PUKË- Një makinë me 3 persona ka rënë në humnerë mëngjesin e sotëm në rrugën e Komanit. Automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë 20 metra poshtë në humnerë, duke rrezikuar që të përfundojë në ujërat e lumit Drin, ndërsa ka mbetur i plagosur drejtuesi i mjetit 20-vjeçari Zef Lulashi.

Ngjarja ndodhi rreth orës 9:15 të së shtunës në rrugën e Komanit, në fshatin Mllojë të njësisë administrative Vau-Dejës. Automjeti tip “Land Rover” me targa AA 126 KR që drejtohej nga 20-vjeçari Lulashi si pasojë e shpejtësisë ka dalë nga rruga dhe mjeti është rrokullisur 20 metra duke përfunduar në një shkëmb i cili e ka shpëtuar drejtuesin e saj që të mos binte në lumë çka do të ishte fatale për të.

Dëshmitari okular në vendin e ngjarjes Smajl Geci, një çoban i zonës rrëfen momentet e ngjarjes, ndërsa ka qenë personi i cili i ka dhënë ndihmën e parë të plagosurit.

Drejtuesi i mjetit është transportuar në spital dhe sipas bluzave të bardha ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ku paraprakisht dyshohet se shkaku ka qenë drejtimi i parregullt i mjetit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: