Nga Kiço BLUSHI

Ka një shqetësim në rritje të opinionit publik për situatën e vështirë, pas zgjedhjeve, në të cilën ndodhet opozita, konkretisht PD-ja. Përçarjet, grindjet, mosmarrëveshjet, të përjashtuarit, të pakënaqurit, qejfmbeturit, kundërshtarët, “karrigethyerit”, fraksionistët… nuk janë dukuri specifike vetëm e PD-së së sotme, po edhe e PS-së së djeshme, pas rënies në opozitë. Shprehje e kësaj krize të thiktë ishte edhe mbledhja e fundit e kryesisë së “Republikës së re”, ku nuk munguan kërleshjet e kanosjet e ku kryetar Basha nuk mundi të bënte dot zap taborin me deklaratat “Sa të jem unë kryetar, nuk ka fraksione”… dhe “Kush është kundër, bën lojën e Ramës”…, ndaj le “të dalë jashtë gardhit!”…

Humbja përsëdyti për të rimarrë pushtetin, pas mburrjeve dhe premtimeve të bujshme për “fitore të sigurt” dhe “unë do të jem kryeministri i ekonomisë”…, është kafshatë e vështirë për t’u kapërdirë, ndaj është e pashmangshme të mos shoqërohet me kësi zhgënjimesh e konfliktesh hemorragjike brenda partisë.

Partitë evropiane, me demokraci të brendshme, këtë situatë të kolokrepsur e kapërcejnë duke ndërruar jo vetëm kuajt e karrocës, po edhe karrocierin, ata që sot quhen lidership, pse jo, edhe rrugën e gabuar, kur kjo konsiderohet e tillë pas analizës. Pas këtij operacioni fillon ringritja, ringjallja e besimit, motivimi i anëtarësisë e më pas edhe i zgjedhësve.

Por as te “Rilindja” dhe as te “Republika e re” nuk ka ndodhur kështu. Kryetarët humbës nuk kanë dhënë dorëheqje, duke u justifikuar me vjedhjet e votave e me bojkot, me greva urie e çadra politike të ngritura para Kryeministrisë, të cilat shërbyen më së tepri për të përforcuar pozicionet komanduese të Njëshit në parti nëpërmjet përjashtimit, eliminimit e izolimit të “zërave ndryshe”, të grupeve antiparti “të shitur” te armiku, se sa triumfit të “kauzës” dhe mposhtjes së kundërshtarit…

A nuk tallej me çadrën socialiste nga dritaret e Kryeministrisë Berisha, si bëri më pas edhe Rama? Ç’përfitim, në fund të fundit, sollën këto dy çadra “revolucionare”, përveç shtysës për afirmim dhe konsolidim të dy kryetarëve, të dobësuar e të rrezikuar nga humbja, nga statuti dhe nga morali politik? Kurrgjë. Ndaj, për të mbijetuar, kryehumbësit bënë të pamundurën e të pabërën të shpalleshin të pazëvendësueshëm e të pakonkurrueshëm, dmth. të pranoheshin për Dumbabë të partisë. Sepse në vendin tim e në vendin tënd, kryetari i partisë të çmend… vetëm po të jetë bërë Dumbabë!

Për këtë qëllim rrëmbushen forumet e partive me rishtarë zëvendësonjës të përzgjedhur “me sitë” nga gjerbulla e anonimatit, rëndom nga nëpunësia e Bashkisë së Tiranës. Detyrimisht këta liderë të rinj duhet të jenë çupërlina simpatike, ose ca burra zakonisht më të shkurtër e më pak karizmatikë se kryetari… Pavarësisht nga bindjet, meritat dhe aftësia, nderin e karrierës së beftë ata nuk janë të detyruar t’ia kenë për borxh partisë, forumeve, garës, votës së anëtarësisë, po Dumbabës së partisë… Të gjithë lipset të plotësojnë këtë kriter bazik, të trashëguar nga hoxhizmi: të japin prova se janë të gatshëm “të varrosen” politikisht bashkë me faraonin e partisë, me kryetarin… Përndryshe do të damkosen si mosmirënjohës, tradhtarë. A nuk e ka huazuar, ndjekur e kopjuar Basha këtë model e këtë praktikë jostatuore nga Rama? Po Rama a nuk e ka huazuar dumbabizmin nga Berisha?

E megjithatë, si po duken bathët, Basha nuk do të bëhet dot Dumbabë! Jo se nuk e dëshiron, por se nuk mundet.

Dhe pyetja është: Përse Rama mundi dhe Basha jo? Kur të dy përdorën të njëjtën metodologji për t’u çimentuar në parti? Kur të dy, njëjtësoj i rrëmbushën forumet e partive me rishtarë të sjellë nga periferia e inteligjencës, me listakë lepepeqe, të cilët hiçaspak nuk i vret ndërgjegjja kur përdoren si “mish për top”, edhe para kamerave? Kur, në çdo rast nevoje, të dy kryetarët i përdorin “listakët” si trupa të gatshëm, si shumatorë votash në Asamble e në Kryesi, si mercenarë që shërbejnë me qejf e përkushtim herë si kamikazë, herë si mburojë e herë si skifterë? Kur dihet që në historinë tonë moderne me kësish mercenarësh e puthadorësh Dumbabët janë vetëshpallur “të përjetshëm” e “të pazëvendësueshëm” duke na sunduar gjatë, disa dhjetëvjeçarë, pa u hyrë, së gjalli, gjemb në këmbë?

***

Vështirë të kundërshtohem po të them se Rama ka mundur të bëhet në PS e në qeverisje një farë Dumbabë modern, falë aftësisë së lindur për të dominuar opinionin publik me çdo kusht e me çdo mjet, për të ushtruar trysni e për të bërë domosdo efekt, për të tërhequr zvarrë vëmendjen popullore, mundësisht edhe botërore, nëpërmjet trillit, thyerjes së protokollit, veshjes, atleteve “Addidas”, fasadave, pedonaleve, palmave, batutave shpotitëse e befasonjëse, arrogancës e harbutërisë, ushtrimit të forcës dhe dhunës ndaj më të dobëtit, sarkazmës, fejsbukut dhe përdorimit pa limit e pa fre të mediave…

Kurse Basha, në të kundërt, edhe pse synon të ndjekë të njëjtën udhë e metodë, me sa duket e ka të vështirë, ndoshta edhe të pamundur të tërheqë të njëjtën vëmendje, pasi nuk di ta përdorë pasqyrën për ta shitur si realitet, për t’i bërë vetes tatuazhe dhe operacione plastike, nuk i ngjit fjala as si flakëhedhëse dhe as si karrem. Madje, atij nuk i ka peshë fjala, pasi të krijon përshtypjen sikur nuk sheh me sytë e vet, sikur nuk flet e nuk vepron me mendjen e vet.

Ndonëse të dy i gjetën partitë të gatshme, të strukturuara, me kontingjent të sigurt militantësh e votuesish, Basha nuk po di që, nëpërmjet populizmit dhe manipulimit mediatik, të bëhet edhe ai një Dumbabë karizmatik në PD, si Rama apo si Berisha në kohë të vet. Për pasojë, ai e nuk vë dot në rresht batalionin e vet të shpartalluar e të mundur, kryesinë e sidomos anëtarësinë. Nuk e pengon vetëm fjalori pa ngjyrë, mungesa e përvojës makiavelike, gjuha e drunjtë, nervi plastik, nuk po e ndihmon as pamja prej bukurani e paqësori, por po e dëmton pakësia e integritetit dhe identitetit, kushti parësor për t’u pranuar si kryetar, si një Dumbabë, të cilin e ndjek pas hija e rëndë e autoritetit dhe personalitetit.

Nëse Berisha dhe Rama i “vranë” baballarët e tyre politikë, i pari Alinë, i dyti Nanon, Basha e ka të pamundur të bëjë qoftë edhe një vërejtje miqësore për tutorin e tij, atë që e lindi, e rriti, “e martoi” politikisht, duke i dhënë pajë një nga dy partitë më të mëdha. Kjo mjafton për të dëshmuar pafuqinë dhe dobësinë e tij.

Sikur Nano të mos kishte ikur në “drejtim të paditur”, mjaft të linte xhaketën varur në korridoret e partisë, Rama zor se do të ishte ky që është. Sepse në Ballkan liderët “historikë” (thënë ndryshe: Dumbabët), edhe pas vdekjes, janë të aftë të lenë pas ndjekës që i adhurojnë “në jetë të jetëve”. Adhuruesit e Hoxhës, edhe pas një çerek shekulli në demokraci, edhe pse gjenden nën trysni, shkojnë te varri i tij dhe në Pezë çdo vit për ta nderuar e kujtuar. Nanoistët e humbën shpresën e rikthimit të Nanos, kështu që iu dorëzuan pa kushte Ramës (“për hir të unitetit të partisë”…), edhe pse patën votuar në Kongres kundër tij me shumicë… Ndaj, Rama e gjeti fushën “pa mina”, të lirë e të pastruar për ta mbushur me rishtarët e tij të bashkisë…

Kjo nuk mund të thuhet për Bashën. Nëse Berisha dha dorëheqje “të parevokueshme”, ai nuk iku “në drejtim të paditur”, nuk doli në pension, nuk e la varur fotografinë e vet në zyrën e kryetarit, si dëshmi “historike” e honorikfike, po mbeti Dumbabë i pavdekshëm dhe i pazëvendësueshëm, altoparlanti dhe arma më kryesore jo vetëm e propagandës, por edhe e vendimmarrjes. Ky është shkaku që Basha nuk ka kontroll mbi bazën e partisë, siç ka në forumet e larta të partisë, pas pastrimit të listave.

Aq i rëndësishëm është Berisha si Dumbabë, sa edhe kritikët më të ashpër të Bashës, si Topalli, Patozi dhe Bregu nuk guxojnë të dalin kundër udhëheqësit historik për t’i thënë, së paku, se edhe ai ka përgjegjësi për emërimin e Bashës dhe humbjen e PD-së. Atë të gjithë i bëjnë hosana, sepse e dinë që ai, vetëm me një fjalë, kontrollon e komandon humorin e bazës së partisë, për të lartësuar ose për të të hedhur në erë.

Si “ujk i vjetër” në politikë, Berisha kohët e fundit me sa duket po e ndjen rënien, se është ai që po e mbyt “foshnjën” e vet me shpërgënj, ca nga dashuria e ca nga sikleti… Ndaj u detyrua, për të lehtësuar pozitën e vështirë të Bashës, për t’i shtuar sadopak integritet e identitet, pavarësi dhe oksigjen, të deklarojë se listat e deputetëve ishin “hartuar gabim”, se ishin formuluar “jashtë forumeve” dhe dijenisë së tij dhe se Basha paskësh “këshilltarë mizerabël”… Pra, jo vetëm që nuk ka qenë ai mentori, por ç’ka është më rëndësore, pëdëistët duhet të besojnë mbas sodit se Basha nuk është ai që e paragjykojnë, – një kryetar formal me kapistall në qafë!, – pasi ka vepruar e po gjykon me kokën e vet…

Por edhe kjo përpjekje zor se do ta bëjë Bashën një Dumbabë të gjithëpranuar.

Hë për hë nuk dihet nëse kjo risi, – që një parti e madhe të mos udhëhiqet sipas traditës nga një Dumbabë – do të jetë, si për PD-në dhe për shoqërinë, për të mirë, a për të keq.

“Motrani, më vdiq burri!…, – u tha një vejushë shoqeve te kroi i katundit. – Nuk e di: se për mirë, se për keq!”… /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: