Mali i Zi është një hap më afër që të bëhet anëtari i 29-të i NATO-s. Ratifikimi i traktatit për pranimin e Malit të Zi në aleancë tejkaloi një pengesë procedurale të hënën në senatin amerikan, i cili do të mblidhet për një votim përfundimtar më vonë gjatë kësaj jave, shkruan VOA. Miratimi i traktatit kërkon dy të tretat e votave në senat dhe pas kësaj presidenti mund të ratifikojë atë.

Nëntëdhjeteshtatë senatorë e mbështetën këtë proces.
“Miratimi do të përmirësonte sigurinë. Ai do të forconte aleancën dhe do të dërgonte një mesazh të vendosur tek Rusia”, tha senatori Ben Cardin. “Asnjë vend jashtë aleancës nuk mund të vendosë veto ndaj asaj se kush mund të bashkohet, posaçërisht Rusia. Prandaj ne duhet të dërgojmë një mesazh të fortë”, tha ai.

Më herët gjatë këtij muaji, sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, i dërgoi një letër senatit që të miratojë traktatin para takimit të lartë të NATO-s në muajin maj, në të cilin do të marrin pjesë presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare.

“Pjesëmarrja e Malit të Zi në takimin e NATO-s si anëtar i plotë dhe jo si vëzhgues, do të dërgonte mesazhin e fuqishëm për unitetin transatlantik dhe që asnjë palë e tretë nuk mund të ketë fuqinë e vetos mbi vendimet e NATO-s.” shkruante sekretari Tillerson. Sipas tij, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, do të përcaktonte një kufi të ngjeshur të NATO-s, përgjatë bregut të Detit Adriatik.

Mali i Zi është në mes të përplasjeve ndërmjet perëndimi dhe Rusisë mbi ndikimin në Ballkan. Rezultati mund të përcaktojë orientimin e rajonit: drejt NATO-s e Bashkimit Evropian apo prapa në sferën ruse të ndikimit.

Anëtarësimi i Malit të Zi duhet të ratifikohet nga 28 vendet anëtare të NATO-s para bashkimit formal të tij në aleancë, Vetëm tri vende anëtare nuk e kanë përmbyllur miratimin. Votimi në senatin amerikan është bllokuar për disa muaj nga dy senatorët republikanë, Rand Paul dhe Mike Lee, që kundërshtojnë zgjerimin e aleancës ushtarake.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: