Nga: DRITAN HILA*
Italianët “Maçedonia” quajnë sallatën e frutave. Sallata maqedonase ballkanike e gatuar së fundmi është e llojit tjetër. Kanë recetë gjak, armë, lojëra spiunazhi, përgjime, kërcënime dhe pazare. Nga takimi i parë Gruevski-Zaev, ku i pari rrinte krekosur dhe Zaevi përkulur, kanë kaluar muaj dhe kryetari i opozitës e detyroi bosin e qeverisë të ulet në tavolinë. Me ndërmjetësimin e evropianëve dhe amerikanëve, Gruevski u detyrua të pranonte kompromisin, i cili arritje kryesore kishte mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vitin 2016. Të tjerat janë teknikalitete. Asgjë e re. Zaevi mund të ketë përmirësuar qëndrimin e tij në kolltuk duke qëndruar më drejt, por dorëzoi armët e tij. Ndërpreu publikimin e përgjimeve, atyre të rëndësishmeve të paktën, duke frenuar diskreditimin e mëtejshëm të Gruevskit, dhe shënuar zenitin e karrierës së tij. Me gjasa, pas kësaj Gruevski do të fitojë rishtas zgjedhjet. Nuk ndodh ndryshe, pasi do të imponojë rregullat për zgjedhjet, menaxhojë procesin, kontrollojë aparatin shtetëror dhe certifikojë rezultatin. Ia doli të polarizojë maqedonasit ndaj rrezikut shqiptaromadh dhe ta shndërrojë opozitën maqedonase vetëm në faktor mediatik. Liderët shqiptarë, tejet të diskretituar nga zhvillimet e fundme, me sjellje lakenjsh ndaj Gruevskit dhe shefit të tij të shërbimeve sekrete, ishin të pazë. Nuk kërkuan të njiheshin me tërësinë e përgjimeve, megjithëse Zaev tha se shqiptarët e dënuar në procesin “Monstra” ishin të pafajshëm; nuk kërkuan rihapjen dhe transparencën e gjithë proceseve ku janë dënuar apo vrarë shqiptarë, e atyre me prapavijë politike dhe ndëretnike; nuk kërkuan një ripozicionim të faktorit shqiptar me atë maqedonas. Në traditën më të mirë të bejlerëve shqiptarë, ndenjën squkë, pa e hapur gojën, me merakun e vetëm të çifligjeve të tyre. Duke shënuar edhe fundin politik të partive të tyre, të cilat tash e mbrapa nuk janë veçse grupime interesi që nuk kanë aspak në programet e tyre çështjen kombëtare.
Në Maqedoninë e së ardhmes, sa i takon pjesës maqedonase, me shumë gjasë Gruevski do të rikonfirmohet dhe bjerrja politike do t’i vijë për shkak të kohës, ndryshkjes natyrale, ose po përjetojmë shndërrimin e tij në një autokrat gjithmonë fitues. Nuk do jetë çudi që për t’u tallur me shqiptarët të riciklohet edhe Jankullovska, pasi Mijalkov do të jetë gjithmonë aty. Gjaku ujë nuk bëhet. Por edhe nëse vjen Zaev, fakti që shqiptarët nuk ishin fare pjesë e axhendës së bisedimeve, nuk jep asnjë siguri që nuk do të përdoren në të ardhmen si kavje për nevojat politike ditore të udhëheqësit maqedonas të radhës. Fatkeqësisht, askush nga radhët e maqedonasve nuk i merr seriozisht shqiptarët. Për ata, janë një e keqe e domosdoshme që duhen mbajtur gjithmonë në banjën e shtëpisë. Janë qytetarë të dorës së dytë. Me sa duket, një frazë për “implementimin e Marrëveshjes së Ohrit”, është e mjaftë për t’u zënë gojën liderëve të tyre. E shoqëruar edhe me ndonjë kockë përfitimi material, është monedha e suksesshme e korruptimit politik. Dhe, derisa ka funksionuar deri më sot, nuk ka pse të mos vazhdojë kjo lojë. Por sa duhet të hedhin vallen shqiptarët nën muzikën e Shkupit, kjo varet prej tyre. Të vazhdosh të pranosh Ahmetin dhe Thaçin si përfaqësues të faktorit shqiptar, thënë troç, nuk është shenjë inteligjence politike. Të dy janë treguar demagogë deri në ekstrem. Kanë përdorur nacionalizmin, gjuhën, fenë, historinë, gjakun, në mënyrën më të paskrupullt, duke luajtur me ndjenjat e njerëzve. Kanë bllokuar rigjenerimin e elitave politike dhe kanë krijuar feudet e tyre territoriale. Në këto kushte, është mungesë maturie të tregohesh i matur. E vetmja rrugëzgjidhje është dalja e faktorëve të rinj dhe e përkrahjes së tyre; lidhja e kontratave sociale me to nëpërmjet votës dhe kontrollit të zbatimit të saj. Jo më larg se në 13 qershor, do të zhvillohet një miting i iniciuar nga figura publike dhe intelektuale të pakënaqura dhe lëvizje ende embrionale politike si “Besa”, të cilët nxisin daljen nga kjo statuskuo. Zgjedhja e duhur e shqiptarëve, do të ishte pjesëmarrja, si shenjë refuzimi të gjendjes aktuale dhe establishmentit ekzistues shqiptaro-maqedonas. Le të jetë ky një hap i parë. Pas kësaj, mbetet të shikohet se kush ka programin më të besueshëm për daljen e shqiptarëve nga bataku dhe getoja politike ku i kanë futur politikanët ekzistues. Ku nëse në programin e tyre do të ketë rishtas refrene si “Implementimi i Marrëveshjes së Ohrit” dhe “Bashkim Vëllazërimi” me salcë maqedonase, nuk do të kemi veçse një “maçedonia” bajate me krem të ri.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb