Trashëgimia serbe, kulturore dhe fetare në Kosovë, mund të mbrohet më së miri nëse Kosova bëhet pjesë e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ka thënë për Radion Evropa e Lirë Ulrike Lunacek, nënpresidente e Parlamentit Evropian.

Sipas saj, deklaratat për përdorim të dhunës i takojnë së kaluarës dhe luftës, e cila ka kohë që ka përfunduar.

Në prag të votimit për pranimin e Kosovës në UNESCO, patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, ka thënë se Serbia është e obliguar të ngrejë zërin në mbrojtje të Kosovës. “Nëse rastësisht vjen te përdorimi i forcës dhe nëse me forcë merret trashëgimia jonë historike dhe kulturore, ne duhet ta kthejmë atë qoftë me forcë, qoftë me të mirë”, ka thënë Irinej.

Në përgjigje të kësaj, Lunacek ka thënë se përdorimi i forcës është diçka që i takon së kaluarës dhe se ndjehet mirë për këtë.

“Në Kosovë nuk ka më dhunë midis grupeve etnike. Kjo është pjesë e së kaluarës. Nuk më vjen mirë kur dikush prej udhëheqjes së Kishës Ortodokse Serbe thotë se mund të ketë dhunë dhe se armët mund të përdoren përsëri. Kjo është e kaluar. Lufta ka kohë që ka përfunduar. Trashëgimia kulturore dhe fetare në Kosovë është e mbrojtur dhe do të mbrohet më mirë kur Kosova të bëhet anëtare e UNESCO-s”, ka thënë Lunacek.

Sipas saj, lobimi i Serbisë kundër Kosovës në këtë rast, tregon se Serbia nuk do që të mbrojë trashëgiminë e saj.

“Shpresoj se shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian ose Kombeve të Bashkuara nuk do të ndjekin atë që thotë Serbia, sepse kur vizitoni Kosovën, mund të shihni se gjatë viteve të fundit ka pasur mjaft përparim, ndërtesat janë rinovuar. Unë vetë kam vizituar kishën ortodokse në Prizren, e cila është rinovuar shumë bukur. Prifti na ka thënë se kur ec rrugëve të Prizrenit, njerëzit i drejtohen me ‘mirëdita’. Pra, ka mjaft përparim”, ka thënë Lunacek.

Pranimi i Kosovës në UNESCO është mënyra më e mirë për ruajtjen e trashëgimisë serbe, por edhe të tjera, ka theksuar eurodeputetja Lunacek.

Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s ka nisur të martën punimet dhe kërkesa për pranimin e Kosovës është në agjendë. Kosovës i duhen dy të tretat e votave në këtë konferencë, e cila përbëhet nga 195 vende anëtare. /Rel/

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: