Maqedonia mbetet e përkushtuar në ndërtimin e raporteve të mira me të gjitha shtetet fqinje, para se gjithash me Greqinë, me të cilën për më shumë se dy dekada ka mosmarrëveshje për çështjen e emrit. Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, para vizitës të së enjtes në Shkup të shefit të diplomacisë greke, Nikos Kotzias.

Dimitrov tha se Maqedonia dëshiron zhbllokimin e procesit të integrimit euroatlantik nga ana e Greqisë, bazuar në marrëveshjen e përkohshme mes dy vendeve, me të cilën edhe është pranuar në më shumë institucione tjera ndërkombëtare, deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për emrin kushtetues të Maqedonisë. Me rëndësi, siç tha Dimitrov, është që të “vendosim relacione të hapura dhe të shohim se çfarë është me rëndësi për Greqinë, por edhe të sqarojmë se çfarë është me rëndësi për vendin tonë”.

Shefi i diplomacisë tha se Maqedonia është e gatshme të pranojë anëtarësimin në NATO me emrin IRJM (ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë).

“Republika e Maqedonisë, në përputhje me marrëveshjen e përkohshme është e gatshme që të pranojë ftesën për tu pranuar në NATO me referencën e përkohshme me të cilën është pranuar edhe në OKB, pra me emrin ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Kjo është edhe në përputhje me marrëveshjen e përkohshme, por edhe me vendimin e gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë. Jemi të bindur se kjo do të krijonte një mirëkuptim më të madh në opinionin tonë, pasi bllokada shumëvjeçare nuk e ndihmon konstruktivitetin mes dy vendeve”, ka deklaruar Dimitrov në një konferencë në Shkup kushtuar procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

“Ne nuk duam që të nisin lojën e akuzave me Greqinë, pasi anëtarësimi jonë në NATO në fakt nënkupton aleancë mes dy shteteve. Pozicioni ynë ka qenë shumë i rrënuar viteve të fundit, kemi bërë mjaft gjatë këtyre dy muajve e gjysmë që nga formimi i Qeverisë së re, por duhet edhe shumë për të bërë që të kthejmë miqtë tanë të vjetër, të krijojmë miq të rinj dhe të japim fakte se ne nuk jemi problemi, por se qëllimi kryesor për ne mbetet stabiliteti në rajon, që rajoni të jetë shtëpia e të gjithëve, e një Evrope të bashkuar dhe stabile”, ka deklaruar Dimitrov, njofton REL.

Në konferencën kushtuar anëtarësimit në NATO ka marrë pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Shkup, Jess Baily, i cili në paraqitjen para të pranishmëve i ka dhënë mbështetje të plotë procesit të integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

“Maqedonia po kontribuon në stabilitetin global dhe rajonal. E dimë se rruga juaj drejt NATO-së ndonjëherë është frustruese, por ju keni qëndruar. Këtu është edhe mbështetja e opinionit dhe e të gjitha bashkësive etnike për anëtarësimin tuaj në NATO. Shpresojmë se qëndrimi i tillë do të vazhdojë, ne ju mbështesim dhe besoj se një ditë do të ju urojmë mirëseardhje si anëtare e re e NATO-së”, ka deklaruar Jess Baily.

Nga ana tjetër, mediat kanë transmetuar edhe pritjet e palës greke sa i përket vizitës së shefit të diplomacisë greke, e që kanë të bëjnë me forcimin e besimit të ndërsjellë, zbatimin dhe zgjerimit e masave që mund të ndërmerren nga të dyja vendet. Këto masa, siç transmetojnë mediat, janë të rëndësishme për Athinën, pasi jo vetëm që mund të përmirësojnë klimën, të konsolidojnë dhe forcojnë besimin mes dy vendeve, por mund të shërbejnë në të ardhmen për qasje në zgjidhjen e çështjes më të ndjeshme të emrit.

Për shkak të moszgjidhjes së këtij kontesti, Maqedonia nuk ka arritur ende të anëtarësohet në NATO, edhe pse sipas vlerësimeve të ndryshme ka përmbushur të gjitha kushtet që të bëhet pjesë e Aleancës. Maqedonia për shkak të kontestit nuk ka arritur të nisë as bisedimet me Brukselin për anëtarësim në Bashkimin Evropian edhe pse që nga viti 2005 ka fituar statusin e shtetit kandidat.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: