TIRANË- Kreu i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos ka shpallur në Prishtinë Majlinda Kelmendin si xhudisten më të mirë në të gjitha kategoritë për këtë vit.

Xhudistja pejane, Majlinda Kelmendi, është shpallur xhudistja më e mirë në botë në të gjitha kategoritë nga presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer. Ky i fundit sot ka qëndruar në Prishtinë ku është pritur nga krerët e sportit kosovar. Majlinda ndihet e lumtur që Vizer po qëndron në Kosvoë për t’ia dhënë asaj këtë shpërblim të madh. “Kur ishim në Rusi z. Vizer më patë thënë se do të vijë në Kosovë për të vizituar. Unë jam e lumtur që ai e mbajti premtimin”, u shpreh Majlinda.

“Po të mos ishte ai, unë dhe as federata nuk do të kishim këto suksese”, shtoi tutje Kelmendi.

Kreu i Komitetit Olimpik, Besim Hasani, dhe ish-ministri i Sportit, Memli Krasniqi falënderuan për gjithçka që ka bërë për Kosovën Vizer.

“Ne jemi të nderuar me prezencën e një njeriu që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për sportin kosovar. Ai ishte në vitin 2009 kur e vizitoi federatën e xhudos dhe që atëherë ka premtuar ndihmë për xhudon dhe sportin tonë”, u shpreh Hasani.

“Pa ndihmën e sinqertë të Vizer ju garantojë se procesi i pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës do të shtyhej edhe për një periudhë të pacaktuar”, shtoi tutje Hasani.

Trajneri i Majlinda Kelmendi, Driton Kuka, nuk deshi të flasë shumë për Vizer, duke thënë se do t’i duheshin së paku një javë për t’i përmendur gjërat që Vizer i ka bërë në ndihmë të Kosovës.

“Vizer është një mik i madh i sportit të Kosovës dhe jo vetëm xhudos”, deklaroi Kuka.

Për fund, fjalën e mori kreu i xhudos botërore, Marius Vizer, i cili ndër të tjera u shpreh i lumtur me pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

“Jam i lumtur me pranimin e KOK-ut, që ishte një luftë dhe proces i gjatë i pranimit i realizuar nga ministri juaj, presidenti i KOK-ut dhe familja jonë e xhudos”, u shpreh Vizer.

“Duke përmendur sukseset e Majlindës, unë dua që në veçanti të them se është një garuese e jashtëzakonshme, një nga pak xhudistet e botës që në një kohë shumë të shkurtër u bë një xhudiste e jashtëzakonshme”, shtoi tutje presidenti Vizer.
(ma.ar/ata/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: