GREQI – Në Greqi rëndohet çdo ditë e më shumë drama e refugjatëve nga Siria dhe Lindja e Mesme, të cilët presin prej javësh për të dalë nga vendi, drejt shteteve të Evropës Perëndimore.

Rreth 50 000 njerëz ndodhen në gjithë Greqinë, por më e rëndë është situata e refugjatëve që janë përqëndruar pranë kufirit me Maqedoninë, në kampin e Idomenisë, ku numri i tyre shtohet cdo ditë dhe tani ka shkuar në rreth 13 000.

Refugjatët jetojnë në çadra dhe në një mjedis të degraduar, mes mbeturinave dhe baltës së krijuar nga shiu i ditëve të fundit. Rrobat e tyre janë lagur dhe refugjatët qëndrojnë të zhveshur, ndërkohë që shumë prej tyre vuajnë nga infeksioni në rrugët e frymëmarrjes.

Vetëm në spitalin dhe qendrat shëndetësore të Kilkisit, ndodhen më shumë se 20 000 refugjatë të sëmurë, mes të cilëve shumë fëmijë. Situata është alarmante, pasi çdo ditë nga ishujt hyjnë në Greqi mijëra refugjatë të tjerë.

Ndërkohë zv.ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea tha mbrëmë në Top Channel se Tirana dhe Athina kanë nisur bisedime në kuadër evropian, për t’i dhënë një zgjidhje krizës së refugjatëve. “Nuk ka marrëveshje me Greqinë për refugjatët, por ka bisedime dhe zgjidhja do të jetë në kuadrin europian”, tha Gjebrea. Me sa duket, bëhet fjalë që Shqipëria të lejojë kalimin e refugjatëve drejt Evropës qendrore, në kushtet kur Maqedonia i mban kufijtë të mbyllur.
(er.cu/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb