Festivali i muzikës qytetare “Lule Borë”, parakaloi vokale, shpërfaqi vlera dhe virtuozitete muzikore, mëkoi traditë dhe qytetari përmes një performimi që rrëmbeu adhurueshëm publikun në Teatrin “Migjeni” në Shkodër gjatë tre netëve 13-15 nëntor 2017.

Ky aktivitet i mundësua nga Bashkia Shkodër mbante vulën e dy emrave të spikatur të muzikës, Markelian Kapedani, drejtor artistik dhe Jetmir Barbullushi, dirigjent, me një traditë të gjatë në jetën artistike shkodrane.

Shkodra thërriste gjakun e vet dhe ata që i ndjeheshin borxhli këtij qyteti, si Jetmir Barbullushi, Markelian Kapedani, Sokol Prekalori, Arlinda Çausholli, etj, ishin aty, erdhën për të dhënë më të mirën e tyre dhe Shkodra ju dha duartrokitje e mirënjohje.

Festival i dedikohej këngës qytetare shkodrane, një prej traditave më të vyera të pasurisë tonë shpirtërore, ku artistët më në zë të këtij qyteti dhe muzikës shqiptare në përgjithësi, arritën të sjellin historinë dhe të guxojnë në sprova. Kjo përvojë që vjen në edicionin e saj të dytë, pas një mungimi 27-vjeçar, beri të mundur të gjallojë një magji e kahershme e muzikës dhe trashëgimisë, që mbetet guri më i shndritshëm në gjerdanin e muzikës popullore shqiptare.

Ansambli i këtij festivali, muzikantët, artistët, këngëtarët, ndriçimi, fonia dhe deri tek njeriu që ka ngulur qoftë dhe një gozhdë në këtë skenë….nga të gjithë ne, keni mirënjohjen e pakufishme dhe respektin më të lartë të mundshëm, njerëzor dhe artistik, citon në prologun e kësaj kushtrimore artistike, ku vlerë e shtuar e këtij evenimenti, ishte edhe prezantuesja sharmante, gazetarja Arlinda Çausholli, shkruan ‘ata’.

Ajo që mbetet për t’u veçuar nga kjo ngjarje janë surprizat që solli ky festival, nga të cilat mund të veçojmë pjesëmarrjen e të rinjve, gjithashtu dhe prurja e 22 këngëve të reja që pasurojnë fondin e artë të këngës qytetare shkodrane.

Ofrimi i talentit dhe ambicies së tyre përbën lajmin e mirë që shpërndan ky aktivitet. Këto të rinj, krijues dhe interpretues, duke ndjekur traditën, duke e pasuruar këtë thesar, i japin vetes së tyre dhe Shkodrës përmes shpirtit dhe artit të atë frymëmarrje, atë energji, atë potencim të fuqishëm përtëritës që meriton ky qytet dhe që do të bëjë ata të ndjehen krenar dhe të suksesshëm.

Nuk mund të mbetej jashtë panoramës së vlerës që vuri në gurëthemel ky aktivitet, juria e përbërë nga emblemat e artit shqiptar, Osman Mula. Robert Radoja. Enriketa Kuqani, David Tukiçi dhe Julian Deda, mbi të cilët rëndoi përgjegjësia artistike dhe qytetare, që në mes gjithë kësaj magjie të zgjidhnin triumfuesin.

Festivali nderoi me Çmim të tretë këngën “Një dashuri troket” me muzikë të Oleg Gjerga, tekst të Alfred Çapaliku, orkestrim të Roland Guli, të kënduar nga Blerta Cina-Shoqëruar nga grupi “Karajfilat që ka Shkodra”. Çmimi inkurajues iu dha këngës “Lulja e dashtun”, me muzikë të Enis Mullaj, teksti Kristian Gajtani, orkestroi Enis Mullaj, kënduar nga Artemisa Mithi.

Ndërsa Çmim të dytë mori kënga “Vajza Shkodrane” me muzikë të Enrik Çefa, teksti Denisa Domnori, orkestroi Enis Mullaj kënduar nga Lidia Lufi. Dhe Çmimin e parë e meritoi kënga “Me ty u rrit kanga Shkodrane”, me muzike të Edmond Zhulali, teksti Agim Doçi, orkestrim Edmond Zhulali, kënduar nga Mefarete Laze.

Artistët e mrekullueshëm shkodrane ulën siparin e një eventi që solli në qytetin e tyre bardhësinë e luleborës, përmes tingujve të mrekullueshëm të këngës qytetare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb