NGA RAMAZAN ÇEKA

Një fund viti në Shkodrën tonë gjithmonë përjetohet me ngjarje të shënuara artistike, festive e qytetare, ku natyrisht do të përmendim evenimentet më të rëndësishme, siç është “Sofra Shkodrane”, e cila plotësohet kaq bukur dhe natyrshëm edhe me sofrat e tjera përreth, që në mënyrën e vet mbledhin rreth tyre qytetarë të pasionuar pas qytetit, humorit dhe ahengut, të cilët sfidojnë edhe hallet e përditshme për të gëzuar një natë së bashku.

Për këtë vit, Shkodra jonë sofrën e saj e kishte organizuar krejtësisht ndryshe. Duke sfiduar stinën e ftohtë, nën kujdesin e një dore të ngrohtë dhe qytetare shkodrane, ishte përgatitur një buqetë me lule të bardha, të cilat ishin njëkohësisht edhe një buqetë këngësh, që sollën pas 27 vitesh para shkodranëve të dashuruar me lulet dhe këngët këtë ngjarje madhështore, të titulluar “Luleborë”.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe: dora aq e kujdesshme që mban edhe meritat dhe respektin e madh për organizimin e këtij evenimenti, natyrisht ishte Bashkia e Shkodrës, iniciuese dhe mbështetëse e kësaj ngjarjeje të madhe që mbylli kaq bukur këtë vit, ku natyrisht meritën kryesore duhet t’ia lëmë kryeqytetares së Shkodrës, vajzës së këtij qyteti, znj.Voltana Ademi, që si të gjitha vajzat dhe djemtë shkodranë ka përkëdhelur dhe mbajtur në dorë një buqetë luleborë.

Teatri “Migjeni”, tempulli i artit shkodran, ajo shtëpi që me vite e vite me radhë ka rrezatuar freskinë dhe gjelbërimin e një fidanishteje, që rrallë mund të gjendet në trevat shqiptare, këtë dhjetor kishte hapur përsëri dyert dhe krahët e skenës për të pritur për tri net me radhë, edhe një herë pas kaq vitesh këngën qytetare të Shkodrës, të cilën do ta sillnin me aq dashuri e profesionalizëm krijues të rinj dhe të vjetër, por mbi të gjitha zëra të rinj të mrekullueshëm që do të tregonin edhe një herë se kjo fidanishte me lulet më të bukura të oborreve shkodrane është gjithmonë në lulëzim.

Pas një përgatitjeje të gjatë, pas një përzgjedhjeje të krijimtarive për këtë eveniment të rëndësishëm, me datë 26 dhjetor u ngjiten në skenën e Teatrit “Migjeni” këngëtarët që do të promovonin këngët e këtij festivali kaq të shumëpritur. Nata e parë, ashtu si edhe dy netët që e pasuan ishin magjike. Salla e tejmbushur me dashamirësit e këngës shkodrane dallohej qartë se kishte vite që e priste një festë të tillë.

Sipas libretit të shfaqjes, natën e parë u kënduan 11 këngë me krijimtari të reja, gjithmonë të frymëzuara nga kënga tradicionale qytetare shkodrane, ku spikaste në mënyrë të veçantë interpretimi i këngëtarëve të rinj. Kështu, edhe me 10 këngë të tjera mbushi dhe entuziazmoi skenën dhe sallën e Teatrit “Migjeni” edhe natën e dytë. Dy net me këngë kaq të bukura, kaq të realizuara dhe kaq të freskëta u bënë një motiv i ngrohtë, që nata finale të zbuste temperaturat e dhjetorit dhe salla e teatrit të ishte më shkodrane se kurrë.

Organizatorët me zgjuarsi, në natën finale nuk kishin bërë përzgjedhje të këngëve pjesëmarrëse, por kishin sjellë edhe një herë të gjitha këngët pjesëmarrëse, sepse të gjitha ishin njëra më e bukur se tjetra. Kështu që e ashtuquajtura natë finale ishte në një farë mënyre vetë festivali. I mirëpritur me vlerësime, duartrokitje dhe ovacione, i organizuar në mënyrën më të përkryer regjisoriale, i ndërthurur me historikun aq nostalgjik për shkodranët, nëpërmjet inserteve të kësaj pasurie që quhet kënga popullore qytetare shkodrane, spektakli arriti të bëhet evenimenti i vitit dhe ashtu siç thamë në fillim, sofra e vërtetë shkodrane.

Në një moment që pritej të jepej inserti kushtuar ikonës së këngës shkodrane, këngëtarit të papërsëritshëm Bik Ndoja “Artist i Merituar”, Pandi Laço që drejtonte në skenë festivalin deklamoi para publikut një lajm shumë të gëzueshëm. Në këtë moment iu drejtua sallës ai: “Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z.Bujar Nishani i akordoi këngëtarit të madh Bik Ndoja titullin e lartë ‘Nderi i Kombit'”. Të gjithë spektatorët në sallë u ngritën në këmbë dhe me duartrokitje dhe ovacione nderuan birin e tyre, këtë figurë të madhe të trashëgimisë së kulturës shkodrane, të këtij artisti që edhe pse nuk jeton më, është i gjallë në çdo ngjarje të familjeve shkodrane me atë pasuri të madhe që ka lënë pas për të gjithë brezat.

Këtë ngjarje të shënuar për artin dhe këngën shkodrane e përshëndeti me zërin e tij të mrekullueshëm “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili me një këngë kushtuar kësaj figure legjendare, emblemë e jareve shkodrane, Bik Ndoja, që tani nuk do të ketë më vetëm mirënjohjen e qytetit të të tij, por të të gjithë kombit. Ndoshta ishte risi që një ndër drejtuesit, konferencier i këtij festivali, ishte Pandi Laço, shoqëruar nga partnerja shkodrane Migena Bushati, pasi ky njohës i mirë i muzikës së trevave shqiptare, por edhe si përfaqësues i televizionit kombëtar “Klan”, ishte ngjitur në skenë për të treguar se festivali i këngës qytetare shkodrane “Luleborë” nuk ishte një pasuri vetëm e qytetit të Shkodrës, por e gjithë shqiptarëve.

Këtë e mbështeste më së miri edhe një juri aq e nderuar, me emra kaq të mëdhenj, që u mirëpriten dhe u duartrokiten nga spektatorët në sallë. Për atë juri që e kryesonte një artist i madh, djali i një artisti të madh shkodran, këngëtarit Ibrahim Tukiqi, Genc Tukiqi u ngjit në skenë si në shtëpinë e vet dhe me inteligjencën dhe humorin e trashëguar, organizoi në mënyrën më të mirë të mundshme edhe zonën e “nxehtë” të promovimit të çmimeve, duke pasur për krah figurat shumë të njohura si kompozitorin e shquar Adi Hila, këngëtaren Era Rusi, pedagogen dhe studiuesen Valbona Karakaçi dhe poetin shkodran, Lisandër Kola.

Festivali i këngës qytetare shkodrane “Luleborë” kishte edhe një tjetër vlerë të madhe, ashtu siç i ka hije interpretimit të kësaj kënge kaq të mrekullueshme. Në “oborrin” e skenës të mbushur me lulebore ishte vendosur një orkestër e mrekullueshme, e cila me virtuozitetin e vet i shoqëroi live të gjitha interpretimet, duke sfiduar “teknologjinë” dhe duke u dhënë hapësira të gjithë interpretuesve, e në mënyrë të veçantë atyre më të rinjve.

Ky aktivitet solli krijues të rinj, poetë të rinj dhe interpretues të rinj, të cilët duke u harmonizuar edhe me ata më të vjetër që lëvrojnë këngën qytetare shkodrane, e bënë këtë festival kaq shumë të mirëpritur të ngjitet në nivelet artistike dhe tematike, që koha çdo ditë e më shumë i kërkon, sidomos në ruajtjen dhe trashëgiminë e vlerave që qyteti i Shkodrës gjithmonë bën përpjekje t’i kultivojë tek brezat pasardhës.

“Luleborë”, një simbol motiv frymëzimi për poetët dhe kompozitorët, ishte edhe një ftesë e largët për t’u kujtuar dashamirësve shkodranë se tematika e këngës shkodrane lidhet me këngën për dashurinë, për lulet, për Rozafën, për liqenin, për rrugët dhe rrugicat e Shkodrës e mbi të gjitha me dashurinë e madhe, që shkodranët kanë për qytetin e tyre. Ky ishte edhe boshti i gjithë tematikës së këtij festivali, që ishte muzikuar aq bukur me motivet e kësaj muzike kaq të mrekullueshme. Kaq të mrekullueshme, saqë herë pas here tingujt e orkestrës ngrinin në këmbë gjithë publikun aq të mrekullueshëm që ndoqi festivalin.

Është e vështirë të shkruash në gazetë një shkrim për një ngjarje të tillë, pa e poetizuar këtë shkrim, sepse vetë festivali ishte poezi dhe këngë. Në natën finale u ngjit në skenë për të përshëndetur znj. e parë shkodrane, kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi, e cila u mirëprit dhe u duartrokit, sepse jashtë çdo protokolli u bë si të gjitha shkodranet, një këngëtare e këngës së qytetit të saj. Me emocion, si zakonisht u prit edhe shpallja e këngëve fituese. Genc Tukiqi, si kryetar jurie u ngjit në skenë, u mirëprit dhe u duartrokit si një djalë shkodran dhe bashkë me pjesëtarët e tjerë të jurisë shpalli edhe fituesit e festivalit.

Për të ardhur deri këtu, ai falënderoi të gjithë organizatorët dhe protagonistët e këtij festivali, duke veçuar ata që natyrisht për tri net me radhë ishin më të mirët. Orkestrën e mrekullueshme që shoqëroi live të gjithë këngëtarët, të drejtuar nga maestro Ilir Zoga, i cili ishte edhe drejtor artistik i këtij festivali. Kështu pra, në këtë atmosferë u shpallën edhe çmimet fituese: “Nana” ishte titulli i këngës që fitoi çmimin e parë, kompozuar dhe orkestruar nga Zef Çoba, me tekst të Alfred Çapalikut, kënduar nga Erinda Agolli, Olta Juba dhe Kori “Rozafa Expression”.

Me çmimin e dytë u vlerësua kënga “Për herë t’parë n’Shkodër kush vjen”, kompozuar nga Bepin Vjerdha, orkestruar nga Ilir Zoga, teksti Osman Kozmaj, kënduar nga Leonora Luca dhe Niki Mjeda. Çmimin e tretë e mori kënga “Mori Hylleshë”, kompozuar nga Bardhyl Hysa, orkestruar nga Alfred Kaçinari, teksti Elona Çuliq, kënduar nga sopranoja Emiljana Palushaj. Teksti më i mirë u shpall “Për ty Shkodër më rreh zemra” i poetit Agim Doçi “Mjeshtër i madh”, kompozuar dhe orkestruar nga maestro Edmond Zhulali, kënduar nga Rezarta Smaja.

Çmimin special e fitoi kënga “Edhe Rozafa ta ka lakmi”, kompozuar nga Namik Jahja, orkestruar nga Shpëtim Saraçi, teksti nga prof. Fadil Kraja “Mjeshtër i Madh”, kënduar nga Eduart Jubani. Festivali i këngës qytetare “Luleborë” u shfaq për tri net me radhë në Teatrin “Migjeni” si evenimenti më i rëndësishëm i vitit, organizuar nga Bashkia e Shkodrës, nën kujdesin e kryetares së bashkisë, znj.Voltana Ademi, e cila kishte ngarkuar për realizimin e këtij evenimenti Qendrën Kulturore “Pjetër Gaci”, me drejtor z.Sidrit Lohja, udhëheqësin artistik z.Bardhyl Hysa dhe punonjësen e pasionuar të kulturës pranë kësaj bashkie, znj.Brunilda Lleshi.

Regjia e këtij festivali iu besua z.Bledi Laços. Dashamirësit e këngës shkodrane janë edhe biznesmenët që bashkëjetojnë me artin e bukur shkodran dhe këta biznesmenë do të ishin të pranishëm edhe në këtë eveniment, duke dhënë kontributin e tyre financiar në realizimin e kësaj ngjarjeje kaq të shënuar, që mbylli kaq bukur këtë vit që po lëmë pas. Ishin pra të pranishëm si sponsor: Hotel ‘Colosseo’, ‘Melgushi SH.P.K’, ‘Abi Bank’, ‘Albsig’, Reklama “Terroti” dhe ‘Mulliri i Bardhë’. Kishte kohë që në qytetin e Shkodrës nuk organizohej një aktivitet i tillë, pavarësisht nga mundësitë e mëdha potenciale që ky qytet ka dhe ishte vetë kryebashkiakja, znj.Voltana Ademi, që u premtoi qytetarëve të saj se ky festival i këngës qytetare “Luleborë” do të jetë si një oborr i mbushur me lule erëkëndshme, që gjithmonë do të lulëzojë.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb