Kryeministri në largim i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka thënë sot se zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 24 prill, pavarësisht dështimit të dialogut politik mes katër partive kryesore politike.

Ndërkohë, deputetët e partive në qeveri, VMRO-DPMNE dhe BDI,  kanë nisur procedurën për shpërndarjen e Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme. “Maqedonia duhet patjetër të ecë përpara. Shteti dhe qytetarët, prej një kohë të gjatë janë peng i një politike destruktive e cila kërcënonte në çdo plan.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhja më e mirë për dalje nga kriza politike. Për këtë arsye katër partitë edhe në ndryshimet e ligjit zgjedhor kanë rënë dakord se 24 prilli është afati më optimal për zgjedhje” ka deklaruar Gruevski. Kërkesa e tij është mbështetur edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që drejtohet nga Ali Ahmeti.

Opozita, nga ana tjetër, e ka kundërshtuar vendimin e partive në pushtet duke mbetur në qëndrimin se zgjedhje nuk mund të ketë pa i siguruar kushtet e nevojshme për mbajtjen e tyre në atmosferë të lirë dhe demokratike.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: