TIRANË- Nga Tirana do të dale një mesazh për të gjithë botën: “Paqja është gjithmonë e mundshme”.
Ka qënë kjo pika e rëndësishme e takimit të sotëm, ku Komuniteti Sant’Egidio, së bashku me Komitetin Ndërministror me pjesemarrjen edhe te ministrit Blendi Klosi, prezantoi programin e takimit “Paqja është gjithnjë e mundshme – Dialogu mes besimeve dhe kulturave”.

Gjatë hapjes së takimit, Alberto Quattrucci  përfaqësues i Komuniteti Sant’Egidio, tha se “paqja është gjithmonë e mundshme. Kjo do të thotë që nuk mund të justifikohet asnjë dhunë nëpër botë, apo luftra, por jemi ne që duhet të ndërtojmë paqen çdo ditë. Nga Tirana do të shkojë një mesazh për të gjithë botën, se përmes dialogut mund të arrihet paqja”.

Për përfaqësuesin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Yngve Engstrom, zgjedhja e Shqipërisë për këtë takim është e duhura.

“Ne e shohim zgjedhjen e Shqipërisë si të duhurën, pasi paqja dhe prosperiteti janë vlerat e demokracisë. Shqipëria është modeli më I mirë për bashkjetesën fetare dhe për paqen që arrihet përmes dialogut”, tha Engstrom.

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, nga ana e tij tha se “i kemi thënë po këtij aktiviteti, pasi ky aktivitet mund të shënojë një ditë historikë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne besojmë se Shqipëria mund të jetë një vend për t’u marrë shembulll ne rajon dhe ne bote, si një model ku përmes dialogut dhe vlerave te tolerancës e bashkjetesës mund të arrihet paqja në botë”.

Ai shtoi gjithashtu se “në këtë aktivitet do të marin pjesë 4000 të ftuar, mes tyre edhe personalitete, për të bërë të mundur që të dalim në gjenezë, pasi ky është një aktivitet jo vetëm për besimtarët, por edhe për të gjithë qytetarët, si një dëshmi për të treguar se çdo gjë është e mundur përmes dialogut”.

Ndërsa nënkryetari I Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, tha se “Komuniteti Sant’Egidio I është gjendur Shqipërisë në momentet me të vështira të saj duke dhënë kontribut në formimin dhe edukimin e çdo brezi, në frymën e paqes dhe solidaritetit. Kjo është e nevojshme për brezin e ri. Bashkia e Tiranës ka dhënë ndihmesën e saj në organizimin e këtij aktiviteti sepsene besojmë tek vlerat e bashkjetesës fetare që Shqipëria ka”.

Takimi i 28 ndërkombëtar për Paqen do të mbahet më datat 6-7-8 shtator në Tiranë në përkujtim të 20-vjetorit të përfundimit të luftës së fundit në Ballkan.

Ky aktivitet do të zhvillohet në 11 salla, ku do të diskutohen tema në ndryshme në lidhje me vlerat e bashkjetesës fetare etj.

Pas vizitës  së Papa Françeskut ne 21 shtatorin e vitit të kaluar, qe e ktheu Shqipërinë e vogël në kryeqendrën e vëmendjes botërore për harmoninë fetare, ky është aktiviteti i dytë i rëndësishëm që do të promovojë edhe njëherë dialogun dhe bashkëjetesën fetare në vendin tonë.

Takimi për Paqen zanafillën e tij e ka që më 1986 me iniciativë të Papa Gjon Palit II me qëllim promovimin e mirëkuptimit dhe dialogut të ndërsjelltë mes feve, duke pasur në horizont lutjen për paqe. Eshtë hera e parë që takimi organizohet në Shqipëri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: