dhe tre qese farmaceutike të dyshuara si KOKAIN. Gjithashtu po gjatë kësaj kohe është bërë shoqërimi edhe i 7 shtetasve të tjerë nga fshati Lazarat për të parë kanë lidhje me ngjarjen apo jo. Ndërkohë forcat e policisë mbajnë në vëzhgim grupin e armatosur që ndodhet te ish Pularia në fshatin Lazarat. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur është hartuar një plan opereacional , për të bërë të mundur kapjen e personave të armatosur që qëlluan punonjësit e policisë. Në ndihmë të forcave të policisë kanë mbritur grupe të tjera të fnsh dhe të Reneas si dhe janë angazhuar dy helikopterë të ushtrisë për të transportuar forcat e policisë. Në drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ka mbritur Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Cako , Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Altin Qato , Prokurori i Krimve të Rënda Andan Zholi, si dhe ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Krimeve të Rënda. Po vijon operacioni për kapjen e personave të armatosur. Policia është e vendosur për të zbatuar rrepësisht ligjin për kapjen dhe çuar para drejtësisë të gjithë ata persona që goditën punonjësit e policisë dhe nuk do të ketë kthim mbrapa apo tërheqje të Policisë. Materialet për këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë për veprën penale “Vrasja e punonjësve te policisë” ne bashkëpunim parashikuar nga nenet 79/b, e 25 te K.Penal”.

CAKO MBËRRIN NË AMBIENTET E DREJTORISË SË POLICISË SË GJIROKASTRËS
Ora 12:24- Drejtori i Përgjithshëm Policisë së Shtetit, Haki Dako ka mbërritur në ambientet te Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës. Sakaq, pritet të mbërrijë dhe ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri dhe prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

KRYEMINISTRI RAMA VIZITON TË PLAGOSURIT TEK SPITALI I TRAUMËS
Ora 12:21- Kryeministri Edi Rama mbërriti pas pak çastesh në ambientet e Spitalit të Traumës në kryeqytet, ku do të vizitojë nga afër dy efektivët e plagosur. Rama shoqërohej nga ministriat Beqaj e Tahiri.

RRUGA NACIONALE VIJON QARKULLIMIN NORMAL
Ora 12:17- Qarkullimi në rrugën kryesore të fshatit ka qenë normal, pasi në këtë zonë janë parë të lëvizin dhe gra me fëmijë. Mësohet se dhe qarkullimi në rrugët nacionale ka vijuar si normalisht dhe nuk ka pasur asnjë problem.

MBËRRIJNË NË SPITALIN USHTRARAK OFICERËT E PLAGOSUR NË LAZARAT
Ora 12:05- Është dashur 25 minuta që helikopteri i MSH-së që transportonte trupat e oficerëve të plagosur të vinte në kryeqytet, në Spitalin e Traumës aty ku pritet t’i nënshtrohen ndihmës më të specializuar.

RINISIN TË SHTËNAT ME ARMË NË LAZARAT
Ora 12:00- Postblloqet e policisë janë vendosur në pikat hyrëse të fshatit, por sërish dëgjohen të shtëna. Përgjatë rrugës ka forca policie, po ashtu dhe brenda fshatit Lazarat, grupi zjarrit vijon të qëllojë nga qendra e fshatit.

EFEKTIVËT E PLAGOSUR TRANSPORTOHEN ME HELIKOPER
Ora 11:20- Niset nga Gjirokastra helikopteri që transporton dy oficerët e RENEA. Me sa duket njëri prej të plagosurve është rëndë nuk mund të lëvizte, ndërkohë që tjetri dukej në gjendje disi më të mirë.

POLICIA SQARON NGJARJEN
Ora 11:13- Gjatë natës së kaluar, një grup personash të armatosur ka qëlluar me armë në drejtim të shërbimeve të Policisë së Shtetit që kryejnë shërbim në fshatin Lazarat, në Gjirokastër. Herët në mëngjes, Policia lokale, FNSH dhe RENEA kanë filluar një operacion për kapjen e personave që kishin qëlluar me armë. Gjatë operacionit, në momentin që Policia kishte bllokuar makinën me autorët e dyshuar e të armatosur, është qëlluar mbi efektivat nga një banesë aty pranë. Për pasojë ka humbur jetën efektivi i forcave speciale RENEA, Ibrahim Basha. Gjithashtu nga sulmi i personave të armatosur, janë plagosur edhe 2 policë të RENEA-s, me iniciale J.I. dhe P.H., të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore dhe jashtë rrezikut për jetën. Drejt Lazaratit janë nisur forca të shumta policore, si edhe Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako.

TAHIRI DREJT LAZARATIT
Ora 11:00- Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i shoqëruar nga prokuroria Adnan Xholi janë nisur me urgjencë drejt Lazaratit. Ministri Tahiri ka vendosur të ndjekë nga afër situatën atje me një bilanc të rëndë për strukturat e rendit, pasi një oficer i RENEA­s mbeti viktimë e ‘luftës’ me banorët e fshatit rebel.

LAZARATASIT VIJOJNË TË SHTËNAT ME ARMË
Ora 10:51- Të shtëna në Lazarat. Raportohet se banorët nga brenda fshatit po qëllojnë me armë drejt postbllokut që policia ka vendosur në hyrje të fshatit.

MBERRIN HELIKOPTERI I MB, PRITET TRANSPORTIMI I TE PLAGOSURVE
Ora 10:47- Helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë mbërrin në Gjirokastër. Pritet transportimi i oficerëve të plagosur dhe trupi i pajetë i Ibrahim Bashës, për një ekzaminim

IDENTIFIKOHET EFEKTIVI I RENEA-S, I VRARË NË LAZARAT

Ora 10-32- Policia a identifikuar efektivin e vrarë të RENEA-s. Ai është Ibrahim Basha, 31-vjeç banues në Tiranë. Vrasja e tij ndodhi gjatë aksionit të policisë në Lazarat.
(ma.ar/ed.me/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: