MAQEDONI- Ish kryeministri Nikolla Gruevski paralajmëron qasje të ndryshme ndaj shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtarë, nëse ndonjëherë në të ardhmen do të gëzojë përsëri postin e kryetarit të Qeverisë. Deklarata kundërthënëse e kreut ë VMRO-DPMNE-së, e shpalosur në përvjetorin e 27 të kësaj partie, vjen pas dhjetëra deklaratave të mëparshme të tij ku akuzonte shqiptarët dhe faktorin ndërkombëtarë për demaqedonizimin e vendit.

VMRO-DPMNE duhet të ndryshojë qasjen e saj në të ardhmen. T’i përmirësojë marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare në drejtim të interesave dhe qëllimeve të përbashkëta, por edhe të formojmë dhe zbatojë politika autentike ndaj bashkësive më të vogla etnike, përfshi edhe shqiptarët para të cilëve duhet patjetër t’i shpalosim bindjet tona për bashkëjetesë- deklaroi kryetar i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski.

Analistët vlerësojnë se Gruevski me deklarata të tilla vërteton dyfytyrësinë e tij. Ismet Ramadani thekson se VMRO-ja mund të ndryshojë qasje ndaj shqiptarëve por pa Gruevskin në krye.Kjo është një hipokrizi e radhës e Nikolla Gruevskit. Ai po bën përpëlitjet e fundit pasi që është në situatë ku do të ndodhet edhe para problemit brenda partiak. Më e rëndësishme është që ai me faktorin ndërkombëtarë më nuk do të ketë komunikim normal. Përfundimisht deklaratat te tij nuk mund të merren serioze sepse ato burojnë nga qëllimi që ai ta gjej veten edhe pak në parti dhe shqiptarët sigurisht nuk duhet të besojnë dhe këtu nuk ka dilemma- tha analisti Ismet Ramadani. Ndërkohë Jove Kekenovski konsideron se gjithçka çfarë Gruevski premton për shqiptarët, ka pasur mundësi ta bënte deri më tani.

Është dyfytyrësi e tij. Atë që premton, ka mundur deri tani t’ua ofroj shqiptarëve. Pse kishte një antipati kaq të madhe ndaj shqiptarëve dhe çdo konkurrenti politik të cilët i shihte si armiq të përbetuar? Pse për shkak të qëndrimit tij në funksion ne duhet të ndahemi etnikisht në çdo bazë por të distancohemi edhe me faktorin ndërkombëtarë?- tha analisti tjetër Jove Kekenovski.Ramadani dhe Kekenovski përfundojnë se Gruevski, për t’i bërë presion anëtarësisë së VMRO-DPMNE-së, jep mesazhin se do të kthehet edhe më i fortë. Sipas tyre, reformat brenda VMRO-DPMNE-së duhet të fillojnë me largimin e tij nga posti. Që kur Gruevski si ish mandatar nuk arriti të formojë shumicë parlamentare, intensifikoi paraqitjet e tij me qëndrime kundër shqiptarëve, deklaratës së përbashkët të partive shqiptare dhe propagandimin për kantonizimin dhe federalizimin e Maqedonisë. Shumë nga akuzat përfshinin edhe faktorin ndërkombëtarë të cilin e akuzoi për instalimin e qendrave të huaja për sulm ndaj pushtetit të tij, për imponimin e vendimmarrjeve si dhe organizmin e rrëzimit tij nga pushteti, përmes shërbimeve, siç i quan ai, të huaja.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: