Eurokomisioneri Johannes Hahn dhe tre parlamentarët evropianë që e shoqëronin gjatë vizitës në Shkup, i dhanë ultimatumin e fundit kreut të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevskit, se duhet ta respektojë kushtetutën e vendit dhe së bashku me presidentin Ivanov duhet të lejojnë formimi e qeverisë së re.
“I takuam sot përfaqësuesit e partive parlamentare. Ne përsëritëm shumë qartë se të gjithë liderët e vendit, duke përfshirë edhe Presidentin, tani duhet të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Në një demokraci, të gjithë duhet të pranojnë shumicën parlamentare”, thuhet në fillim të deklaratës së KE-së. Gjithashtu i bëhet thirrje presidentit Ivanov që urgjentisht të rishqyrtojë pozicionin e tij.
“Përfundon udhëtimi në Shkup. Të gjitha palët duhet të shikojnë përpara, të nxjerin vendin nga kriza dhe ta fusin sërish në rrugën e BE-së”, shkroi Komisioneri europian i Politikave të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn, në Twitter. Ai gjithashtu i bëri thirrje të gjithë liderëve politikë, përfshirë edhe presidentin, që të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe të pranojnë shumicën parlamentare.
“Ne inkurajojmë presidentin, që të rishikojë urgjentisht pozicionin e tij. Formimi i sa më shpejt i koalicionit është e vetmja mënyrë që vendi të kthehet në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, tha komisioneri.

(I.Ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb