Nga: MOIKOM ZEQO*
De Rada në shënimet e tij estetike flet me admirim të madh për Danten. Dhe s’ka se si të ishte ndryshe! Dantja është poeti më i madh dhe më i pazëvendësueshëm në kohëra i Europës mesjetare. Vlera e Dantes është universale. Një miku i De Radës, Domeniko Mauri, ka shkruar një vepër kritike të jashtëzakonshme për krijimtarinë e Dantes. De Rada, pa dyshim e ka lexuar atë. Por ajo që nuk mund të anashkalohet dhe që flet konkretisht edhe si shëmbëlltyrë, është se De Rada, në librin e botuar prej tij të quajtur “Antologjia shqipe”, ka përfshirë midis të tjerash edhe këngën e parë të “Ferrit” nga “Komedia Hyjnore” e Dante Aligerit, përkthyer shqip dhe arbërisht, sipas së folmes së Palagorios nga Luigji Lorekio, i njohur në letërsinë arbëreshe si poet, kritik letrar, publicist dhe përkthyes. Ky me pseudonimin Lulor, siç shkruan dijetari i paharruar, deradologu i shquar Jup Kastrati, ka qenë bashkëpunëtor i së përkohshmes “Kombi shqiptar” (La Nacione Albaneze), “Shqipëria e re” (La Nuova Albania) etj. Luigji Lorekio ka përkthyer në italisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Lorekio për herë të parë në kulturën tonë ka përkthyer një këngë të Dantes. Për Danten ka pasur interes nga një numër i madh përkthyesish, por është pikërisht përkthyesi gjenial Pashko Gjeçi që përktheu tërë “Komedinë Hyjnore”, duke na lënë një monument të pashembullt linguistik dhe poetik. Por, Lorekio është i pari dhe, duke qenë i pari, tregon hershmërinë e interesit për Danten. De Rada e ka shoqëruar përkthimin e Luigji Lorekios me këtë shënim: “Me kaq ky përkthim prej italishtes, qoftë sepse është bërë në të folmen shqipe të një kantoni arbëresh që, megjithëse i largët nga të tjerët, na tregon qëndresën ruajtëse, konservuese të gjuhës, në një mërgim kaq të gjatë, brez pas brezi, qoftë edhe sepse i përket një zotërie të zgjedhur, nga një familje tashmë, prijëse për autonominë kombëtare që po agon; kjo sepse ky shqipërim rri si një gur krahasimi në mes të poezisë së lashtë në flatra dhe të zhdërvjelltë dhe që ka gjurmën e shekullit në lëndën e saj të papërkulshme të gjuhëve, thelbësisht ritmike, dhe të hapit të ngadalshëm që e bën të rëndë ecjen e strofave dhe të tresheve të menduara dhe të shtrënguara ndër rima dhe, në mes të kaq frymëzimeve të lira, të kapura pas çastit të vet, Kënga e Dantes na jep pothuajse një vijimësi brezash që e ndalojnë mendjen dhe prej saj reflektojnë ndjenjë”.
Shqipërimi i Dantes nga Lorekio u ribotua më 1848 nga Maksimilian Lamberci. Dijetari dr. G.T. Gangale, në mënyrë të thukët dhe të thellë vërteton se De Rada ka ndërhyrë në përkthimin e Dantes të Luigji Lorekës, duke bërë edhe ndërrime arbitrare. Kështu, Gangale në një botim të Institutit të Gjuhësisë të Universitetit të Kopenhagenit më 1970 ka treguar në mënyrë të saktë se ndryshimet e bëra nga De Rada në përkthimin e Lorekios tregojnë se autoriteti i De Radës qe edhe i madh, por edhe pak arbitrar. Ky dijetar ka botuar studimin kritik dhe analitik në gjermanisht me një komentar të varianteve dhe disa shtojca ku shkrimi autentik i Luigji Lorekios me atë të botuar nga De Rada kanë ndryshime. De Rada që në fillimet e tij është i ndikuar nga tercina danteske. Poema e tij në italisht “Odiseu” u shkrua në tercina. Por më pas, ai e rishkroi në vargje të bardha. Për De Radën Dantja është kryepoeti i kohërave. Dhe në të vërtetë ashtu është Dantja! Por ndikimi i Dantes te De Rada në të vërtetë ka qenë formal. De Rada i braktisi tercinat si formë poetike dhe bëri shumë mirë. De Rada shkëlqeu në këngët pa rimë, që quhen sipas një terminologjie jo shumë bindëse si vargje të bardha. Prozodia e vargjeve të bardha arbëreshe ka një sens të lirë. Ritmika e tyre është e përshtatur. Është vijuese për të krijuar diçka komplementare në tërësinë e vet të vargjeve, më tepër si lidhje dhe vijimësi ideje sesa si struktura ritmike në vetvete. Në të gjitha kuptimet stilistikore moderne, të ashtuquajturat vargje të bardha të De Radës, me lirinë e tyre të madhe të improvizimit dhe të karakterit konciz të kujtojnë më shumë vargun e lirë dhe janë më afër vargut të lirë sesa vargjet e strukturuara gjeometrikisht dhe të rimuara mizorisht. Kështu, karakteri formal i prozodisë deradiane është më konvencional sesa duket. Domethënë e kapërcen konvencionalitetin me një lehtësi të habitshme. De Rada, ndër të gjithë poetët e Rilindjes Kombëtare, por edhe të epokës së Romantizmit shqiptar, është i vetmi kryemjeshtër, i pakrahasueshëm me të tjerët, që krijon me vargjet e bardha, mrekulli poetike. Një studim i veçantë stilistikor për poezinë shqipe do të ishte ai që do të studionte poezinë ritmike me rima dhe poezinë aritmike pa rima. Poezia aritmike me rima kërkon një kultivim shpesh skrupuloz, por dhe sipërfaqësor të formës. Pothuajse disa poetë të mëdhenj shqiptarë, si Zef Serembe, Naim Frashëri, Mjeda dhe Lasgush Poradeci i përkasin gjedhes së poezisë së gjeometrizuar me rima, pra, poezisë strukturore të përsosur, ku simetria është një ligj parësor. Kjo poezi është përherë tingëllore për shkak të rimave dhe të kujton më tepër një zhanër muzikor. Poezia me rima ka përparësitë e veta, por kjo nuk do të thotë se brendia dhe kuptimshmëria e këtyre poezive të rimuara që zotërojnë përgjithësisht traditën poetike shqiptare është kurdoherë goditëse, marramendëse dhe e fuqishme. Nga natyra e vet e përputhjes tingëllore rima është një shtrëngim, pra është edhe një kufizim. Rima, është shpikur që ritmi të tingëllojë dhe vargjet të kenë një binjakëzim tingëllor. Por, ky formalizëm i stimuluar nuk është përherë poezia në vetvete. Pas kaq kohësh, ne mund të vërejmë me një habi të vërtetë se si prirja poetike e De Radës në thelb është shumë herë më moderne. De Rada, duke mos treguar një interes totemik dhe të përkushtuar ndaj rimave (janë shumë të pakta poezitë me rimë që ka shkruar De Rada, dhe natyrisht nuk janë më të mirat), në formulimin e vargjeve të njëpasnjëshme i jep shumë rëndësi lirisë së ideve dhe imazheve të ndërlidhura pa ndërmjetës formalë, siç janë rimat. Poezia botërore e shekullit XX vërteton pikërisht këtë përvojë. De Rada është më përpara të gjithë poetëve shqiptarë në kohëra me mënyrën e përzgjedhur të tij të stilit dhe të poetikës të prozodisë poetike. Askush si De Rada në poezinë shqipe nuk e zotëron këtë mjeshtëri. Është e vërtetë që edhe De Rada u imitua nga të tjerët. Fjala vjen nga Zef Sqiroi. Por Zef Sqiroi nuk ka shkëlqimin e paarritshëm të stilit të De Radës. Me varg të bardhë ka shkruar “Këngën e sprasme të Balës” dhe Gavril Dara i Riu. Por, liria krijuese dhe raporti imazhinist dhe lakonik midis vargjeve që është te De Rada nuk mund të vërehet te vepra e mësipërme.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: