Renato Malota të dielën luajti për herë të parë si kundërshtar në fushën e Kukësit, por emocionet nuk e penguan mbrojtësin lezhjan që të bëjë një nga ndeshjet më të mira me fanellën e kuqe.

Për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i Kukësit tregon emocionet e takimit, marrëdhëniet me tifozët dhe lojtarët kundërshtarë. Sipas Malotës, barazimi ishte rezultati më i drejtë, por e mira do të ishte që të fitonin dhe të afroheshin më shumë me kreun. Mbrojtësi pohon se Partizani nuk është vetëm, pasi ka përkrahjen e tifozërisë më të mirë në vend dhe në bashkëpunim me ta do të luftojë deri në fund për fitimin e titullit kampion.

Për herë të parë keni luajtur si kundërshtar në stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit. Si u ndiet me statusin e ish-kapitenit?

Ishte një ndjesi e veçantë dhe shumë e bukur për mua në këtë takim. Realisht u ndjeva mjaft mirë, sepse kuksianët më pritën me duartrokitje dhe gjej rastin t’i falënderoj për pritjen.

Po ngacmime a patët nga publiku apo ndonjë nga ish-shokët e ekipit?

Loja sjell momente dhe situata nga më të ndryshmet, por çdo gjë shkoi mirë, si me ish-shokët e ekipit të Kukësit, ashtu dhe me tifozërinë.

Sa e vështirë ishte të mbulonit dyshen Pejiç-Emini? Madje me ta disa herë u sqaruat gjatë ndeshjes…

Të dy janë lojtarë cilësorë, por mendoj që ne si mbrojtje arritëm t’i mbulonim mjaft mirë në fushën e lojës. Pata një keqkuptim me Pejiçin në fillim të ndeshjes, por janë gjëra normale që ndodhin në futboll.

Keni qenë ndër më të mirët në fushë, si e vlerësoni transfertën e Kukësit dhe rezultatin përfundimtar?

Sa i përket paraqitjes sime, besoj që nuk më takon mua të flas, pasi vlerësimet i japin të tjerët. Personalisht mundohen të jap më të mirën në çdo ndeshje. Takimi u luajt në një ambient festiv, ishte i fortë dhe i luftuar nga të dy ekipet. Sa i përket rezultatit, mendoj që barazimi ishte i drejtë për të dy ekipet. Mendoj se ishte një ndeshje pozitive për ne, pavarësisht se fitorja do të na afronte më shumë me rivalët direktë.

A mund të themi se barazimi mes Kukësit dhe Partizanit i vlejti më shumë Skënderbeut, që kthehet sërish në krye?

Ne shikojmë punën tonë dhe nuk dua të merremi me këto situata. Neve si lojtarë të Partizanit na del për detyrë që të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje, për të marrë më të mirën e mundshme. Ndaj, me këtë mision, do të vazhdojmë deri në fund të sezonit.

Malota vs Kukesi 2

Partizani ndodhet 4 pikë larg kreut. Sa shanse keni për të dalë kampion dhe kë shikoni si rivalin më të fortë, Kukësin apo Skënderbeun?

Katër pikë mund të jenë shumë, por nuk janë edhe asgjë. Kemi edhe 13 ndeshje për të luajtur deri në fund të kampionatit. Për mua, shanset për të dalë kampion janë të barabarta mes tri skuadrave të para. Nuk kemi frikë asnjërën nga dy ekipet e para. Më shumë i frikësohemi vetes sonë sesa Kukësit dhe Skënderbeut.

Në kuadrin e shpërthimit të aleancave në Superiore, thuhet se Partizani është i vetëm. Mendoni se mund t’ia dilni kështu dhe cili është komenti juaj për këtë fenomen?

Nuk na takon neve si lojtarë që të merremi me këto gjëra. Ndaj, këto fenomene ua lëmë të tjerëve t’i gjykojnë. Partizani nuk është vetëm, pasi kemi përkrah një nga tifozëritë më të mira në vend. Të gjithë bashkë do të bëjmë të pamundurën që ta bëjmë realitet objektivin, fitimin e titullit kampion.

Viti 2017 ka nisur mbarë për ju te Partizani. Si e shikoni të ardhmen?

Për momentin jam i përqendruar vetëm tek objektivi që kemi si klub. Është herët për të folur për të ardhmen time, por do të mundohem të bëj më të mirën për Partizanin deri në fund të kampionatit.

Në fund, mund të na sqaroni diçka rreth incidenteve që ndodhën të dielën në stadiumin e Kukësit me tifozët e Partizanit?

Të jem i sinqertë, nuk e mora vesh se çfarë ndodhi. Mendoj se do të ketë qenë ndonjë keqkuptim mes tifozërive. Nuk më pëlqeu ndërhyrja e policëve, pasi po reagonin shumë ashpër kundër tifozëve të Partizanit. Mirë është që situata të tilla të mos përsëriten në vazhdimësi, pasi i prishin bukurinë një ndeshjeje futbolli dhe largojnë tifozët nga stadiumet./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: