Një flotë kineze prej katër anijesh kreu manovra në Detin e Japonisë, pranë Koresë së Veriut, para se të drejtohej për në portin rus të Vladivostokut për stërvitje të përbashkëta tokësore dhe detare me Rusinë. Moska po kryen stërvitjen më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë, në zonat pranë kufijve të saj veriperendimorë. Manovra, e koduar me emrin Zapad 2017, përfshin stërvitje të përbashkëta me Bjellorusinë. Aleanca e NATO-s po vëzhgon nga afër stërvitjet dhe thotë se ato përfshijnë gati 100 mijë forca – jo 12,700 siç pretendon Moska – si dhe raketa balistike me aftësi bërthamore.

Rusia dhe Bjellorusia thanë se stërvitjet përgjatë kufijve të tyre perendimorë – deri në Kaliningrad dhe përtej Shën Petersburgut –janë tërësisht të natyrës mbrojtëse.

“Më 17 shtator, fillon një fazë e re e stërvitjes. Gjatë kësaj faze, ne do të praktikojmë metodat tona për operacione të trupave dhe forcave që kryejnë veprime ushtarake për të zbrapsur një agresion ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë”, thotë Vladimir Makarov, zëdhënës i ministrisë bjelloruse të Mbrojtjes.

Por vëzhguesit ushtarakë thonë se stërvitjet përfshijnë pushtimin imagjinar të dy vendeve fiktive të ngjashme me Poloninë dhe Letoninë, duke i bërë këto dy vende të shqetësuara. Një analist estonez vë në dukje se Rusia kreu manovra ushtarake në shkallë të gjerë para se të pushtonte Gjeorgjinë dhe Krimenë.

“Kemi parë stërvitjet që u zhvilluan katër dhe tetë vjet më parë, dhe është shumë e qartë për ne ajo që po praktikojnë në të vërtetë, pavarësisht deklaratave zyrtare. Pjesërisht ata po praktikojnë mbrojtjen, ku ta dish se kundër kujt, por në çdo rast shohim se stërvitja ka një karakter të qartë ofensiv, përfshi kundër shteteve baltike dhe Polonisë”, thotë Kalev Stoicescu, me Qendrën për Mbrojtjen dhe Sigurinë.

Por ai shton se Bjellorusia ka më shumë arsye të ketë frikë nga një pushtim i Rusisë, se çdo vend tjetër anëtar i Natos. Moska nuk është e interesuar të provokojë aleatët perendimorë, thotë ai, por mund të gjejë gjithmonë një arsye për dislotikimin e forcave në Bjellorusi.

“Për shembull duke thënë: ‘aleatët dislokuan forcat e tyre në shtetet balltike dhe Poloni, prandaj ne do të dislokojmë tonat në Bjellorusi që është aleati ynë’. Është shumë e lehtë. Pra kjo është thjesht një përgjigje e Rusisë dhe jo një tjetër agresion’ “, thotë Kalev Stoicescu me Qendrën për Mbrojtje dhe Siguri.

Një zëdhënës për ministrinë bjelloruse të Mbrojtjes thotë se numri i trupave ruse që marrin pjesë në manovrat e përbashkëta është shumë më i vogël nga 7 mijë trupat që ka Bjellorusia.

“Në fillim të stërvitjes të gjitha njësitë e forcave ruse, rreth 3 mijë trupa u dislokuan në territorin e Bjellorusisë dhe nuk do të vijnë më njësi të tjera.”

Manovrat ‘Zapad 2017’ përfundojnë më 20 shtator. Rusia ka në plan të fillojë sot një stërvitje të përbashkët tokësore dhe detare me Kinën në brigjet e saj lindore. Të dy vendet kanë kryer tashmë manovra të përbashkëta detare në korrik në Detin Balltik të Rusisë.Synimi i deklaruar prej tyre është përmirësimi i sigurisë në oqeanët botërorë, por shumë e shohin këtë si shpalosje të forcës kundër Natos./voa/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb