HIMARE- Kryeministri Rama ka deklaruar sot nga Himara se janë bllokuar të gjitha pronat e marra në përdorim në shkelje të ligjit në të gjithë Bregun, duke i dhënë fund procesit të padrejtësisë me pronat.

Një qytetare nga Himara tha se kishte problem me pronat, pasi babai i saj ishte i dënuar në vitin 1951 nga regjimi komunist, “duke shkruar në dosje si sabotim ekonomik dhe jo politik, dhe kështu ia sekuestruan të gjithë pasurinë”.

Qytetarja shtoi se nga ata prona u ishin kthyer dy shtëpi, shtëpinë në Himarë-fshat e kishte zgjidhur problemet me gjyq.

“Tani kemi një pronë në Livadh dhe kanë ardhur katër persona, kanë marrë me ligjin 7501. Kush duhet ta marri këtë pronë? Kam besim vetëm te Ju, se u lodha s’kam ku të shkoj”, – tha qytetarja.

Në përgjigje të saj dhe të interesit të qeverisë për të zgjidhur problemet që ka sjellë paligjshmëria e marrjes së tokës në përdorim në vijën bregdetare, kryeministri Edi Rama tha se “… e kam të qartë çfarë është bërë me pronat në bregdet dhe e para që kemi vënë, e kemi frenuar”.

Më tej, Rama shtoi se kemi bllokuar gjithë zonën e Bregut për arsye të aktit të marrjes së tokës në përdorim në shkelje të ligjit dhe ndërkohë këtu do të hapet zyra përkatëse, do bëhet dhe një zyrë konsulence për trajtimin e problemit, por ne këto akte që janë në konflikte me njëri-tjetrin dhe që kanë dokumente më të vjetra nuk do i pranojmë”.

“E rëndësishme është që e kemi ndaluar këtë proces padrejtësish, që i ka futur njerëzit në situata konfliktuale”, theksoi kryeministri Rama./ata/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb