TIRANE-Rrëzohet avioni me 1 ton drogë në Spanjë, humb jetën piloti shqiptar. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Mbrojtjes, sipas së cilës helikopteri drejtohej nga majori shqiptar, Sokol Feka, i cili ishte pjesë e Forcave të Armatosura prej 18 vitesh dhe me gradën major që nga viti 2009. Mësohet se gjatë tentativës për t’u ulur në tokën spanjolle, helikopteri ka prekur shtyllat e tensionit të lartë, ka rënë dhe për pasojë kanë humbur jetën dy pilotët që e pilotonin, njëri prej të cilëve ishte majori shqiptar me origjinë nga Kuçova. Pas kontrollit të avionit, policia spanjolle zbuloi rreth 1 ton hashash brenda tij, ndërkohë që pala shqiptare dhe ajo spanjolle kanë nisur hetimet.
Ngjarja
Mediat spanjolle raportuan se ngjarja është shënuar rreth orës 05:00 të datës 28 janar, ku një helikopter BO-105, i ngarkuar me hashash është rrëzuar në provincën e Malagës, pas përplasjes me shtyllat e tensionit të lartë. Mediat spanjolle shkruajnë se trupat e pajetë janë dërguar në morgun e spitalit të Malagës për identifikim. “Incidenti ndodhi pasi një helikopter i rojeve civile u përpoq që të zbulonte një helikopter të maskuar që po kryente një fluturim të paautorizuar. Gjatë ndjekjes, policia humbi gjurmët e të dyshuarve dhe u kthyen në bazë. Por në mëngjes ata u rikthyen në zonë ku ishte parë helikopteri për herë të fundit dhe zbuluan se ai ishte rrëzuar. Helikopteri ishte ndarë në disa pjesë, ndërsa më tej ishin dy trupat e pajetë të pilotëve si dhe 30 pako hashah”, shkruan media spanjolle “Malagahoy.es”. Sipas portaleve të mediave spanjolle, edhe pse policia po heton ende për të zbuluar prejardhjen e drogës, dyshohet se ajo vjen nga Maroku.
Bisedat
“Gazeta Shqiptare” mësoi ditën e djeshme se majori Feka me origjinë nga Kuçova, deri në fund të muajit nëntor jetonte me qira në zonën e ‘Freskut’ në kryeqytet, bashkë me bashkëshorten dhe vajzën e tij. Por, personat që e kanë njohur Fekën pohojnë se ai prej muajit dhjetor ishte shpërngulur nga kjo zonë dhe jetonte në zonën e Yzberishtit. “GSH” mësoi gjatë komunikimit me personat që e kanë njohur majorin shqiptar se ai ka bërë një jetë normale në Tiranë dhe se të gjithë e njihnin si njeri të rregullt. Pronari i banesës në të cilën piloti që humbi jetën në Spanjë jetonte me qira, sqaron se para se të ikte, Sokoli i kishte thënë se do të ikte me specializim jashtë shtetit. Urim D. shpjegon se Feka patjetër që duhet të ketë rënë viktimë e këtij trafiku.
Prej sa kohësh e njihnit major Fekën?
Sokoli ka jetuar bashkë me familjen e tij në shtëpinë që unë i dhashë me qira. Jetoi më shumë se 3 muaj dhe në fund të nëntorit më tha se do ikte në një specializim jashtë shtetit, por nuk e di mirë se ku dhe më tha se do e çonte vajzën dhe gruan te njerëzit e saj sa të kthehej ai nga specializimi që të mos paguanin qiranë kot.
Çfarë jete bënte majori? Të ngjallte dyshime se merrej me trafik droge?
Absolutisht jo. Të gjithë kur kemi marrë vesh këtë lajm jemi shokuar. Sokoli ishte njeri i qetë, saqë edhe kur ecte në rrugë, dukej sikur i kishte bërë dikujt faj, aq i ndrojtur ishte. Kishte një “Benz 190” të lodhur dhe ai më paguante mua çdo muaj 150 mijë lekë. Nuk ta mbushte mendjen asnjëherë se merrej me gjëra të tilla. Unë kam përshtypjen se ai ka rënë viktimë e këtij trafiku, se nuk ka shpjegim tjetër.

Vjehrri i Fekës: Lajmin e mësuam nga televizioni
Majori Sokol Feka ka lindur në Kuçovë dhe prej 18 vitesh ishte pjesë e Forcave të Armatosura. Vjehrri i tij, Hetem Cenaj tha dje se lajmin e kishte marrë vesh nga televizioni.
A kishte vajza juaj dijeni se Sokoli po ikte jashtë?
Po, vajzës i kishte thënë se po ikte jashtë shtetit, por jo se po merrej me këtë punë. I kishte thënë se do ikte të rregullonte disa helikopterë, sepse e kishte dërguar puna.
Kur ka folur për herë të fundit me vajzën tuaj?
Me vajzën kishte folur një ditë para se të ndodhte ngjarja dhe i kishte thënë se edhe pak punë kishte dhe do kthehej në Shqipëri ditën e mërkurë.
Kishit dijeni se dhëndri juaj merrej me këtë punë?
Sokoli ka qenë profesionist në ushtri, por ne nuk kishim dijeni për këto punë. Nuk e dimë se çfarë ka ndodhur, ne edhe lajmin e mësuam nga televizori. Sokoli dhe vajza ime kanë bërë një jetë normale dhe jo të pasur.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb