Kampionia e botës xhudo Majlinda Kelmendi e ftuar në emisionin “Pasdite në Top Channel” ka treguar për herë të parë disa detaje për jetën e saj. “Kam filluar të merrem me këtë sport sepse edhe palestrën e kisha afër shtëpisë në Pejë. E doja shumë xhudon dhe isha e vendosur të investoja në këtë sport” tha Kelmendi. E pyetur si ka qenë adoleshenca e saj, 25-vjeçarja tha “Unë nuk kam shkuar kurrë në një diskotekë si bashkëmoshataret e mia. Mami më thoshte shko, pse nuk shkon, të gjitha vajzat e tjera shkojnë. Unë kisha vetëm një qëllim të isha më e mira në xhudo”.

Olimpiada e parë e Majlinda Kelmendit ishte në Londër 2012 kur përfaqësonte ngjyrat kuq e zi. “Dështimi në atë olimpiadë ka qenë një goditje shumë e rëndë për mua. Ishte një humbje e pamenduar si pasojë e një gabimi të pafalshëm. E kam vuajtur shumë dhe më është dashur kohë për ta marrë veten tha Kelmendi në studion e “Pasdite në Top Channel”.

Në lojërat e Rio 2016 ishte momenti i artë për shqiptarët, por këtë herë me flamurin e Kosovës. “Ishte e jashtëzakonshme ajo që ndodhi në Brazil. Për mua finalja ishte ndeshja e gjysmë-finales. Ajo përballje ka qenë më e vështira sepse kundërshtarja ishte sfiduesja më e madhe në këtë olimpiadë. Kur e fitova atë ndeshje isha e bindur se do të fitoja medaljen e artë”. Ndërkohë kampionia e botës thotë se ka përballë të tjera sfida duke u përgatitur për lojërat e ardhshme. I gjithë ky sukses sipas saj ka ardhur si pasojë e një pune dhe stërvitje me shumë përkushtim.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb