SHKUP- Po zhvillohet raundi i radhës i negociatave midis kryetarëve të katër partive kryesore në Maqedoni për zgjidhjen e krizës, bën të ditur agjencia maqedonase e lajmeve INA.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka mbërritur në rezidencë ku paraprakisht kishin nisur negociatat midis liderit të VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, me praninë e eurokomisionerit për zgjerim Johannes Hahn dhe treshes së eurodeputetëve. Siç bëhet e ditur, takimit pritet t`i bashkëngjitet edhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Ahmeti është i shoqëruar nga shefi i kabinetit Artan Grubi dhe sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi.

Në kuadër të këtyre negociatave që po zhvillohen në rezidencën e ambasadorit të BE-së në Shkup, Aivo Orav, janë edhe Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn si dhe treshja e eurodeputetëve Richart Howitt, Eduard Kukan dhe Ivo Vajgl.

Mediat kanë raportuar se ardhja e eurokomisionerit Hahn do të synojë gjetjen e një zgjidhje urgjente për tejkalimin e krizës politike.

Maja Koçijançiç, zëdhënëse e zyrës së eurokomisionerit Hahn deklaroi se do të kërkohet zgjidhje urgjente e krizës dhe se palët duhet të bëjnë përpjekjet për të arritur këtë për të hapur rrugën e procesit të eurointegrimeve dhe dialogut.

Opozita maqedonase rikonfirmoi se mbetet në kërkesat e saj për dorëheqje të Gruevskit, kryeprokurorit Zvrlevskit, drejtorit të RTVM-së dhe të gjithë zyrtarëve të prekur nga përgjimet, ndërsa si zgjidhje e përkohëshme është qeveria kalimtare.

VMRO-DPMNE e Nikola Gruevski deri tani ka hedhur poshtë zërat për dorëheqje dhe se do të vazhdojë të kërkojë formula të tjera për zgjidhjen e krizës.

Nga ana tjetër, partitë shqiptare siç paralajmëruan kanë një axhendë me kërkesa që në fokus do të jenë çështje që kanë të bëjnë me avancimin e pozitës së shqiptarëve.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: