TIRANE– Ish-deputeti Mark Frroku ka ankimuar në Gjykatën e Apelit vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila e dënoi me me 7 vite e 6 muaj burg nën akuzën për për fshehje të pasurisë, pastrim parash dhe ndërtim të paligjshëm. Mark Frroku kërkon pafajësinë me ndryshimin e vendimit të Shkallës së Parë.
Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës dënoi me 7 vite e 6 muaj burg, ish-kreun e PKD-së, Mark Frrokun për fshehje të pasurisë, pastrim parash dhe ndërtim të paligjshëm.
Ndërkaq Gjykata e ka shpallur Mark Frrokun të pafajshëm për akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit në Belgjikë.
Pas seancës, avokati i tij mbrojtës deklaroi se ishte i pritshëm ky vendim i gjykatës pasi nuk kishte prova. “E kishim thënë nuk kishte prova për vrasjen”, deklaroi avokati mbrojtës.
Gjatë seancës gjyqësore maratonë, Frroku u shpreh se nuk kishte fshehur asnjë qindarkë leku, ndërsa gjykata pohoi se ai kishte fshehur 1.2 milion dollarë.
Fill pas mbylljes së seancës gjyqësore, avokatët e Frrokut u shprehën se gjykata nuk ka vepruar drejt për kryerjen e aktit të ekspertimit.
(d.d/BalkanWeb)