SHKUP– Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) në Maqedoni, Aleksandar Çiçakovski dhe dy anëtarë të tjerë, Violeta Duma dhe Igor Milev, kanë dhënë dorëheqje nga posti që ushtronin që nga viti 2015.

Në një njoftim për mediat, Çiçakovski tha se dorëheqjen e ka dhënë për arsye personale, por largimi i tij nga kreu i KSHZ-së vjen disa ditë pas zbulimit të skandalit me ndarjen e pagave shtesë për anëtarët e këtij institucioni.

Skandali u denoncua nga ambasadori amerikan Jess Baily, i cili ka kritikuar formën sesi janë ndarë paratë.

Diplomati amerikan tha se vendimi ka qenë legal, por miratimi i tij me dyer të mbyllura dhe larg syve të opinionit, fliste për mungesën e transparencës për shumën e majme të parave për anëtarë të KSHZ-së.

Denoncimi i ambasadorit Baily shkaktoi një valë të madhe të kritikave në adresë të anëtarëve të KSHZ-së, ndërsa nuk kanë munguar as kërkesat për dorëheqjen e tyre. Mandati i anëtarëve të dorëhequr skadonte në vitin 2020.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb