Zëdhënësi i qeverisë spanjolle bëri sot thirrje presidentit separatist të Katalonjës, Carles Puigdemont për të mos ndërmarrë asgjë të pakthyeshme, para një fjalimi që ai duhet të mbajë në Parlamentin katalanas ku pritet të shpallë një pavarësi të njëanshme të rajonit.

“Dua t’i kërkoj Puigdemont që të mos ndërmarrë asgjë të pakthyeshme, që të mos nisë asnjë rrugë pa kthim, që të mos bëjë asnjë deklaratë të njëanshme për pavarësi dhe që t’i rikthehet ligjshmërisë”, deklaroi për median, Inigo Mendez de Vigo.

“Evropa u shpreh qartësisht se nuk do të pranonte asnjë deklaratë për pavarësinë e Katalonjës”, shtoi ai.

Zyrtarët evropianë paralajmëruan liderët katalanas se në rast pavarësie, Katalonja do të ishte automatikisht e përjashtuar nga Bashkimi Evropian.

“Për këtë arsye nuk duhet ndërmarrë asnjë hap që nuk do të ndikojë aspak në fund të gjithë kësaj polemike të krijuar”, vijoi zëdhënësi i qeverisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb