TIRANË- “Universiteti ‘Luarasi’ nuk synon të bëhet i madhi por synon të bëhet më i miri”. Kështu ka deklaruar Rektori i Universitetit “Luarasi”, Arben Malaj në një intervistë në rubrikën në News24.

Ai ka thënë se studentë shumë të mirë dhe me mesatare të lartë e kanë zgjedhur këtë universitet duke sqaruar se do të ketë edhe bonuse për më të mirët deri në 50% ulje.

Po kështu Malaj ka folur edhe për synimin tjetër të rëndësishëm të universitetit “Luarasi” për të patur qendrën më të mirë kërkimore shkencore.

Është caktuar tashmë me anë të një udhëzimi nga MAS se më 20 tetor nis viti i ri akademik. Çfarë ofron Luarasi për këtë vit të ri akademik?

Patjetër që është një sfidë e madhe për të gjithë ne stafin akademik të Luarasit fillimi i vitit të ri akademik. Sigurisht për vitet e dyta, të treta në të dyja programet ne jemi bërë gati në përzgjedhjen e stafit akademik, në rishikimin e kurrikulave dhe për një fillim sa më të mbarë për studentët.

Sfida është viti i parë për shkak se jemi akoma në procesin e regjistrimeve. Ka një rivlerësim të universitetit të “Luarasit” në raundin e dytë, jemi të kënaqur që studentë me rezultate të mira e kanë përzgjedhur, jemi të kënaqur që ka studentë që këmbëngulin që duan të presin për ta provuar si mundësi më të mirë “Luarasin”, sigurisht që udhëzimi e jep këtë mundësi, pra të gjithë studentët dhe prindërit e tyre që e kanë përzgjedhur “Luarasin” si zgjidhjen e tyre më të mirë, nuk duhet të kenë asnjë shqetësim se mund ta fitojnë apo jo këtë mundësi, pasi si gjithë studentët kanë zgjedhur nga 10 oportunitete, gjithnjë e më tepër, disa zgjedhin të vijnë tek Luarasi, disa shkojnë tek publiku, disa tek privatët por ata që realisht e kanë përzgjedhur “Luarasin” janë patjetër fitues sepse procesi është i tillë që edhe pas raundit të dytë ka një proces tjetër që studenti i radhës vjen gjithnjë e më lart dhe shpallet fitues. Ne po i ndjekim me shumë kujdes.

Keni edhe ju vijën e kuqe?
Të gjitha universitetet publike dhe private në bazë të vlerësimit që kanë bërë për ambientet që mund t’iu ofrojnë studentëve sipas normave moderne, për stafin akademik kanë depozituar në ministrinë e Arsimit kuotat e mundshme për degët në nivelin e parë dhe në nivelin e dytë dhe brenda këtij limit patjetër që ata kanë të drejtë të marrin studentë deri tek i fundit që është në listë që ka përzgjedhur “Luarasin” apo që ka përzgjedhur një universitet tjetër.

Sot patjetër që kemi edhe një lajm shumë të mirë. Duke folur bashkë me pronarin e Universitetit, me stafin akademik, kemi qartësuar njëherë e mirë skemën e bonusit e cila ka në themel dy elementë: duam të zgjedhim më të mirët tek “Luarasi” nga ata që kanë aplikuar por që për arsye të ndryshme do të kenë nevojë edhe për bonus dhe të gjithë studentët që janë me mesatare 10 dhe kanë përzgjedhur “Luarasin” do të kenë një ulje deri në 50%. Por dikush që e ka mundësinë vetë, mund ta lërë këtë bonos për ta përdorur një student i grupit të dytë që është me mesatare 9.5 deri në 10 që ata kanë deri në 30%.

Njëkohësisht i kemi dhënë një fokus të veçantë edhe aspektit social për studentët tanë pasi realisht ka studentë shumë të mirë por që mund të kenë prindërit pa punë, apo që kanë prindërit e sëmurë dhe i kemi parë një nga një rastet me një dashamirësi njerëzore dhe jo thjesht si një mundësi për të qenë patjetër tek universiteti ynë se do paguajë një kuotë të caktuar.

Ndihem mirë që edhe nga kontaktet që kam pasur dhe duam të fusim një përvojë të mirë në Universitetin e “Luarasit” që të jenë pikërisht alunët, ata që kanë studiuar në “Luarasi”, stafi akademik, lidhjet tona me biznesi që jo të financojnë “Luarasin” por studentët që aplikojnë edhe në universitete të tjera po sidomos ne tek “Luarasi” që do jemi gjithnjë në kontakt me këta, të mund të kenë një mbështetje në formë Bonusi, e cila do të jetë jo thjesht një para e dhuruar por do të jetë një investim për studentët tanë të mirë.

Njëkohësisht këta studentë mos ta marrin thjesht si një grant bamirësie por të ndiejnë detyrimin që edhe në një orë që krijohet midis pushimeve, nëse kompania do t’i krijojë një shërbim, të kryejë një studim, t’i ndërtojë disa statistika, t’i bëjë një krahasim, t’i përgatisë një propozim alternativ, këta studentë të jenë ata që janë, ta bëjnë me shpirt, në mënyrën më të mirë të mundshme dhe jo vetëm që punojnë por edhe mësojnë dhe krijojnë një lidhje më të fortë me kompanitë. Pra jemi duke e parë në të gjithë mundësitë jo vetëm si Luaras por edhe një kulturë e re. Si komb dhe si vend ne kemi nevojë për një kulturë të re. Biznesi i vendit tonë ka mundësitë, duke i riparo pak ato shpenzimet e pamirëmenaxhuara që të jetë pjesëtar i suksesit për një edukim të brezit të ri shqiptar.

Ju keni nënshkruar marrëveshje me BiznesAlbania, ku konsistojnë?
Po, me Biznes Albania dhe Dhomën e Tregtisë. Dua ta falënderoj Biznes Albania. Thelbi i marrëveshjes është ky ‘të mësojmë duke punuar’, pra siç u theksua nga të dy kryetarët e dhomave të tregtisë, kompanitë të jenë auditorët ku studentët të vazhdojnë të mësojnë, duke bërë punë konkrete dhe njëkohësisht ne duam që të rrisim cilësinë e asistencës për këto kompani private. Pra stafet tona akademike dhe studentët që kanë aftësi për punë kërkimore-shkencore të jenë mbështetësit kryesorë kur bizneset e këtyre dhomave për studime më të thelluara, kanë nevojë për të aplikuar në projekte qoftë brenda vendit, qoftë jashtë vendit. Unë e kam thënë edhe herë tjetër dhe e theksoj prapë “Luarasi” nuk synon të bëhet i madh por synon të bëhet më i miri.

Nuk po vrapojmë të hapim sa më shumë degë në mënyrë që të kapim çdo student në Shqipëri, jemi fokusuar, kemi filluar nga puna dhe do të jemi Universiteti që synojmë që të kemi qendrën më të mirë kërkimore shkencore, e cila edhe ndihmon studentët tanë që të jenë më të mirët në treg por njëkohësisht edhe qeverisjen e vendit, pasi studimet që do të bëhen nga “Luarasi”, nga stafi akademik dhe nga bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtarë do të jenë shumë kredibile, shumë serioze dhe do të jenë konkurruese. Pra, ne do të synojmë sa më shpejt të jetë e mundur duke reflektuar të gjithë hapat ligjorë që Qendra kërkimore-shkencore “Luarasi” të jetë konkurruese në këtë lloj projektesh.

Synoni të arrihet edhe në Shqipëria ajo që qeveritë t’u referohen një studimi universitar siç ndodh në botë?
Patjetër, nëse nuk e bëjmë këtë ne universitetet është e kotë të akuzojmë qeveritë. Përfundimisht thelbi është fondet i jep qeveria. Në fakt, kjo është një dhe qeveria mund t’i specializojë universitetet. Nëse ka studime në fushën e bujqësisë janë dy universitete që konkurrojnë se kanë eksperiencën, kanë historinë, kanë kapacitetet.

Por nuk është puna vetëm qeveria. Qeveria është një, donatorët janë dy dhe në Shqipëri fondet po shtohen dhe e treta është vetë biznesi. Është rruga më e mirë dhe kostoja më e ulët që ata t’i bëjnë këto studime me stafet akademik dhe studentë të talentuar të universiteteve tona.

A ka një udhëzim të caktuar për maturantët që nuk fitojnë atë që duan në UT, t’i drejtohen Luarasit?
Unë besoj, që e para ata duhet të kenë zgjedhur Luarasin ose çdo universitet tjetër që do shkojnë. Por duke iu përmbajtur edhe asaj që kryeministri deklaroi, pra çdo student që është mbi notën limit, por pavarësisht nga pakujdesia, nga hutimi apo 100 arsye të tjera nuk ka arritur të zgjedhë universitetin që dëshiron dhe atje ka akoma kuota bosh, unë mendoj që qeveria duhet t’i japë një zgjidhje. Pse? Sepse qeveria ka bërë dy gjëra për të cilat mendohet se ligji i detyron të angazhohen.

Pjesa tjetër duhet lënë universitetit dhe studentëve. Ka përcaktuar notën minimale, ka përcaktuar edhe tavanin se sa duhet të afrojë një universitet. Po marr një rast konkret që ka universitete që në degë të ndryshme diku kanë kërkesa më shumë, diku kanë kërkesa më pak por në total janë brenda limitit që ka përcaktuar qeveria.

Atëherë duhet krijuar parimi i enëve komunikuese sepse parimi i kapaciteteve për të trajtuar një numër të caktuar studentësh në një degë të caktuar është e para logjistikë, si kusht i detyrueshëm dhe thelbësor është stafi akademik. Fatmirësisht për staf akademik këtë u kam thënë edhe kolegëve të mi në Universitetin Luarasi, oferta është rritur. Pra ka më shumë, jo vetëm nga Shqipëria. Ka shqiptarë të talentuar që kanë bërë mastera shkencorë në vende të BE-së, Amerikë dhe në vende të tjera që kanë qejf të angazhohen. Mund të them vetëm një fakt.

Aktualisht ne po shikojmë për të marrë staf të ri, duke respektuar stafin e përkushtuar që ka bërë atë emrin e mirë të Luarasit për çdo vakant por edhe për një filozofi që ne duam ai që e jep mësimin, sidomos këta që japin shkenca konkrete në pjesën e seminareve speciale të jenë ata që e bëjnë punën.

Pra, në qoftë se flasim për një seminar special për bankat, brenda masterit për bankën dhe financën ne pëlqejmë punonjës të sistemit që kanë një gradë shkencore, minimalisht një master shkencor dhe që e bëjnë atë punë përditë. Në mënyrë që pjesën teorike e shpjegon profesori si një studiues i mirëfilltë, ndërsa seminarin duhet ta japë ai që e bën. Kjo na ndihmon edhe ne edhe biznesin. Nuk ka rrugë më të mirë që biznesi të njohë punonjësit se sa ta ketë në klasë për një vit rresht. Ajo që unë mendoj që qeveria do të gjendet përballë një kërkese dhe duhet ta shikojë me dashamirësi maksimale është që në parimin që duhet të respektojë notën dhe ka akoma kapacitete të lira, studentët në rastin e fundit duhet lënë që ta zgjidhin ata.

Një student që del nga shkolla e mesme dhe hyn në sistemin universitar, çfarë gjen tek “Luarasi”?
Edhe për mua vetë, pavarësisht se kam qenë për një kohë relativisht të gjatë, është tjetër gjë të jesh pedagog, tjetër gjë të jesh menaxher dhe rektor i një universitetit. Pra, po mundohem të kuptoj cila është vendimmarrja e tyre, cili faktor ka ndikuar më shumë. Ndikon shumë komuniteti shoqëror. Dëgjoj shumë studentë të talentuar që thonë unë do vij këtu sepse këtu kanë ardhur edhe shokët e mi. Ndikon emri, ndikon stafi akademik, pra ka shumë faktorë.

Aty gjen një mënyrë si të udhëzohet…
Sapo hyn ka një mirëseardhje pa buqetë me lule se nuk kemi kohë për këto shpenzime. Janë të ndarë. Është pjesa e angazhuar e stafit që unë dëshiroj ta falënderoj se punojnë deri në 9 të darkë, që mirëpret, që sqaron, që lehtëson regjistrimin. Jam unë bashkë me administratoren e përgjithshme që presim çdo familjar.

Çdo student që ka një kërkesë për një sistem bonusi, ka një formular të standardizuar, mbi të cilat duhet të na thotë tre arsyet se përse e do atë bonus që ne të bindemi. Sepse nuk është grant, është diçka që i hiqet dikujt tjetër dhe i jepet këtij. Dhe njëkohësisht pastaj ka shumë prindër që kanë merak. Më këmbëngulësit që të harxhojnë më shumë kohë janë gjyshet ose gjyshërit që vijnë bashkë me nipin ose mbesën. Dhe pyetja ime e parë është, ‘ju që keni ardhur këtu keni marrë përsipër ndonjë pjesë të kostos’? Realisht është për të mësuar nga ai brez, se sa gjenerozë janë. Thonë unë kam ardhur këtu jam pensionist. Nuk janë njerëz të pasur, janë njerëz që në thelb kanë sakrificën dhe dëshirën që nipi dhe mbesa të ketë një shkollë. Ata meritojnë një mirënjohje të veçantë.

Ndërkohë, zoti Malaj është ende herët t’ju pyes për masterin për doktoraturën. Si funksionon në ‘Luarasi’, ose si do të funksionojë këtë vit?
Për masterin ka një shtyrje të afatit. Ne kemi patur një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe me Ministrinë e Arsimit dhe sinqerisht dua ta falënderoj. Kemi gjetur një bashkëpunim efikas. Kemi marrë sqarimet, kemi parë një lloj fleksibiliteti. Situata që u krijua mund të ketë 100 arsye, por përballimi i saj për të krijuar sa më pak stres tek studentët dhe prindërit ishte e pamundur në qoftë se të gjithë universitetet së bashku nuk do të punonim me të njëjtën dashamirësi dhe me të njëjtin përkushtim. Sa më pak debat politik të bënte politika aq më të qetë do ishin studentët.

Është momenti të presim mbarimin e raundit të dytë. Kemi raundin e tretë që shkojmë deri tek vija e kuqe dhe deri tek i fundit që dëshiron të vijë aty. Në qoftë se do të ketë akoma hapësira të pashfrytëzuara, ose mund të ketë kërkesa për rritje kapacitetesh, por të verifikuara për logjistikën, sipërfaqja për student, hapësirat etj, unë mendoj që të rinjtë shqiptarë meritojnë fleksibilitet maksimal që në raundin e fundit, duke plotësuar këto dy kushte, të zgjedhin ku ata dëshirojnë të venë.

(m.k/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: