Njëzetegjashtë vjetori i pavarësisë së Maqedonisë po shënohet me aktivitete të shumta, ndërsa manifestimi qendror është mbajtur me një tubim para Qeverisë me moton “Maqedonia e lirë-jeton e lirë” ku para masës së tubuar kryeministri, Zoran Zaev foli për të kaluarën dhe të ardhmen e vendit, të cilin siç tha e pret e ardhme më e mirë pas krizës nëpër të cilën ka kaluar në veçanti vitet e fundit.

“Sytë e bashkësisë ndërkombëtare i kemi kthyer nga ne, pasi në mënyrë të guximshme nga një vend si gjenerator i krizës e shndërruam në motor të zhvillimit të rajonit. Ekzistojnë gjasa reale që Maqedonia të marrë rekomandim të pastër, e më pas edhe datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Gjasat janë reale që të bëhemi edhe shteti i 30-të anëtar i NATO-s”, ka deklaruar Zaev.

Maqedonia e ka arritur pavarësinë nga ish-Jugosllavia pa gjakderdhje. Më 8 shtator të vitit 1991, u organizua referendumi për pavarësi, i cili u bojkotua nga shqiptarët pasi Kushtetuta e definonte Maqedoninë vetëm si shtet të maqedonasve, për dallim nga Kushtetuta komuniste e vitit 1974, sipas të cilës edhe shqiptarët ishin popull shtet-formues me të drejta të barabarta me maqedonasit.

Kushtetuta ishte vlerësuar si gjenerator i shumë krizave që e shoqëruan Maqedoninë deri në shpërthimin e konfliktit në vitin 2001, konflikt ku që u mbyll me një marrëveshje paqësore, që çoi në ndryshimin e Kushtetutës me një ridefinim të ri të Maqedonisë, por sërish me probleme edhe 16 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, para se gjithash ato që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe dhe të drejtat tjera kolektive të popullatës shqiptare, e cila sipas të dhënave statistikore përbën 25 për qind të popullsisë dy milionëshe.

Skender Asani, historian dhe drejtor i institutit për trashëgimi kulturore të shqiptarëve, thotë se shqiptarët në Maqedoni ashtu sikur edhe ata të Kosovë dhe viset tjera shqiptare, ishin për pavarësinë e vendit, por të një republike demokratike me të drejta të barabarta me popullin maqedon, shkruan “REL”.

Ai thotë se referendumi për pavarësi u bojkotua kur qartë dolën tendencat e palës maqedonase për krijimin e shtetit një etnik, me të drejta të cunguara, madje edhe më të pakta se në regjimin e kaluar. Shqiptarët, sipas Asanit, edhe sot e kësaj dite ende nuk kanë realizuar në tërësi të drejtat e tyre, dhe fajtor për këtë, siç thotë ai, janë edhe elitat politike shqiptare.

“Nga ajo periudhë e deri në ditët e sotme shqiptarët nuk arritën që t’i plotësojnë ato artikulime që ndodhën në atë periudhë kur Maqedonia krijohej si shtet. Tani lë për të dëshiruar që elitat politike që nuk realizuan kërkesat e shqiptarëve deri në ditët e sotme”, thotë Asani duke shtuar se Maqedonia mund të ketë të ardhme vetëm me popuj me të drejtat të barabarta.

“Vetëm se me realizimin e kërkesave të shqiptarëve ky shtet mund të ketë një perspektivë të mirë për integrimin në strukturat euroatlantike. Çdo synim tjetër për mosrealizimin e kërkesave për një shtet të barabartë do të jetë në disfavor edhe për maqedonasit por edhe për shqiptarët”, thotë historiani Skender Asani.

Përveç problemeve të brendshme etnike, Maqedonia që nga periudha e pavarësisë është përballur edhe me probleme me fqinjët e saj. Greqia ende nuk e pranon emrin, për shkak se maqedonasit e tanishëm sipas Athinës, nuk kanë asnjë lidhshmëri me maqedonasit antik, por edhe për shkak të kontesteve tjera. Probleme kishte edhe me Bullgarinë për shkak të gjuhës, ndërsa me Serbinë lidhur me kishën. Probleme të hapura Maqedonia nuk ka vetëm se me Kosovën dhe Shqipërinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb