Manchester United ka fituar me rezultat të ngushtë 2-1 në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës FA ndaj Tottenham Hotspur.

Skuadra e Jose Mourinhos ka arritur të fitojë ndaj Spurs në një ndeshje të fortë, ku Djajtë e Kuq fituan me rikthim.

Pjesa e parë e takimit ishte e barabartë, me të dyja skuadrat që arritën të shënojnë nga një gol në këta 45 minuta.

Të parët që kaluan në epërsi ishin Tottenhami, ku në minutën e 10-të të ndeshjes Dele Alli shënoi nga afërsia për 1-0 pas asistimit të Christian Eriksen.

Në minutën e 24-të të ndeshjes, Alexis Sanchez barazoi shifrat në 1-1 pas asistimit të Paul Pogbas dhe skuadrat në barazim shkuan në pushim.

Në pjesën e dytë, përsëri u zhvillua lojë e barabartë, por ishin vetëm Djajtë e Kuq ata të cilët arritën të shënojnë, raporton tg.

Luhej minuta e 62-të e ndeshjes kur Ander Herrera shënoi një gol të bukur për 2-1 pas asistimit të Alexis Sanchez dhe me këtë gol ia siguroi fitoren Unitedit.

Me këtë fitore, skuadra e Jose Mourinhos arrin në finale të Kupës FA, ku do të ndeshet me njërën mes Chelseat dhe Southamptonit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb