Nga: FATMIRA NIKOLLI*
Duket si kronika e një ngjar je të paralajmëruar. Të gjithë e dinin se ç’po ndodhte e prapë, askush s’e shihte. Një mur i Shek.II pas Krishtit, pra rreth 1800-vjeçar ka rënë më 29 dhjetor në Butrint, Park Arkeologjik i mbrojtur nga UNESCO, një prej perlave të trashëgimisë sonë kulturore. Prej tij, është shembur rreth 10 metra gjatësi, ndërsa lartësia e tij është 7 metra. Një pjesë tjetër e tij, që është ende në këmbë, pret vënien e strukturave mbajtëse, në të kundërt, do shembet, e madje do të dëmtojë edhe një kishë bizantine. Nuk duket të jetë mungesa e fondeve arsyeja që çoi në këtë ngjarje, ose jo aq mungesa e fondeve se sa arsye të tjera. Nëse fondet kanë qenë, dhe nëse dihej gjendja e tij, pse nuk u shpëtua?! Drejtori i këtij parku, Gjergji Mano tha dje gjatë një interviste (telefonike) për “Gazeta Shqiptare” se shkak i shembjes së murit, kanë qenë reshjet dhe ndërhyrjet mesjetare në të. Këto të fundit, sipas Manos, kanë ndikuar për shkak të materialeve të dobëta. Ndërkaq, për fat të keq, gjendja e tij, ishte vënë re, pra dihej që nuk do të shtynte gjatë. Megjithatë, për fat të keq, masat nuk u morën në kohë, dhe sot, më saktë prej dy javësh, gurët e murit e kanë parë veten të shpërndarë. Paçka kësaj, Mano, bën me dije se ka një strategji për zonat e rrezikuara në Butrint dhe se për murin në fjalë, kishte një projekt kur thotë: “Edhe ky mur që ra papritur gjatë festave, në datën 29 dhjetor ishte parashikuar si projekt për konservim”. Më poshtë intervista e tij.

Z.Mano, një mur romak në Butrint ka rënë, pse? A keni ju një plan apo strategji për konservimin e zonave të rrezikuara atje?
Po kemi. Në Butrint, ka disa fragmente muresh që për shkak të lashtësisë, kohës dhe faktorëve klimaterikë dhe gjendjes tektonike atje, por edhe për shkak të ekuilibrave të fluksit, dhe kapacitetit mbajtës që ka siti, kanë rreziqet e veta pa dyshim. Ka pasur në mënyrë të vazhdueshme plane të tilla. Edhe në buxhetin e këtij viti, që jemi duke miratuar në bord, ne kemi parashikuar disa fonde me detyra përkatëse projektimi, për hartimin e studimit nga specialistët e fushës dhe zbatimin e tyre. Edhe ky mur që ra papritur gjatë festave, në datën 29 dhjetor ishte parashikuar si projekt për konservim. Ndodhi emergjenca, fragmenti ra për disa shkaqe, dhe atëherë ne komunikuam zyrtarisht me IMK, dhe me drejtorinë përkatëse në ministri dhe me DRKK në Vlorë. U dërguan me urgjencë specialistët se unë nuk kam specialistë.
Nuk keni specialistë?
Unë kam specialistë monumentesh, por specialistë përkatës që merren me restaurime dhe konservime i ka DRKK e Vlorës. U bë procesverbali për situatën përveç relacionit tonë, u bë një edhe nga specialistët e DRKK që janë të përgatitur për këtë fushë, u bë një preventiv dhe një skicë, që e shoqëron atë dhe iu dërgua sekretarisë teknike të IMK-së dhe pritet që ditën e hënë do të bëhet mbledhja për të dalë me vendim në lidhje me fondin që do të prokurojmë. Pas kësaj, për 24 orë shpallet firma fituese dhe për 15 ditë do të jenë bërë suportet, strukturat mbroj-tëse për ato pjesë të murit që duhet. Brenda 6 muajsh do të ndërhyhet në mënyrë konservuese, tek ajo pjesë që ka rënë. Nuk është se na mungojnë të ardhurat por duhet të ndjekim praktikën e duhur ligjore.
A ka lidhje rënia e murit me prerjen a heqjen e bimësisë? Pse ra muri?
Jo, s’ka lidhje. Ne kemi fotografi. Fragmenti kryesor i murit është romak, por duket se ka ndërhyrje gjatë periudhës mesjetare, sepse duken materialet e kësaj periudhe, ndaj u rrëzua dhe pati këtë pasojë. Si ky fragment, ka edhe një fragment tjetër.
Pse u rrëzua muri? Për shkak të ndërhyrjeve në periudhën mesjetare në të?
Mendohet të jetë kjo, sepse është dobësi e materialit të përdorur. Përveç kësaj, ka pasur shira e reshje. Ndaj edhe ndodhi kjo situatë. Ne nuk kemi bërë ndërhyrje mbi mur për vegjetacionin sepse nuk na lejohet. Heqja e vegjetacionit bëhet me ndërhyrje konservuese, nuk mund të ndërhyjmë ne në monument. Madje ka edhe pemë për të cilët thërrasim specialistët sepse heqja e pemës çon në tharje të trungut dhe rrënjës dhe krijohen të çarat që çojnë në erozion.
Si i komentoni videot e transmetuara në “NEWS 24”, videot e prerjes së pemëve?
Unë jam emëruar në gusht në këtë detyrë dhe nga eprorët e mi, m’u kërkua mbajtja nën kontroll e vegjetacionit dhe kërkova nga Ministria e Mjedisit, hartimin e një plani masash për periudhën në vazhdim. E kam marrë dhe protokolluar dhe miratuar. Kemi punuar mbi të dhe në zbatim të një plani menaxhimi mjedisor që mbaron në vitin 2015 dhe ne do e rishikojmë, për ta rifituar në planin e integruar të menaxhimit të Butrintit që përfshin gjithë sektorët arkeologjikë, monumente, turizëm dhe mjedis. Në bazë të këtij plani, ka pasur raporte mujore mbi ç’po bëhej, me foto para dhe pas ndërhyrjes.
Pra janë prerë për të eliminuar bimësinë e tepërt?
Jo. Fola për plan masazh me katër pika, ku mes tyre ishin: Mbajtja nën kontroll e vegjetacionit tek monumentet, hapjen e shtigjeve mjedisore për të lehtësuar kalimin e zjarrfikëses dhe pastrim të një sipërfaqeje me shkurre jashtë rrethimit. Ka pasur eliminim të dy palmave të sëmura nga buburreci i kuq dhe janë prerë degët e eukaliptit që binin mbi biletari, dhe pemë të thara. Këtë që po ndodhin tregojnë se bashkëpunimi mes institucioneve duhet të jetë më i mirë dhe i rregulluar sipas ligjeve.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb