MAQEDONI– Partitë politike vazhdojnë taktizimet me oferta dhe kundër-oferta edhe 20 ditë pas dështimit të VMRO-së që të formojë qeverinë e re. BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët janë në pritje të përgjigjes nga LSDM-ja lidhur me vërejtjen e paraqitura ndaj propozimit që partia e Zoran Zaevit u kishte dërguar partive shqiptare, për avancimin e statusit të gjuhës shqipe dhe pikave tjera të platformës së partive shqiptare, disa prej të cilave janë kusht për pjesëmarrjen e tyre në qeverinë e re.

Dy partitë shqiptare që janë përfshirë në bisedime, ditë më parë thanë madje se do të ketë nga ana e tyre propozim krejt të ri për gjuhën shqipe.

Pa një marrëveshje me partitë shqiptare, LSDM-ja nuk mund të sigurojë 61 nënshkrime për të kërkuar mandatin nga Presidenti i shtetit për formimin e qeverisë së re.

Nuk janë dhënë shumë hollësi nga rrjedha e bisedimeve që po zhvillohen prej më shumë se një jave ndërmjet Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, në koordinim me Koalicionin Aleanca për Shqiptarët, që ndërlidhet me avancimin e statusit të gjuhës shqipe dhe pikave të tjera të platformës së partive shqiptare, si kusht për të deponuar nënshkrimet e deputetëve shqiptarë për partinë e Zoran Zaevit.

Artan Grubi, shef i kabinetit te liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, për Radion Evropa e Lirë shkurt ka thënë se propozim-ligji i ofruar nga Këshilli i partive politike shqiptare është absolutisht në përputhje me Kushtetutën dhe se i njëjti është i pa kompromis.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë tha ndërkaq se grupet punuese janë duke punuar intensivisht në harmonizimin e qëndrimeve sa i përket ligjit që avancon përdorimin e gjuhës shqipe.

Ndërkohë që partitë politike zhvillojnë bisedimet për ligjin e gjuhës shqipe, gjuhëtarët thonë se është më se e nevojshme që krahas ligjit që do të mundësojë përdorimin e gjuhës shqipe, me ligj të sigurohet dhe mbrojtja e shqipes gjatë përdorimit zyrtar, si dhe mekanizma që do të sanksionojnë ato institucione që do të pengojnë realizimin e kësaj të drejte nga ana e qytetarëve.

Ppas dështimit të liderit të VMRO, Nikolla Gruevski për të formuar Qeverinë, presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov doli me qëndrimin se do t`ia japë mandatin asaj partie politike që do të sigurojë shumicën parlamentare.

Pas kësaj, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka kërkuar materiale të nënshkruara si garanci nga ana e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë për realizimin e kërkesave të shqiptarëve të inkorporuara në deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare për të deponuar deputetët shqiptarë nënshkrimin e tyre në mbështetje të mandatarit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: