Shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Histori-Filologjisë, Mark Marku i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve të News24 tha se rezultatet fillestare të protestës së opozitës dhe idesë së Republikës së Re janë shumë të mira.

Sipas tij, Partia Demokratike përveç se ka transformuar vetveten, ka nxjerrë edhe shoqërinë shqiptare nga stanjacioni.

“ Partia ka shkuar tek shoqëria. Ky është si një lloj laboratori politik i opozitës. Është interesante nëse ndodh në të gjithë Shqipërinë. Nëse realizohet do jetë e suksesshme. Një Republikë e Re nënkupton edhe transformimin e Partisë Demokratike në vetvete. Deri tani më duket se ka ecur mirë. Rezultatet  fillestare janë shumë të mira. E ka nxjerrë situatën nga stanjacioni. Basha po shfaqet si një promovues i një rendi të ri, dhe force politike të re, ka futur në diskutim sistemin politik shqiptar. I ka dhënë rezultatet e para, ka dinamizuar shoqërinë shqiptare. Por është një lëvizje që duhet mbajtur nën vëzhgim, duhet kritikuar kur duhet. Por shoqëria shqiptare ka dalë nga një gjendje stanjacioni shumë të rrezikshëm,” tha Marku.

I pyetur nëse i dukej radikal vendimi i partive opozitare për të mos u futur në zgjedhje, analisti Mark Marku u shpreh se një vendim i tillë është marrë pasi edhe vetë situata aktuale është radikale, dhe sipas tij i bëhet parapritë një konflikti post-zgjedhor.

“Është deklaruar që në fillim por me terma politike. Është veprim disi radikal që të mos hysh në zgjedhje. Ndoshta dhe situata është radikale. Mendoj që është një masë që parandalon konflikte të tjera radikale. Të shkohej në zgjedhje në një infrastrukturë kriminale ku zgjedhjet do ishin të manipuluara. I bëhet parapritë një konflikti post-zgjedhor. E shpëton Shqipërinë nga një konflikt i ardhshëm,” tha ai.

(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: