Nga: Jorgji KOTE

Ditët e fundit ish-kryeministri i shkarkuar i rajonit autonom të Katalonjës, Carles Puigdemont ka ardhur këtu në Bruksel, jo për azil politik, siç e konfirmoi vetë në konferencën e shtypit, por për “exil”, pra mërgim në kryeqytetin e Evropës së Bashkuar. Për shkak sipas tij, të pasigurisë për një proces të drejtë dhe të ndershëm gjyqësor të hapur ndaj tij për rebelim. Miqtë e vet nacionalistë flamandë e kanë mirëpritur. Kurse politika belge është qetësuar, pasi kërkesa për azil politik edhe pse juridikisht e mundshme, politikisht do të tensiononte marrëdhëniet Belgjikë-Spanjë. Nuk po zgjatemi në këtë çështje, sepse disa ditë më parë kam shkruar po në këtë gazetë “Katalonja Spanjolle si Flandra Belge”.

Natyrisht që tërhoqi vëmendjen masive publike fakti që Brukseli pranon mërgimtarë të tillë “VIP” të kërkuar nga drejtësia e një vendi anëtar të BE-së. Kjo shpjegohet edhe ligjërisht me historinë 186- vjeçare të këtij shteti, madje autoritetet belge dhe të Brukselit në veçanti kanë krijuar të gjitha lehtësitë e nevojshme, natyrisht kundrejt disa kushteve kufizuese lidhur me aktivitetin politik për të gjithë ata persona, sidomos ata VIP dhe pa kurrfarë dallimi për të cilët ka gjasa, prova apo dyshime të arsyeshme se mund të ndiqen, persekutohen apo dënohen padrejtësisht në vendet e tyre për motive politike, fetare, gjinore etj.

Mjafton t’u hedhësh një sy kalimthi disa prej shembujve më pikantë që tregohen dhe më poshtë kur Brukseli është bërë vend i preferuar për azil/egzil për shumë personaliteteve të spikatura politike, artistike e kulturore, që kanë ndryshuar dhe tronditur botën me veprat dhe krijimet e tyre dhe bindesh lehtë për këtë realitet.

Kështu, në vitin 1848-1849, Karl Marks, në atë kohë 30-vjeçar kërkoi azil në Bruksel. Autoritet mbretërore belge e lejuan me kusht që të mos merrej me politikë. Ai ka banuar në 4-5 adresa të ndryshme në Bruksel, por selia kryesore e veprimtarisë së tij ishte në Grand Place, në restaurantin e mirënjohur historik “La Maison du Cygne” (Shtëpia e Mjellmave). Aty, Marks zhvillonte takimet e famshme dhe fliste me pasion përpara simpatizantëve të majtë dhe komunistë, mes tymit të duhanit dhe avullit të pijeve. Padyshim që gjendja e rëndë social-ekonomike e shumicës dërmuese të popullsisë atje i dha “lëndën e parë” për veprat e tij me ndikimin tashmë të njohur për botën. Ndoshta pak e dinë se pikërisht aty, në “Grand Place”, në sheshin më të bukur karakteristik evropian dhe në “La Maison du Signe”, Marksi shkroi “Manifestin Komunist”, çka tregohet edhe në pllakën përkujtimore në atë godinë, ngjitur me bashkinë e kryeqytetit belg. Bashkë me të qëndroi në Bruksel edhe “klasiku” tjetër i shquar, Friedrich Engelsi.

Po gjatë asaj periudhe e më vonë, Brukseli liberal u bë edhe qendër e hapur pritjeje për shumë shkrimtarë, poetë dhe piktorë të famshëm nga Franca, Britania e Madhe, vende të tjera dhe Shqipëria jonë. Bëhet fjalë për emra tingëllues si Dumas, Rimbaud, Baudelair, Rodin, Sir Walter Scott, Lord Byron, etj.

Aty, në “Brukselin e mrekullueshëm” siç e ka përshkruar vetë, jetoi gjatë viteve 1851-1852, 1861-1862 dhe 1866-1870 në azil të vërtetë politik gjiganti francez i letrave botërore, Viktor Hygo me familjen. Aty ai “gdhendi” një nga kryeveprat e tij, “Të Mjerët” etj.

Diçka më vonë, gjatë periudhës 1897-1909 banoi në Bruksel edhe personaliteti i ndritur i letrave shqipe, Faik Konica, ku botoi “Albania” e tij të famshme në shqip dhe frëngjisht. Ai ka jetuar në “Rue d’Albanie” 23, komuna Saint Gilles, diku në qendër të Brukselit.

Për koincidencë, në vitet ‘80, në po atë banesë u vendos mërgimtari politik i Kosovës martire, Enver Hadri, i cili luajti një rol të madh për njohjen e çështjes së saj, të shtypjes e persekutimit nga regjimi serb. Enverin e vrau dora armiqësore serbe më 25 shkurt 1990, kur po shkonte në një takim pune kushtuar Kosovës. “Rue d’Albanie” me dy pllakat përkujtimore është tashmë një pikë pelegrinazhi mikpritëse, venë për nderuar edhe familjen e heroit.

Shoqata Kulturore “Konica” me aktivitete të shumta, publicisti i njohur shqiptaro-belg, Safet Kryemadhi dhe gazetari i përkushtuar Gjovalin Kola kanë kontribuar shumë me botimet e tyre cilësore për njohjen dhe përhapjen e veprimtarisë publicistike dhe atdhetare të Faik Konicës, si dhe të Enver Hadrit e patriotëve të tjerë në rrethet politike, mediatike dhe publikun belg.

Në fillim të shekullit XX, Brukseli u bë sërish bujtës tashmë i qendrave dhe lëvizjeve opozitare, që ishin të pamundura në vendet e tyre. Aty kishte selinë e vet edhe Sekretariati i Internacionales Socialiste, ku edhe bolshevikët e Leninit kanë zhvilluar disa mbledhje. Madje, ka të dhëna se edhe Lenini ka qenë në qytetin e Liezhit dhe në Bruksel gjatë muajve tetor-nëntor 1909.

Dihet gjithashtu se në mesin e viteve ‘30 erdhi dhe punoi nga Franca në Bruksel, si punonjës i Konsullatës shqiptare edhe Enver Hoxha.

Gjatë Luftës së II Botërore kjo traditë u ndërpre, sepse qeveria belge u detyrua të shkonte vetë në mërgim në Londër, pas pushtimit nga Gjermania naziste. Por, pas përfundimit të luftës, Brukseli e rifilloi traditën e tij, madje këtë radhë në përmasa shumë më të mëdha. Ndoshta kjo mikpritje e konsideruar si vlerë e shtuar ka qenë edhe një ndër arsyet shtesë që çoi në përzgjedhjen e Brukselit si selia e BE-së, NATO-s dhe shumë organizatave të tjera ndërkombëtare.

Me kalimin e viteve dhe dekadave, Brukseli dhe e gjithë Belgjika u bënë bujtës dhe strehues bujarë të mijëra azilantëve politikë dhe emigrantëve ekonomikë nga 170 vende të tjera, përfshirë edhe Shqipërinë, duke filluar nga viti 1956 e në vazhdim, sërish pa asnjë dallim partiak dhe ideologjik.

Falë mbështetjes dhe ndihmës së gjithanshme të shtetit belg, shumë prej azilantëve të dikurshëm tashmë janë bërë figura të shquara politike, të artit dhe kulturës belge e më gjerë. Vlen të përmendet lideri socialist dhe ish-kryeministri belg, Elio Di Rupo, bir i një emigranti italian si dhe shkrimtarë dhe artistë të shquar.

Ndërkohë, tradita e azilit/egzilit për personalitetet politike vijoi në vitin 2011, kur erdhi në Bruksel pas përndjekjes dhe persekutimit në vendin e vet Etienne Tshisekede, kryeopozitari i famshëm kongolez, rivali dhe kundërshtari i despotëve famëkeq Mugabe dhe Kabilat, baba e bir; ai ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare më 1 shkurt të këtij viti gjatë një trajtimi mjekësor po në Bruksel.

Kësisoj, Carle Puigdemont është mërgimtari politik i radhës në Bruksel, por me siguri jo i fundit. Mbase gjatë këtyre ditëve, ai do të mësojë më shumë nga fryma e vërtetë e Evropës së Bashkuar, nga homologët e tij flamandë dhe për rrjedhojë, edhe përmasat e gabimit të tij fatal politik, me krijimin e Republikës së Pavarur të Katalonjës; kjo e fundit “vdiq ende pa lindur”, sepse ishte jashtë kohe, pa baza dhe pa politika. Vetëm se ndryshe nga të tjerët, mërgimi i tij në Bruksel ka shumë të ngjarë të jetë fare i shkurtër, pasi drejtësia spanjolle po bën gati mandat-arrestin ndërkombëtar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: