TIRANË- Integrimit të komunitetit shqiptar dhe marrëdhëniet e tij me shtetin amë, ishin në qendër të vizitës së Ministrit të Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko në Aquila të Italisë.

Gjatë vizitës, Majko takoi Presidentin e Provincës Angelo Caruso si dhe Zëvendëskryetarin e Bashkisë Guido Iliris.

Në fokus të bisedave ishte modeli i integrimit të komunitetit shqiptar të Aquila-s.
Gjithashtu, Ministri Majko, së bashku me Ambasadoren e Shqipërisë në Itali Anila Bitri morën pjesë në aktivitetin që u zhvillua në Romë “Takohemi për një libër”.

Në fund të takimit Ministri realizoi dhe një bashkëbisedim me të pranishmit, ku vuri theksin tek rëndësia që ka leximi i librit në shqip, si mënyra më e mirë për ruajtjen e gjuhës.

Në takimet me shoqatat shqiptare, Ministri u informua mbi aktivitetet e tyre si dhe diskutoi për rolin e Ministrit të Shtetit për Diasporën në riorganizimin e Shoqatave Shqiptare, të cilat veprojnë jashtë atdheut.

Vizita e Ministrit Majko u përmbyll me takimin me diasporën shqiptare në qytetin e Aquila-s, ku mori pjesë në Festën e Flamurit të komunitetit shqiptar.

“Ky është flamuri që na ka mbledhur sot këtu, por nuk është hera e parë që mbledh shqiptarët dhe në ditën e flamurit të gjithë shqiptarët duhet të jenë bashkë. Dëshiroj t’ju them se jo vetëm shqiptarët që janë këtu në Aquila, por për të gjithë shqiptarët kudo që janë, ju jeni pjesë e jona. Mbase jemi pak me vonesë, por jemi këtu sepse jemi gjaku i gjakut tuaj dhe nëse na kanë kuptuar arbëreshët, do na kuptoni dhe ju. Ajo që po shoh me kënaqësi është fibra e re e brezit të fëmijëve të emigrantëve tanë, të cilët me sytë e tyre, po shohin një Itali ndryshe, një Itali që s’ka të bëjë me protokollin diplomatik, e cila është edhe esenca e marrëdhënieve midis Italisë dhe Shqipërisë: janë marrëdhëniet njerëzore, pa këto të fundit, nuk besoj se do të kishte marrëdhënie italo-shqiptare”, u shpreh Ministri Majko.

Në këtë takim kishte dhe përfaqësi të institucioneve italiane, qendrore dhe vendore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: