NGA OLA MITRE*

TIRANË- Çdo qytetar që dëshiron të bëhet pjesë e aktivitetit ‘Lutja e Paqes’, do të duhet të regjistrohet paraprakisht, për t’u pajisur me një dokument që i lejon pjesëmarrjen, duke kaluar një ‘testim’ për çështje sigurie”. Gjithçka bëhet me dije nga drejtoresha e Shërbimit Shoqëror, pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Denada Seferi, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, shpjegon në detaje rëndësinë e këtij aktiviteti për Shqipërinë. Eventi, që do të mbledhë në Tiranë në datat 6, 7 dhe 8 shtator rreth 4000 të ftuar nga e gjithë bota, do ta kthejë Tiranën në një epiqendër, ku kryefjala do të jenë paqja dhe dialogu.

Znj.Seferi, “Lutja e Paqes” këtë vit do të organizohet në Shqipëri. Çfarë është ky aktivitet, i cili do të mbledhë 4000 pjesëmarrës nga e gjithë bota?
Ky është një aktivitet që organizohet nga Komuniteti Sant’Egidio prej 28 vitesh. Aktiviteti i parë është organizuar nga Papa Gjon Pali II, ndërkohë që pas organizimeve në 28 vende të ndryshme, në vitin e 29-të është përzgjedhur Shqipëria. Tirana është zgjedhur si kryeqyteti ku kryefjala për tri ditë do të jenë: Paqja, toleranca fetare dhe dialogu. Dialogu është më i rëndësishëm në këtë botë të dhunshme, ku të gjitha luftërat që bëhen, janë luftëra për t’u thënë “ndal” konflikteve dhe për të promovuar sa më shumë paqen.

Aktiviteti quhet “Paqja është e mundshme” dhe realisht këtu do të vijnë 4000 të ftuar, por 450 janë krerët më të lartë të besimeve fetare, të cilët do të nënshkruajnë “Apelin për Paqen”. Ndërkohë, 2500 persona janë pjesëmarrës të komunitetit Sant’Egidio, pra nuk janë klerikë. Ky është një aktivitet, i cili organizohet në bashkëpunim me Kishën Ortodokse, Kishën Katolike, Komunitetin Mysliman dhe me Komunitetin Bektashian.

Cila është axhenda e këtij aktiviteti?
Janë tri ditë evente: në ditën e parë është ceremonia e hapjes në Pallatin e Kongreseve, ku do të marrin pjesë të gjitha personalitet e ftuara: ministra, zëvendësministra, presidentë etj., për të shpallur mesazhin që paqja është e mundur. Mesazhi i dytë që do të përcillet është: “Për të rinjtë nuk ka të ardhme pa paqe”. Pas ceremonisë së inaugurimit, në ditën e dytë do të kemi panele me aktivitete të ndryshme, të cilat do të promovojnë dialogun, do të tregojnë që njerëzit duhet të ulen për të biseduar e trajtuar të gjitha çështjet e dhunës, pasi të gjitha këto do të çojnë te paqja. Dita e tretë është “Apeli i Paqes”.

Të gjithë krerët e besimeve fetare nga e gjithë bota do të luten në gjuhën e tyre, do të marshojnë në bulevard dhe do të kthehen te Piramida dhe te Kambana e Paqes, ku do të nënshkruajnë “Apelin e Paqes”. Janë 40 fëmijë që do t’ua dorëzojnë. Më pas do të kemi dhe momentin përfundimtar, ku do të mbillet një pemë ulliri nga krerët e 4 komuniteteve fetare në Shqipëri, të cilët do të tregojnë se paqja është e mundur. Për të organizuar këtë aktivitet janë angazhuar të gjitha ministritë në një Komitet Shtetëror, me në krye MMSR-në, për të bërë të mundur që rendi, siguria e gjithçka tjetër të jenë të organizuara në mënyrë perfekte. Do të jetë një moment shumë domethënës për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse do të jetë e shpallur në Eurovizion dhe gjithçka do të transmetohet në kohë reale në të gjitha vendet e botës.

Pse këtë vit u përzgjodh Shqipëria?
U përzgjodh sepse, pas ardhjes së Papa Françeskut, në Shqipëri është promovuar toleranca dhe bashkëjetesa fetare.

Pse është i rëndësishëm që ky aktivitet të organizohet në Shqipëri? Çfarë sjell për vendin tonë?
Është i rëndësishëm sepse përmes përfaqësuesve të besimeve fetare tregon se dialogu është i mundur: nëse dialogohet, gjenden zgjidhjet e mundshme dhe alternativat e tjera, përveç luftës. Nëpërmjet dëshmive të personave që vijnë nga Siria, Libia, Iraku, të cilët kanë qenë dëshmitarë të luftës dhe do të dëshmojnë në këto panele, do të jepen mesazhet e duhura për paqen, tolerancën, për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, me të cilin nuk pajtohet asnjë nga besimet fetare, dhe luftën kundër terrorizmit.

Çfarë përfaqësojnë dëshmitarët që vijnë nga vendet e luftës?
Janë pjesë e komuniteteve fetare, janë krerë të lartë të besimeve fetare, janë qytetarë të cilët kanë qenë pjesë e komunitetit Sant’Egidio dhe kanë jetuar këtë periudhë lufte.

Është përfolur fondi prej 83 milionë lekësh, që është akorduar nga qeveria për këtë aktivitet. Si do të shpenzohet ky fond?
Paraprakisht dua të theksoj se ky është fondi më minimalist që mund të jetë vënë në dispozicion të këtyre eventeve, të këtyre përmasave. Është bërë e mundur që të gjithë të ftuarit dhe personalitetet të jenë të mirëpritur. Po ashtu, 11 sallat ku do të zhvillohen aktivitetet ndodhen në hotelet më të mëdha në Tiranë dhe të gjitha këto janë të pajisura me përkthyes, me pjesët teknike. Lektorët po ashtu, që janë pjesa më e qenësishme e këtyre paneleve; përveç pjesës teknike që ka ardhur nga jashtë, pasi vendi ynë nuk ka kapacitete për të përballuar një event të tillë. Të gjithë të ftuarit janë politikanë, shkrimtarë, teologë, filozofë e që do të përbëjnë pjesën e paneleve. Është minimumi i shpenzimeve që mund të bëjë një qeveri. Qeveria është treguar e gatshme për të dhënë kontributin e saj dhe për të vënë në dispozicion të gjitha burimet njerëzore në dobi të këtij eventi.

Ju thatë që është e rëndësishme përcjellja e mesazhit të paqes në botë. Pse është e rëndësishme që ky mesazh të përcillet nga Shqipëria?
Shqipëria është vendi ku dialogu mes bisedimeve fetare është pjesa më e qenësishme e këtij kombi. Do të jetë përçimi i kësaj vlere edhe në botë, çka do të thotë se ne mund të tregojmë se Shqipëria është një vend që di të presë, është një vend i vlerave, që do të përçojë mesazhet më të rëndësishme në botë kundër konfliktit dhe dhunës.

Çfarë impakti mund të ketë nga ana ekonomike ky aktivitet?
Janë 4000 të ftuar, që do të jenë “pjesë e vlerës materiale” dhe e shpenzimeve që do i kryejnë në Tiranë. Të gjitha hotelet janë të zëna nga Komuniteti Sant’Egidio nëpërmjet vullnetarëve të tyre. Asgjë nuk do të mbulohet nga qeveria, por gjithsecili do të paguajë shpenzimet e veta.

Si do të jetë i aksesueshëm për qytetarët ky aktivitet?
Ne kemi vendosur tri çadra, në të cilat ka vullnetarë të Komunitetit të Sant’Egidios, studentë dhe përfaqësues të Ministrisë së Turizmit e bashkisë, të cilët regjistrojnë të gjithë qytetarët që kanë dëshirë të jenë pjesë e këtyre aktiviteteve. Regjistrimi i tyre do të bëhet përmes një “testimi” për çështje sigurie dhe të gjithë ata do të pajisen me një kartë identifikimi, pasi në të kundërt, nëse nuk do të pajisen, do të jetë i pamundur aksesimi i këtyre aktiviteteve. Unë ftoj të gjithë qytetarët që në datën 8 të bëhen pjesë e aktiviteteve pranë Piramidës, por ndërkohë mund të regjistrohen në tri çadrat: te Galeria e Arteve, në fillim të Pedonales, te pjesa e bulevardit pranë “Parkut Rinia” dhe te Piramida, në mënyrë që të regjistrohen për të marrë pjesë në këtë aktivitet.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: