SHKUP- Autoritetet gjyqësore në Maqedoni rihapën të hënën rastin e quajtur “Monstra”, që ka të bëjë me vrasjen e katër djemve të rinj maqedonas dhe një peshkatari në rrethinat e Shkupit në vitin 2012.

Për këtë vepër fillimisht ishin akuzuar tetë persona, gjashtë nga të cilët qenë dënuar me burg të përjetshëm. Vepra qe cilësuar si akt terrorist, por para pak muajsh lënda u ritkhye në shkallën e parë me vendim të Gjykatës së Apelit, me kërkesë të prokurorisë publike dhe të dënuarit u liruan nga burgu për t’u mbrojtur në liri.

Megjithatë, dy prej te akuzuarve, Halil Demiri dhe Afrim Ismailoviç i qenë shmangur drejtësisë, duke u arratisur në Kosovë, sipas të dhënave të autoriteteve maqedonase. Ata dy vazhdojnë të jenë të pakapshëm për organet maqedonase.

Rigjykimi i filluar në gjykatën themelore në Shkup me akuzën e vjetër, megjithatë u shtye për në muajin mars. Prokuror i ri i lëndës do të jetë Naum Panovski, i cili njihet si prokuror në rastin e Kumanovës.

Ndërkaq, pala mbrojtëse kërkon ndërrimin e këtij prokurori dhe lënien e rastit Prokurorisë së Posaçme. Njëri nga familjarët e të akuzurave, Bedri Hajdari u tha gazetarëve se shpreson që deri në seancën e radhës organi i akuzës ta tërheqë këtë aktakuzë dhe akuzën ta përfaqësojë Prokuroria e Posaçme, e cila, sipas tij, për disa muaj po merret me përgatitjen e akuzës.

Ndërkaq, Prokuroria e posaçme pret që së pari të miratohet ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve. Avokatët mbrojtës kërkojnë njoftime nga oragnet e rendit dhe hetuesia mbi veturën e dyshimtë të tipit Opel Omega, për çka fillimisht ishte thënë se ishte përdorur nga të akuzuarit për kryerjen e veprës. Po ashtu ka pasur spekulime se makin i përkiste policisë.

Ngjarja pati shkaktuar shqetësime dhe trazira; Organet e rendit të kohës patën deklaruar se rasti ishte kryer nga terroristë që kishin luftuar në betejat e Lindjes së Mesme, por asnjëherë nuk ishin ofruar dëshmi bindëse për përfshirjen e të akuzuarve, ndërsa qindra shqiptarë qenë hedhur në protesta të dhunshme para gjykatës në Shkup duke e quajtur këtë një rast të montuar kundër njerëzve të pafajshëm. Madje, edhe ish-drejtuesi i opozitës, tash kryeministër, Zoran Zaev pat thënë në një rast se në bazë të bisedave të përgjuara telefonike, persona të pafajshëm po mbaheshin në burg, por pa dhënë hollësi të tjera nëse përgjimet ofronin të dhëna mbi autorët e vërtetë të tragjedisë.

Për vrasjen e pesëfishtë pranë liqenit të Smillkovës jaë dënuar: Halil Demiri, Haki Aziri, Fejzi Aziri, Sami Luta, Afrim Ismajloviç dhe Agim Ismajloviç me burg të përjetshëm./voa/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: