MAQEDONI- Lideri opozitar maqedonas Zoran Zaev ka lëshuar sot “bombën” e radhës në lidhje me përgjimet e kryera sipas tij nga kryeministri dhe kreu i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski.

Në materialet e publikuara bëhet fjalë për rastin e montuar me Lube Boshkovskin dhe arrestimin e tij. Lideri i LSDM publikoi të dhëna lidhur me vrasjen e të riut Martin Neshkovski dhe tentativat e pushtetit për ti penguar protestat e opozitës, raporton INA.

“Këtë që do ta dëgjoni sot është e tmerrshme. Do të shihni se në çka janë të përgatitur dhe deri ku mund të shkojnë Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij. Nuk ka gjyqësi, nuk ka polici, nuk ka sistem. Gjithçka është e dirigjuar nga familja Gruevski dhe njerëzit tjerë rreth tij. Po e publikojmë rastin e montuar me Lube Boshkovskin. Do të shihni si është planifikuar ky arrestim”, tha Zoran Zaev.

Në konferencën me gazetarët fillimisht u prezantua biseda e ministres së punëve të brendshme Gordana Jankullovska me shefin e kabinetit të kryeministrit, Martin Protugjer.

Ky i fundit dëgjohet duke i thënë Jankullovskës se duhet të gjej mënyrë për ti ndaluar 5 autobusët me aktivistë të LSDM-së, që ishin nisur nga Prilepi për të marrë pjesë në protestën e opozitës në Shkup.

Protugjer kërkon nga ministrja që ta urdhërojë policinë që ti ndalojë autobusët me arsyetimin e kontrollit teknik. Ajo i përgjigjet se kjo është e thjeshtë dhe se do të rregulloj këtë gjë pa asnjë problem.

Ndërkaq, në bisedën e dytë ata flasin për arrestimin e Lube Boshkovskit duke bërë plane për t’iu hakmarrë atij dhe anëtarëve të familjes duke i larguar nga puna. Biseda e tjetër gjithashtu lidhet me arrestimin e Boshkovskit.

Në incizimin e publikuar dëgjohet se si Drejtori për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov kritikon gazetarin e Televizionit Sitel për kronikën e arrestimit të Boshkovskit.
Mijallkov i kërkon gazetarit që të transmetojë pamjet ku Boshkovski është i shtrirë për tokë nga policia e shtetit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb